Ndërlidhjet

Komunat vjelin mbi 3 milionë euro nga taksat për vetura


Prishtinë, 12 prill 2017
Prishtinë, 12 prill 2017

Një taksë komunale, me të cilën qytetarët kushtëzohen për të regjistruar veturat e tyre, që për vite të tëra ka grumbulluar shuma parash në komuna, është cilësuar nga Avokati i Popullit si shkelje e të drejtave të njeriut, duke kërkuar nga institucionet e vendit heqjen e saj.

Qytetarët thonë se paguajnë taksën prej 10 eurosh për të regjistruar veturën e tyre, pavarësisht se ajo mund të jetë shkelje e të drejtave të tyre.

Arben Berisha nga Prishtina për çdo vit që regjistron veturën e tij, është i kushtëzuar që në komunë të paguajë tatimin në pronë dhe një taksë prej 10 eurosh, në mënyrë që t’i lëshohet dëshmia për pagesën e taksës komunale.

Këtë taksë Arbeni thotë se paguan prej disa vitesh, por nuk e di arsyen e kësaj pagese dhe as se për çfarë shpenzohen këto mjete të mbledhura.

Ata (komuna) arsyetohen për ndonjë shërbim komunal që bënë komuna. Sikurse shumë gjëra tjera që bëhen tek ne edhe kjo është një padrejtësi që iu bëhet qytetarëve. Por, unë mendoj se fajtor janë qytetarët sepse nuk reagojnë. Disi jemi adaptuar që pushteti të na shfrytëzojë dhe ne nuk kërkojmë drejtësi. Pasi, për regjistrimin e makinave është e obliguar që edhe tatimi në pronë të jetë zero-zero”, thotë Arbeni.

Një taksë komunale që mundëson regjistrimin e veturës është aplikuar në të gjitha komunat e Kosovës prej shumë vitesh, dhe ajo ka kushtëzuar secilin prej pronarëve të veturave me pagesën e tatimit në pronë.

Në Komunën e Prishtinës, vitin e kaluar nga kjo taksë prej 10 eurosh janë mbledhur mbi 472 mijë euro, bëjnë të ditur zyrtarë të kësaj komune.

Në një përgjigje përmes postës elektronike për Radion Evropa e Lirë, Faton Zeka, zyrtar në komunën e Prishtinës, ka thënë se “edhe Komuna e Prishtinës sikurse komunat tjera zbaton edhe taksën e veturës dhe kushtëzimin e pagesës për tatimin në pronë”. Mjetet e grumbulluara, ka thënë ai “shpenzohen varësisht nga nevojat e komunës dhe nuk janë të destinuara për ndonjë sektor të veçantë”.

Ndryshe, në gjithë Kosovën sipas shifrave zyrtare qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, që sipas një llogaritje për çdo vit, nga taksat komunale, grumbullohen mbi 3 milionë e 150 mijë euro.

Kjo taksë për vetura zbatohet në bazë të udhëzimit administrativ 07/ 2011 për urdhëresat e ndalimit të shërbimeve komunale për detyrimin e pagesës së tatimit në pronë, e nxjerrë nga Ministria e Financave.

Në këtë udhëzim thuhet se “Komunat kërkojnë nga qytetarët/bizneset që të paguajnë taksën për pronësinë e automjeteve motorike brenda kufijve të komunës. Komuna nuk duhet t’i kryejë këto shërbime përderisa nuk është paguar tatimi ne pronë”.

Por, udhëzimi administrativ ka shkaktuar reagimin e zyrës së Avokatit të Popullit, që e ka konsideruar si një “metodë të paligjshme për vjelje të tatimit në pronë”. Zyra e Avokatit të Popullit i ka tërhequr vëmendjen autoriteteve përkatëse lidhur me shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut dhe ka rekomanduar ndryshimin e këtij udhëzimi administrativ.

Majlinda Ulaj- Sinani, zëdhënëse në këtë institucion, ka thënë se më këtë udhëzim vihen në rrezik të drejtat e njeriut.

Anashkalimi i Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe Ligjit për Administratën Tatimore dhe procedurat, natyrisht që mund të ketë pasur qëllim lehtësimin dhe shkurtimin e rrugës për vjeljen e tatimit. Mirëpo në këtë mënyrë vë në rrezik të drejtat e qytetarëve në një proces të rregullt dhe të përcaktuara me këto ligje”, ka thënë Ulaj-Sinani.

Avokati i Popullit, ka thënë ajo, i ka rekomanduar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që të ndryshojë qëndrimin e saj zyrtar në shkresën shpjeguese.

Duke nxjerrë një qëndrim të ri me konstatimin se kushtëzimet për ofrimin e shërbimeve të qytetarëve nga ana e komunave me pagesën e tatimit në pronë, nuk kanë bazë ligjore dhe janë në kundërshtim me të drejtat e njeriut, dhe si të tilla nuk mund të aplikohen”, është shprehur Ulaj-Sinani.

Por, zyrtarë të Ministrisë se Administrimit të Pushtetit Lokal, kanë thënë se në vitin 2012 kanë dërguar shkresë shpjeguese në të gjitha komunat e Kosovës lidhur me kushtë​zimin e shërbimeve publike për qytetarët, kurse për zbatueshmërinë e këtij udhëzimi është përgjegjëse Ministria e Financave.

Në këtë shkresë shpjeguese, ndër të tjera thuhet se :“Komunat kanë të drejtë të bëjnë kushtëzime në ofrimin e shërbimeve për qytetarët e saj, atëherë kur vlerësojnë se më një veprim të tillë arrihet një qëllim i interesit publik, i cili interes realizon para se gjithash nevojat e vetë qytetarëve të saj, por duke mos dëmtuar drejtpërdrejt të drejtat dhe liritë e njeriut”.

Por Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Financave, e cila ka nxjerrë këtë udhëzim, që të bëjë ndryshimin e dispozitave që kanë të bëjnë më kushtëzimet e qytetarëve për pagesën e tatimit në pronë.

Rreth kësaj çështjeje zyrtarë të Ministrisë se Financave, kanë thënë se “ky dikaster aktualisht është në proces të ndryshimit të Ligjit për Tatimin në Pronë. Pas miratimit të Ligjit do të hartohen edhe Udhëzimet e reja Administrative”.

Deri atëherë, ndërkaq, qytetarët do të detyrohen të vazhdojnë të paguajnë një taksë komunale e cila për shumë vite është mbledhur në llogaritë e komunave. (REL)

XS
SM
MD
LG