Ndërlidhjet

Kundër rishikimit të Marrëveshjes së Kumanovës


Republika e Kosovës

Republika e Kosovës

Dymbëdhjetë vjet pas intervenimit të NATO-së në Kosovë, autoritetet kosovare kërkojnë që të mos rishikohet Marrëveshja e Kumanovës, ndërkohë që zyrtarët serbë ka kohë që po kërkojnë shfuqizimin fare të kësaj marrëveshjeje. Analistët kosovarë thonë se derisa në Serbi vazhdon të ketë ndjenja kundër NATO-s dhe reagime pro-qeverive diktatoriale arabe, afrimi i ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, do të ishte i rrezikshëm.


Dymbëdhjetë vjet pas intervenimit të NATO-s dhe tri vjet pas pavarësisë, Kosova ende nuk i kontrollon kufijtë me Serbinë, ndërsa KFOR-i mbetet garantuesi kryesor i sigurisë në vijat kufitare.

Por, në Kosovë ekziston droja se NATO mund të rishikojë me Serbinë Marrëveshjen e Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë dhe bëri të mundur vendosjen e mbi 50 mijë trupave të KFOR-it.

Kjo, pasi zyrtarët serbë, kanë kohë që po kërkojnë shfuqizimin e marrëveshjes, apo të paktën heqjen e zonës së ndërmjetme prej 5 kilometrash, çka do të sillte ushtrinë serbe në kufi të Kosovës.

KFOR-i konfirmon se njëherë për njëherë nuk ka nevojë që të ndryshohet dokumenti.
Nuk ka nevojë që të amendamentohet, të ndryshohet.

“Nuk ka nevojë që të amendamentohet, të ndryshohet. Ai nuk mund të ndryshohet as nga KFOR-i e as nga Serbia në mënyrë të njëanshme, pa një proces politik vendimmarrës brenda NATO-s dhe Serbisë
”, deklaron për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Hans Uiçter.

Marrëveshja e nënshkruar nga Serbia dhe NATO-ja lë jashtë Kosovën, pavarësisht se ajo tashmë është një shtet i pavarur, e njohur nga 75 vende.

Autoritetet kosovare e dinë se nuk mund të përfshihen, megjithatë kërkojnë që zona e sigurisë të vazhdojë të mbetet e pandryshuar.

Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi thotë se pa u përmirësuar raportet Kosovë-Serbi, Marrëveshja e Kumanovës nuk duhet të rishikohet.

Hajredin Kuçi

“Ne kemi parasysh se ai është raport i NATO-s me Serbinë, por në anën tjetër, kemi parasysh se ka ndikim direkt në sigurinë e Kosovës dhe atë rajonale. Ne mendojmë se zona e sigurisë duhet të vazhdojë të mbetet derisa kemi një qasje të tillë të raporteve të paqarta Kosovë-Serbi”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Kuçi.

Afrimi i Serbisë me NATO-n, sipas analistëve, do të ishte një shenjë e mirë, që do t’i kontribuonte stabilitetit të sigurisë rajonale. Por, i emëruari i Qeverisë për integrimin e veriut, Ylber Hysa, shfaq drojën se brenda Serbisë ka më shumë ndenja anti-perëndimore sesa që mendohet.

“Duket se kjo është iniciuar nga një pjesë e NATO-s, e cila dëshiron që me një pjesë të estabilishmentit të tanishëm qeveritar serb, i cili ka shprehur një qëndrim pro NATO-s që t’i jepet një shans qeverisë serbe, e cila nuk duket që ka përkrahje të madhe publike, të afrohet më shumë ka NATO-ja. Kohët e fundit kanë treguar që kjo dilemë është më se e pranishme në publik dhe në qarqet politike”
.

Vizita e fundit e presidentit rus e ka prekur këtë temë në mënyrën më të drejtpërdrejtë, ndodhitë në Libi ku implikimet e ushtrisë serbe janë më se të pranishme dhe reagimi i publikut në përkrahje të Gadafit atje, tregon qartë se kjo punë nuk është e tejkaluar në opinionin serb”, thotë Hysa.

Edhe pse nuk jep detaje, zëdhënësi i KFOR-it, pranon se një proces politik për këtë çështje është duke u zhvilluar.

“Nuk mund t’i vlerësoj vendimet politike si zëdhënës i KFOR-it. Por, për aq sa shoh, procesi politik vazhdon dhe ka shenja pozitive, por i përket politikës dhe se çka do të dalë nga këto bisedime. Kjo duhet parë. Aktualisht ne ende kemi punë për të bërë”,
shpreht Uiçter.

Serbia nuk e njeh Kosovën, ndërkaq edhe opinioni publik në masë të madhe e sheh Kosovën si pjesë të shtetit serb, gjë kjo që vazhdon të jetë e përcaktuar ende në Kushtetutën e këtij vendi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se zona e sigurisë hiqet, atëherë kur edhe Serbia heq pretendimet ndaj Kosovës.

“Ne mendojmë se zona e sigurisë duhet të mbetet ashtu siç ka qenë më herët dhe besoj se kjo duhet të ndodhë derisa të kemi një raport të qartë si dy shtete mes Kosovës e Serbisë dhe derisa Serbia t’i heqë pretendimet e saj qoftë territoriale apo politike mbi Kosovën”,
thekson Kuçi.

Marrëveshja e Kumanovës është nënshkruar mes NATO-s e Serbisë dhe në këtë aspekt, Kosova nuk është partnere në këtë kontratë, por rishqyrtimi i saj e prek Kosovën.
Në anën tjetër, edhe pse Kosova nuk mund të përfshihet në rishikimin e Marrëveshjes së Kumanovës, meqë nuk ka qenë palë nënshkruese, Ylber Hysa, shpreh mendimin se, të paktën, NATO-ja duhet të përfillë qëndrimin kosovar.

“Marrëveshja e Kumanovës është nënshkruar mes NATO-s e Serbisë dhe në këtë aspekt, Kosova nuk është partnere në këtë kontratë, por rishqyrtimi i saj e prek Kosovën. Askush nuk është kundër që Serbia të afrohet me NATO-n nëse ajo e dëshiron atë. Por, kjo nuk duhet të bëhet në atë mënyrë, që të mos i përfillë edhe interesat e të tjerëve, në këtë rast të Kosovës”.

“Me fjalë tjera, Serbia duhet në mënyrë të qartë ta demonstrojë këtë vullnet. Ju keni parë protesta kundër NATO-s në një pjesë të Kosovës nga faktori politik serb, mendojmë se kjo punë duhet bërë, por ashtu që të jetë e dobishme për të gjithë
”, pohon për Radion Evropa e Lirë, Ylber Hysa.

Pas konflikti në Luginën e Preshevës, qe hequr një pjesë e aneksit të Marrëveshjes së Kumanovës, për sa i përket zonës ajrore të ndërmjetme prej 25 kilometrash. Por, pjesa tjetër e dokumentit ka mbetur e pandryshuar.

Beogradi zyrtar po kërkon heqjen edhe të zonës së ndërmjetme tokësore, duke u arsyetuar me ndryshimet demokratike në Beograd.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG