Ndërlidhjet

Haradinaj kthehet në Kosovë, adreson mesazhe kundër demarkacionit


Haradinaj kthehet në Kosovë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:19 0:00

Haradinaj kthehet në Kosovë

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është kthyer në Kosovë pas ndalimit prej katër muajve në Francë.

Kthimi i tij në Kosovë, ka pasuar vendimin e një gjykate franceze në Colmar, e cila ka refuzuar kërkesën e Serbisë për ekstradim, duke e lënë Haradinajn të lirë nga të gjitha akuzat e autoriteteve të Serbisë për, siç thuhej, krime lufte të kryera në periudhën e viteve 1998-1999.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Haradinajn e kanë pritur familja e tij dhe zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Pas kthimit, Haradinaj tha se ka fituar edhe njëherë drejtësia, ndonëse pas një procesi të padrejtë ndaj tij.

“Kërkesa për ekstradim ishte kërkesë për luftë, dhe nuk jam tallur kur e kam thënë këtë”, ka deklaruar Haradinaj.

“Një armiku si Serbia, nuk guxojmë asnjëherë të mos ia tregojmë vendin dhe një shembull për këtë është Kroacia”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë, në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë, Haradinaj u është drejtuar qytetarëve të tubur duke thënë se ishte larg Kosovës për katër muaj, por asnjëherë nuk ishte vetëm, pasi që në Colmar ishte në shoqëri të vazhdueshme të njerëzve nga diaspora.

“Për fat të keq edhe njëherë, si dikur u ndjeva pa shtet. Institucionet e Kosovës nuk ishin në nivelin e tyre”, ka thënë Haradinaj.

Liderët aktual në Serbi, Aleksandar Vuçiq apo Ivica Daçiq, theksoi Haradinaj, të prirë nga ish-lideri i tyre Sllobodan Millosheviq kanë provuar t’i vrasin shqiptarët edhe gjatë luftës së fundit.

“Për këtë kam thënë se ekstradimi nënkuptonte shpallje lufte dhe se ne do t’ua bënim edhe më zi atyre”, ka thënë Haradinaj.

Shqiptarët, vijoi Haradinaj, janë popull paqedashës, por nuk mund të durojnë më.

Njëherësh ai ka adresuar mesazhe edhe në lidhje me Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke thënë se “Kosova nuk ka më tokë për t’i falë askujt”.

Në fund të fjalimit, janë ndezur edhe fishekzjarre.

Gjatë paraditës, kur ishte marrë vendimi në gjykatë, Haradinaj është paraqitur para disa simpatizantë të tij dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Colmar.

“Procedura u mbyll, është refuzuar kërkesa e Serbisë. Pres ta marr pasaportën dhe jam i lirë, do të kthehem në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

“Janë humbur katër muaj kohë, nuk është pak, është kohë e çmueshme. Por, ka ndodhë ajo që është dasht të ndodhë, e drejta është në anën tonë”, është shprehur Haradinaj.

Protestë në Mitrovicën veriore kundër lirimit të Haradinajt
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka cilësuar vendimin për “lënien të lirë të Ramush Haradinajt, si lehtësues jo vetëm për Ramush Haradinajn dhe familjen e partinë e tij, por është një vendim lehtësues për gjithë popullin e Kosovës”.

Ndalja e tij në Francë për gati 4 muaj, sipas AAK-së, “ka qenë krejt e panevojshme dhe një përpjekje e hapur e Serbisë, që duke e vënë në lajthitje edhe Francën, ta destabilizojë Kosovën”.

Vendimi për rastin Haradinaj, është përshëndetur nga presidenti Hashim Thaçi, i cili e ka cilësuar atë si lajm të mirë për familjen Haradinaj, për bashkëpunëtorët e tij dhe gjithë Kosovën.

“Edhe një herë u vërtetua që shpifjet e shërbimeve serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të paqëndrueshme dhe nuk përfillen nga bota demokratike”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Edhe Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë përmes së cilës e përshëndet vendimin e autoriteteve gjyqësore franceze.

“Duke vlerësuar se fletë-arrestet serbe mbi bazën e të cilave është ndaluar z. Haradinaj janë të paligjshme dhe të padrejta, Qeveria e Kosovës konsideron se vendimi i Gjykatës Franceze është konfirmim se e drejta është në anën e z.Haradinaj dhe se fletë-arrestet serbe kundër tij dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së janë politike dhe kanë synime të ulëta”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

“Duke përgëzuar qytetarët e Kosovës për këtë fitore të drejtësisë mbi përpjekjet manipuluese të shtetit serb, Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin e saj të mëtejshëm për të bërë çdo përpjekje për të pamundësuar forma të tilla të keqpërdorimit të drejtësisë nga ana e Serbisë, në të ardhmen”, përfundon komunikata.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes rrjetit social Facebook, ka uruar zotin Haradinaj për kthimin në vendlindje.

Lirimi i Haradinajt është përshëndetur edhe nga partitë politike në pushtet dhe opozitë.

Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron vendimin w gjykatës franceze si lajm të gëzueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Ky vendim, konfirmon se aktakuzat e Serbisë kundër luftëtarëve të UÇK-së janë të pabaza, të padrejta dhe kanë synime manipuluese politike dhe janë tendencë e hapur për zhytjen e rajonit në destabilitet dhe konflikte”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Ndërkaq partia Nisma për Kosovën konsideron se lirimi i Haradinajt është një fitore ndaj akuzave krejt të pabaza dhe të motivuara politikisht, të cilat çdo herë kanë synuar të destabilizojnë Kosovën, dhe të barazojnë luftën e UÇK-së me krimet e regjimit të Millosheviqit.

Për dallim nga Prishtina, lirimi i Haradinajt, në Beograd është pritur si lajm skandaloz.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se për këtë vendim, Serbia do t’i drejtojë Francës një notë proteste.

“Qeveria e Republikës së Serbisë e konsideron se ky është një vendim i turpshëm, skandaloz, kundër drejtësisë dhe absolutisht jo i drejtë”, ka thënë presidenti serb, Vuçiq.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte.

Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni, po në bazë të një fletë-arresti të Serbisë. Ai ishte mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë dhe më pas ishte liruar.

Haradinaj është gjykuar dy herë në Hagë, nën akuzat për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë.

Ai pati dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës, më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës, për t’u dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Në vitin 2008, ishte shpallur i pafajshëm.

Po ashtu, një proces tjetër ndaj tij ishte iniciuar po në Hagë, por sërish qe shpallur i pafajshëm në vitin 2012, duke u liruar nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për krime lufte. ​(REL)

XS
SM
MD
LG