Ndërlidhjet

Turqi: Opozita kërkon rinumërimin e votave të referendumit


Referendumi në Turqi
Referendumi në Turqi

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Turqi, thotë se rezultatet e referendumit të 16 prillit, që ia zgjerojnë kompetencat presidentit, Recep Tayyip Erdogan, janë të vlefshme, teksa opozita ka bërë thirrje për rinumërim të votave.

Sadi Guven, i ka bërë këto komente më 17 prill, pasi partia kryesore opozitare, Partia Popullore Republikane, ka thënë se ka pasur parregullsi në votim, përfshirë përdorimin e fletëvotimeve të pavulosura.

Trupi zgjedhor në Turqi, ka thënë mbrëmjen e 16 prillit se vota “Po” ka fituar 51.3 për qind të votave, në referendumin kundërthënës, që përfshinte 18 amendamente kushtetuese, të cilat do t’i lejojnë Erdoganit të qëndrojë në pushtet deri më 2029.

Erdogan paralajmëron shqyrtimin e "dënimit me vdekje"
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:14 0:00

Pas fitores në referendum, presidenti Erdogan, ka falënderuar qytetarët që kanë dalë në zgjedhje, siç ka thënë, “pavarësisht se për kë kanë votuar”.

"Këto ndryshime kushtetuese nuk janë ndryshime të zakonshme. Kjo është diçka ndryshe dhe shumë domethënëse. Për herë të parë në historinë e Turqisë, parlamenti dhe njerëzit kanë treguar vullnetin e tyre dhe kanë vendosur për këto ndryshime të rëndësishme”, ka thënë Erdogan.

Rezultatet e referendumit kanë shkaktuar edhe protesta por edhe festime në mbarë Turqinë.

Partia Popullore Republikane ka kërkuar rinumërimin e mbi 60 për qind të votave. Kjo parti ka kritikuar zyrtarët zgjedhorë se në minutat e fundit kanë ndryshuar rregullat, se cilat vota do të numërohen, duke thënë se kanë hapur rrugën për mashtrime.

Sipas këtij rregulli, fletëvotimet që nuk ishin të vulosura janë numëruar dhe janë cilësuar të vlefshme përderisa nuk janë dëshmuar se nuk janë sjellë në procesin e numërimit nga jashtë.

Zëvendëskryetari i kësaj partie, Bulet Tezcan, ka bërë thirrje për anulimin e rezultateve të referendumit dhe ka thënë se partia e tij, nëse është e nevojshme, këtë çështje do ta dërgojë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ndërkaq, Kemal Kilidaroglu, kreu i Paritsë Popullore Republikane ka thënë se legjitimiteti i këtij referendumi është kundërthënës.

Edhe nga pikëpamja ligjore por edhe nga parimet e ndërgjegjes publike, legjitimiteti i këtij referendumi është kundërthënës”, është shprehur ai.

Por kreu i KQZ-së, Guven ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se ka pasur mashtrime, duke thënë se fletëvotimet e pavulosura kanë qenë të prodhuara nga Bordi i Lartë Zgjedhor dhe janë të vlefshme, duke shtuar se procedura të ngjashme janë përdorur edhe në zgjedhjet në të kaluarën.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Mehmet Simsek ka thënë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme pas rezultatit të referendumit.

Ka pasur spekulime se Erdogan mund të shpall zgjedhje të reja, me qëllim që fuqitë e reja, që do t’i merr nga ndryshimet kushtetuese, të hyjnë në fuqi menjëherë.

Bashkimi Evropian dhe Gjermania i kanë bërë thirrje liderëve në Turqi, që të punojnë në përmirësimin në ndarjet e brendshme pas referendumit të kontestuar.

Në një deklaratë, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe zëvendësi i saj, Sigmar Gabriel, i kanë bërë thirrje Erdoganit që të kërkojë “dialog të respektueshëm me të gjitha partitë politike në vend dhe grupet e shoqërive civile”.

“Në funksion të rezultatit të ngushtë të referendumit dhe implikimeve të gjera të ndryshimeve kushtetuese, ne i bëjmë thirrje autoriteteve turke të kërkojnë konsensus të gjerë kombëtarë në zbatimin e tyre”, thuhet në deklaratë të përbashkët të kreut të Komisionit Evropian, Jean-Claude Junker, shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogherini dhe Komisionerit për Zgjerim, Johannnes Hahn.

Sipas rezultateve zyrtare, me 99 për qind të votave të numëruara, referendumi është mbështetur nga 24.9 milionë votues, ndërkaq 23.6 milionë kanë votuar kundër.

Tri qytetet më të mëdha turke – Stambolli, Ankaraja dhe Izmiri- kanë votuar kundër ndryshimeve kushtetuese, të cilat do të zbëjnë postin e kryeministrit dhe do t’i japin kompetenca më të mëdha presidentit për çështje të ndryshme, si ajo e buxhetit apo shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pa miratimin e Parlamentit.

Partia pro-kurde, Partia Popullore Demokratike ka thënë se do të sfidojë dy të tretat e votave. Kjo parti pretendon se “është manipuluar rreth 4 për qind e votave” në favor të zgjerimit të kompetencave presidenciale. (REL)

Përgatiti: Mimoza Sadiku

XS
SM
MD
LG