Ndërlidhjet

Putin: Do të kërkojmë hetim ndërkombëtar për sulmin kimik


Presidenti rus, Vladimir Putin
Presidenti rus, Vladimir Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin thotë se Moska zyrtarisht do të kërkojë një hetim ndërkombëtar, për atë që qeveritë perëndimore, thonë se është sulm kimik i kryer nga qeveria siriane mbi civilët.

Putin sot ka folur për herë të parë publikisht për Sirinë, që prej se Shtetet e Bashkuara sulmuan me raketa një bazë ajrore siriane, në përgjigje ndaj presidentit Bashar al-Assad për sulmin kimik, ku u vranë mbi 80 persona.

Putin u tha gazetarëve se Rusia do të apelojë në agjencinë e OKB-së në Hagë që të kryejë hetimin. Si duket, presidenti rus i është referuar Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike.

“Ne besojmë se çdo incident i këtij lloji duhet që zyrtarisht të hetohet”, tha Putin. “Ne planifikojmë t’i drejtohemi trupave të OKB-së në Hagë dhe i bëjmë thirrje komunitetit global që të hetojë tërësisht këtë incident dhe të marrin vendime të balancuara, bazuar në rezultatin e hetimit”.

Ai gjithashtu tha se Rusia ka pranuar informacione të inteligjencës për “provokime” të planifikuara, të përdorimit të armëve kimike, me qëllim që t’i vihet faji qeverisë siriane.

“Ne kemi informata nga disa burime se provokime të tilla janë duke u përgatitur në rajone të tjera të Sirisë, përfshirë këtu edhe në periferi të Damaskut, ku ata sërish po planifikojnë të hedhin ndonjë lloj substance, që të akuzojnë autoritetet siriane për një gjë të tillë”, tha Putin.

Presidenti rus gjithashtu ka thënë se ka dëgjuar se Shtetet e Bashkuara janë duke planifikuar sulme ajrore në periferi të Damaskut, por nuk dha asnjë dëshmi për një pretendim të tillë.

Komentet e Putinit vijnë në kohën e tensionimit të raporteve në mes të Rusisë dhe Perëndimit, si dhe vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson në Moskë.

Tillerson është nisur për në Moskë, ku më 12 prill, pritet të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Rusia dhe Siria pretendojnë se gazi toksik që la të vdekur dhjetëra civilë në provincën Idlib më 4 prill, është liruar në ajër kur forcat qeveritare siriane kanë goditur një depo që kishte armë kimike, në zonën e kontrolluar nga rebelët – një pretendim të cilin, qeveritë perëndimore e hedhin poshtë, ndërkaq SHBA e cilëson si “jokredibile”.

XS
SM
MD
LG