Ndërlidhjet

Serbi: Mbështetja për Gadafin


Mbështetësit e Gadafit në Tripoli
Mbështetësit e Gadafit në Tripoli

Ndërkohë që bombardimet e NATO-s në Libi vazhdojnë, ultranacionalistët serbë po mbështesin Muamer Gadadin, duke portretizuar Tripolin dhe Beogradin si viktima binjake të agresionit Perëndimor.

Fushata në mbështetje të Gadafit po udhëhiqet nga liderët e partive ultranacionlaiste, por duket se pasqyron edhe pozicionin e paqartë të qeverisë serbe karshi operacionit të miratuar tashmë nga Kombet e Bashkuara.

Qeveria ka thënë se mbështet në tërësi integritetin territorial dhe sovranitetin e Libisë, por njëkohësisht mbështet edhe vendimet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Liderët nacionalistë kanë shkuar përtej paqartësisë zyrtare të Serbisë. Ata kanë bërë thirrje për mbajtjen e një tubimi në 27 mars në Beograd, për të protestuar bombardimin e Libisë.

Dragan Todoroviq është shef i grupit parlamentar të Partisë Radikale Serbisë, udhëheqësi i së cilës Vojisllav Sheshel po gjykohet për krime lufte në Hagë.

"Gadafi e ka absolutisht mbështetjen tonë dhe ne absolutisht mendojmë se mos-ndërhyrja në çështjet e brendshme të një shteti duhet të respektohet dhe se janë qytetarët e atij shteti ata që duhet të zgjedhin qeverinë që u konvenon”, ka thënë Todoroviq.

Faqe të shumta në Facebook, Twitter, MySpace dhe Youtube janë hapur në javët e fundit për të mbështetur Gadafin dhe për të ndërlidhur rrëfimin e tij me heroin e ultranacionalistëve, ish presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviq.


Një nga faqet më aktive në Facebook, “Mbështetje për Muamer Gadafin nga Populli i Serbisë”, ka tërhequr mijëra adhurues dhe qindra mesazhe, të cilët i bëjnë thirre liderit të Libisë që të mos dorëzohet, duke rikujtuar situatën e Serbisë 10 vite më parë.

Në disa nga këto mesazhe thuhet: “Ata duhet ta dijnë se jemi me ta! Kështu ishte edhe për ne, por askush nuk na ofroi mbështetje!”.


Mirënjohja në Tripoli

Fushata ultranacionaliste në mbështetje të Gadafit është pranuar me mirënjohje në Tripoli, duke qenë se televizioni shtetëror ka transmetuar disa nga përmbajtjet në Internet që flasin për mbështetësit e Gadafit.

Një grup opozitar në Libi, që veten e quan Lëvizja Rinore e Libisë, ka këshilluar mediat këtë javë se hakerët serbë kanë bërë përpjekje të dëmtojnë faqet e Internetit që kanë lidhje me forcat anti - Gadafi.

Sipas kësaj Lëvizjeje, janë rreth 50 mijë mbështetës serbë të Gadafit, të cilët janë aktivë në Internet dhe dyshohet se prapa tyre “qëndrojnë organizata të fuqishme nacionaliste dhe parti politike”.

Disa komentatorë politikë në Serbi thonë se lëvizja në mbështetje të Gadafit kanë për synim ndërtimin e mbështetjes në Serbi kundër përpjekjeve për ta sjellë më afër këtë vend drejt Bashkimit Evropian.

Millan Pajeviq nga Fondi Isak thotë se Serbia duhet të peshojë me kujdes interesat e saj.

"Nuk ka ndonjë dallim midis pozitës së kroacisë apo ndonjë vendi tjetër evropian dhe pozitës që Serbia duhet të ketë. Përveç këtij procesi institucional dhe formal për integrimin evropian, Serbia është vend evropian dhe duhet të sillet në një linjë dhe marrëveshje me partnerët e saj”, thotë Pajeviq.


Miqtë e vjetër

Analistët thonë se këto zhvillime të fundit në Serbi, nuk kanë të bëjnë vetëm me fushatën e NATO-s në vitin 1999; ato janë të ndërlidhura edhe me raportet e ngushta zyrtare të ish Jugosllavisë dhe Gadafit.

Këto lidhje të ngushta midis Tripolit dhe Beogradit vazhduan, pavarësisht zhbërjes së Jugosllavisë.

Gadafi në vazhdimësi ka ofruar mbështetje për Millosheviqin në kundërshtimet e tij ndaj Perëndimit, veçanërisht gjatë fushatës ajrore të NATO-s më 1999 dhe Serbia ka mbajtur raporte të ngushta me Libinë, në kuptimin e tregëtimit të armëve dhe bashkëpunimit në biznes.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka vizituar Tripolin disa herë që prej zgjedhjes së tij më 2004 dhe është shpërblyer me çmime disa herë nga Gadafi. Zyrtarë të tjerë serbë gjithashtu kanë vizituar Libinë në vitet e fundit.

Gjithashtu, Serbia e ka gjetur veten disa herë nëpër titujt kryesor të lajmeve kur bëhet fjalë për krizën në libi, duke përfshirë këtu edhe raportimet e mediave se pilotët serbë kishin hedhur bomba mbi protestuesit në qytetin lindor Bengazi. Beogradi ka hedhur poshtë këto njoftime, sikur që ka bërë edhe Gadafi.(a.v.)
XS
SM
MD
LG