Ndërlidhjet

Trump: NATO nuk është më e vjetruar

  • RFE /RL

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se NATO “nuk është më e vjetruar”, duke u tërhequr nga një qëndrim i mëparshëm që ka alarmuar aleatët.

Në takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se “kërcënimi nga terrorizmi ka nënvizuar rëndësinë e aleancës”.

Ai i bëri thirrje NATO-s që të bëjë më shumë për të ndihmuar partnerët irakianë dhe afganë.

Trump, disa herë, ka vënë në pyetje rëndësinë e NATO-s, ndërsa është ankuar se SHBA paguan barrën më të madhe për mbrojtje.

Pas takimit me Stoltenbergun, Trump iu drejtua mediave:

“Sekretari i përgjithshëm dhe unë kemi pasur një bisedë produktive për atë se çfarë mund të bëjë NATO më shumë në luftën kundër terrorizmit. Jam ankuar për këtë kohë më parë; janë bërë ndryshime dhe tani (NATO) e lufton terrorizmin. Kam thënë se është e vjetruar. Nuk është më”, tha Trump.

Ai përsëriti thirrjet për shtetet anëtare të NATO-s që të kontribuojnë më shumë fonde në aleancë.

“Nëse vendet e tjera paguajnë pjesën e tyre të drejtë, në vend se të mbështeten në Shtetet e Bashkuara, të gjithë do të jemi më të sigurt dhe partneriteti ynë do të jetë më i fortë”, tha Trump.

Stoltenberg, në anën tjetër, falënderoi Trumpin për, siç tha, “një takim të shkëlqyer dhe shumë produktiv”.

“Ne pajtohemi se aleatët duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të përmbushur zotimin e bërë më 2014, për të investuar më shumë në aleancën tonë. Kjo ka të bëjë me shpenzime më të mëdha në mbrojtje. Ka të bëjë me arritjen e aftësive që na duhen dhe me kontributin e forcave në misionet dhe operacionet e NATO-s”, tha Stoltenberg.

Takimi Trump-Stoletenberg u zhvillua në javën kur presidenti amerikan nënshkroi protokollin për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Në atë rast, Trump tha se "NATO është kyçe për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian" dhe se anëtarësimi i Malit të Zi do të sinjalizojë për aspiruesit e tjerë se "dera në komunitetin euro-atlantik mbetet e hapur".

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG