Ndërlidhjet

GJND nuk vendos masë ndaj Rusisë, sipas kërkesës së Ukrainës 


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë, tha të mërkurën se nuk do të vendos masë me të cilën do të urdhërohej Rusia të ndalonte financimin dhe pajisjen e separatistëve pro-rusë. Rasti në Gjykatë u paraqit nga Ukraina kundër Moskës.

Gjykata e lartë e OKB-së tha se ka refuzuar kërkesën e Ukrainës për të vendosur një masë të përkohshme, me qëllim të bllokimit të asaj që Kievi thotë se është mbështetje financiare dhe ushtarake e Rusisë për separatistët në Ukrainën lindore.

Kushtet e kërkuara për përcaktimin e masave të përkohshme”, siç kërkohet nga Ukraina, në mënyrë që të bllokohet Rusia që të financojë separatistët në lindje të Ukrainës, “nuk janë përmbushur”, thuhet në vendimin e Gjykatës, e cila është lexuar nga presidenti i këtij organi, Ronny Abraham.

Moska mori nën kontroll Gadishullin e Krimesë të Ukrainës në mars të vitit 2014 dhe ka mbështetur separatistët në një luftë që prej kur nisi shkaktoi më shumë se 9 mijë viktima në Ukrainën lindore.

Kur Ukraina e dorëzoi kërkesën e saj në muajin janar, Kievi tha se Rusia kishte rritur ndërhyrjen e saj në çështjet e Ukrainës që prej vitit 2014, "duke intervenuar ushtarakisht… financuar akte të terrorizmit dhe shkelur të drejtat e njeriut të miliona qytetarëve të Ukrainës, përshirë, për të gjithë, të drejtën e tyre për jetë”.

Ajo tha se Ukraina po kërkon “riparim të plotë për…aktet e terrorizmit që Federata Ruse i ka shkaktuar, lehtësuar ose mbështetur”, duke numëruar bombardimet e zonave të populluara dhe duke rrëzuar në korrik të vitit 2014 një aeroplan të Malajzisë MH17, me ç’rast u vranë 298 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit.

Ukraina gjithashtu ka bërë thirrje që gjykata të ndalojë atë që e cilësoi “diskriminim racor” ndaj tartarëve të Krimesë dhe të ukrainasve etnikë në Krime që prej marrjes së gadishullit, që u përcoll me vendosjen e trupave dhe një referendum i cilësuar si i paligjshëm nga Ukraina, SHBA-të dhe mbi 100 vende anëtare të OKB-së

Mohimi rus

Ukraina akuzoi Rusinë për shkeljen e Konventës për Financim të Terrorizmit dhe të një marrëveshjeje ndërkombëtare kundër diskriminimit racor.

Ajo kërkoi nga 15 gjykatësit e Gjykatës në Hagë, të vendosin se “Federata Ruse mban përgjegjësi ndërkombëtare” për “aket e terrorizmit të kryera nga mbështetësit e saj në Ukrainë”.

Moska ka hedhur poshtë akuzat. Ajo tha se pohimet për terrorizëm “nuk janë as të faktuara dhe as ligjore” dhe ka argumentuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka juridiksion për rastin.

Rusia ka mohuar se ka dërguar trupa ose pajisje ushtarake në Ukrainën lindore, përkundër asaj se Kievi dhe vendet perëndimore thonë se kanë dëshmi të pakundërshtueshme.

Meqë mund të marrë muaj për Gjykatën që të vendos madje edhe të dëgjoj një rast, Ukraina dorëzoi edhe kërkesën për masa të përkohshme mbrotjëse.

Në këtë aplikacion të brendshëm, Ukraina kërkoi një urdhër të shpejtë gjyqësor me të cilën do të t’i kërkohej nga Rusia që të përmbahej nga “çfarëdo veprimi që mund të përshkallëzojë ose zgjasë mosmarrëveshje” ose ta bëjë më të vështirë zgjidhjen, përfshirë edhe ndalimin e futjes së parave, armëve, pajisjes dhe personelit në lindje’.

SHBA-ja, vendet evropiane dhe vendet e tjera kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë në përgjigje ndaj ndërhyrjes së saj në Ukrainë, që dëmtoi rëndë marrëdhëniet e Moskës edhe me perëndimin por edhe me Ukrainën.

Megjithëse vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë përfundimtare dhe oblgiative, ajo nuk ka mjete të zbatimit. (REL)

XS
SM
MD
LG