Ndërlidhjet

Universiteti i Sorosit kundër Orbanit, kërkon mbështetje edhe nga BE


Ilustrim
Ilustrim

Rektori dhe presidenti i Uiversitetit të Evropës Qendrore në Budapest, Michael Ignatieff, i bëri thirrje Brukselit që të mbështesë institucionin e tij, si dhe veprimin ligjor të BE-së kundër Budapestit.

Duke folur në një takim të hapur në Parlamentin Evropian në Bruksel, i organizuar nga pesë grupe politike, Ignatieff tha se i duhet mbështetja e Evropës në mosmarrëveshjet e vazhdueshme që Universiteti i Evropës Qendrore ka me Qeverinë e kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Mosmarrëveshjet mund ta detyrojnë këtë universitet të mbyllë programin e tij në Budapest.

“Kam mbështetje në Uashington. Kam mbështetje në Berlin. Kam mbështetje në Budapest, siç e kam thënë. Kam mbështetje në Mynih. Është koha të marr mbështetje në Bruksel”, tha Ignatieff.

Duke folur më pas për Radion Evropa e Lirë, ai tha se do dy gjëra nga udhëheqësit politikë në Bruksel.

“Do të doja që anëtarët e koalicionit të qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian të thoshin: ‘Ju e dini, mbyllja e një universiteti është një gjë shumë e keqe dhe ju po kaloni një vijë të kuqe'”.

“Do të doja që Komisioni të marrë seriozisht në konsideratë – mendoj se po e bën – një rast ligjor kundër Hungarisë për shkelje të disa elementeve themelore të aktit të vetëm evropian. Nëse i kemi këto dy gjëra, do të na ndihmonin”, tha Ignatieff

Ditë më parë, Parlamenti i Hungarisë miratoi një ligj të ri, i cili mund ta detyrojë Universitetin e Evropës Qendrore - i themeluar nga miliarderi amerikan, George Soros - të largohet nga vendi.

Ligji kërkon nga universitetet e huaja në Hungari të kenë kampus dhe të ofrojnë kurse të ngjashme në vendin e tyre të origjinës.

Shumë në Hungari dhe jashtë saj besojnë se Qeveria Orban e sheh këtë universitet si bastion të opozitës liberale.

XS
SM
MD
LG