Ndërlidhjet

Zvicër: Dy ekzekutivë partiakë e thyen ligjin pasi sugjeruan se kosovarët janë kriminelë


Dy ekzekutivë të partisë më të madhe politike në Zvicër e kanë shkelur ligjin kundër racizmit, me një shpallje ku sugjerohej se njerëzit nga Kosova janë kriminelë të dhunshëm, ka vendosur sot Gjykata Supreme Federale në Lozanë.

Rasti ka të bëjë me një shpallje në gazetë me titullin “Kosovarët e prejnë Zvicrën”, që ishte pjesë e fushatës së Partisë Popullore Zvicerane (SVP), e krahut ekstrem të djathtë, për kufizim të migrimit.

Partia SVP, që e ka pothuajse një të tretën e vendeve në Parlamentin e Zvicrës, këtë shpallje e ka krijuar pas sulmit me thikë në vitin 2011, ku ishin involvuar një sulmues me prejadhje nga Kosova dhe një viktimë zvicerane, raporton agjencia Reuters.

Gjykata Supreme Federale në Lozanë i ka konfirmuar dënimet për sekretarin e përgjithshëm të kësaj partie, Martin Baltisser, dhe zëvendësen e tij, Silvia Baer, lidhur me akuza për diskriminim racial. Gjykata ka arsyetuar se në shpalljen e tyre, njerëzit nga Kosova paraqiteshin si të dhunshëm dhe shkatërrohej dinjiteti i tyre njerëzor.

Të dy udhëheqësit partiakë ishin ankuar kundër dënimit të tyre të parë, duke pretenduar se kosovarët nuk i plotësojnë kushtet si racë ose etnicitet.

Por, gjykata e ka hedhur poshtë argumentin e tyre, duke thënë se shqiptarët në Kosovë përbëjnë etnicitet të qartë.

“Ata me trashëgimi kosovare janë pasqyruar si inferiorë dhe është krijuar klimë armiqësore kundër tyre...po ashtu, është krijuar edhe ideja se njerëzit nga Kosova nuk janë të mirëseardhur”, ka thënë gjykata nëpërmjet një njoftimi.

“Siç ka konkluduar me të drejtë gjykata e nivelit më të ulët, kjo i plotëson kushtet fundamentale të diskriminimit dhe nënçmimit dhe thirrjes për urrejtje ose diskriminim”, tha gjykata.

Të dhënat e Zyrës Federale të Statistikës tregojnë se në Zvicër jetojnë 111 mijë kosovarë. Shumica prej tyre janë larguar nga vendi i tyre gjatë luftërave në vitet e 90-ta, raporton Reuters.

Partia SVP e ka ngritur shqetësimin për ndikimin e këtij vendimi në lirinë e të shprehurit.

XS
SM
MD
LG