Ndërlidhjet

Mustafa kritikon dialogun e Brukselit, kërkon ndryshime


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian, ka nevojë për ndryshime, si në dinamikën e bisedimeve ashtu edhe në aspektin e zbatimit të marrëveshjeve, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Këto komente, Mustafa i ka bërë gjatë debatit të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike në katërvjetorin e arritjes së Marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Mustafa tha se i gjithë procesi po zvarritet, duke iu përshtatur agjendës integruese të Serbisë në Bashkimin Evropian. Andaj, ai tha se dialogu duhet të dinamizohet dhe krahas çështjeve që dakordohen të ketë edhe marrëveshje për zbatim të marrëveshjeve.

“Nuk do të ishte e arsyeshme që ne të vazhdojmë me tempon e deritashme të dialogut. Do të thotë se është e domosdoshme që ta ngjeshim agjendën e dialogut në mënyrë që të merremi vesh se cilat janë temat, përkatësisht çështjet të cilat ne duhet t’i zgjidhim përmes dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe duhet të sqarojmë procedurat e zbatimit të marrëveshjeve”, ka thënë Mustafa.

Sqarimi i procedurave zbatuese të marrëveshjeve, sipas Mustafës, është i domosdoshëm për faktin se ka marrëveshje të cilat janë arritur katër vjet më parë, por ende diskutohet se si të zbatohen në praktikë.

Nga procesi i bisedimeve, si marrëveshjet kryesore janë veçuar ajo për shuarjen e strukturave paralele serbe dhe integrimin e tyre në sistemin legal-kushtetues të Kosovës, pastaj pjesëmarrja e serbëve të komunave veriore në zgjedhjet lokale dhe sidomos marrëveshja për themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo e fundit, mbetet ende në proces e sipër.

Kryeministri Mustafa tha se Asociacioni mund dhe do të themelohet vetëm duke respektuar tërësisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Nuk kam parë kohëve të fundit ndonjë disponim të serbëve për të vazhduar për themelimin e Asociacionit, sepse i kam ftuar disa herë e ndoshta arsyeja është që atyre nuk u pëlqen të bëhet më bazë të vendimit të Gjykatës, por kjo do të bëhet vetëm sipas kësaj të fundit”, ka thënë Mustafa.

Mungesa e disponimit te serbët për t’i nisur procedurat e themelimit, ka vijuar Mustafa, mund të ndërlidhet pikërisht me faktin se ky organ, duhet të jetë në harmoni të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Ndërkohë, Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Natalyia Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se Asociacioni i komunave serbe duhet të themelohet sa më shpejt.

Në kornizën e dialogut thuhet që Bashkimi Evropian pret që marrëdhëniet midis palëve të normalizohen tutje dhe që Asociacioni të themelohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Apostolova.

Ajo nënvizoi se dialogu në Bruksel është në interes edhe të Kosovës, pasi që problemet me Serbinë duhet të zgjidhen përmes këtij procesi.

Në anën tjetër, kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami tha se duke pas parasysh problemet dhe relacionet mjaft komplekse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Evropian duhet të marrë rolin e ndërmjetësuesit dhe interpretuesit të marrëveshjeve dhe jo të lehtësuesit, siç qëndron aktualisht.

Kurse sa i përket palës kosovare në bisedime, Bajrami tha se Qeveria duhet të angazhohet për konsensus të brendshëm rreth dialogut.

Qeveria e Kosovës duhet që aktivisht të nxisë një debat të brendshëm dhe të kërkojë një konsensus shoqëror dhe politik në lidhje me Asociacionin, sikurse edhe në lidhje me çështjen e përgjithshme të dialogut me Serbinë”, tha Bajrami.

Po ashtu, edhe Beogradi, ka vijuar Bajrami, duhet ta kuptojë që Asociacioni i komunave serbe nuk është autonomi për serbët e Kosovës, ngase nëse shihet si e tillë, kjo marrëveshje nuk do të zbatohet asnjëherë.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, është iniciuar nga Bashkimi Evropian, si lehtësues i procesit. Sipas Brukselit, ky dialog ka si qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si kusht për rrugëtimin e të dyja vendeve drejt integrimit në Bashkimin Evropian. (REL)

XS
SM
MD
LG