Ndërlidhjet

logo-print

Kemi brenga serioze se Kosova do të ballafaqohet me falimentim, thotë për Radion Evropa e Lirë Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gjini, nesër pritet vazhdimi i dialogut për çështje teknike mes Kosovës e Serbisë. Ju më herët keni shprehur drojën se bisedimet mund të shkojnë në dëm të Kosovës. Tani, më shumë se dy javë pas fillimit të këtij dialogu, ç’mendim keni?

ARDIAN GJINI
Ne nuk kemi lëvizur nga ky qëndrim. Mendoj se janë dy ose tri arsye fundamentale pse ne themi kështu. E para është se në Kosovë nuk ka konsensus të brendshëm për këtë dialog dhe dialogu do të prodhojë diçka.

Çfarëdo qoftë ajo që do të dalë si produkt i dialogut, mund të jetë kontroverse në Kosovë, për shkak se Kosova në vetvete nuk është e përgatitur për këtë fazë dhe nuk ka bërë as minimumin e përpjekjeve - Qeveria e Kosovës në këtë rast - që ne të jemi të përgatitur si një trup.

Çështja tjetër është se gjatë gjithë kohës po flitet se çfarë do të fitojë Kosova. Ne mendojmë se është me rëndësi që të ketë edhe liberalizim të udhëtimit mes Kosovës e Serbisë, njohje reciproke të tabelave të regjistrimit, marrëveshje për shfrytëzimin e hapësirës ajrore dhe kthim të materialit kadastral e gjithçka tjetër.

Por, askush nuk flet se çka duhet të japë Kosova në këmbim të kësaj që fiton.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse? Druani se mund të kërkohet diçka në këmbim, e që është e dëmshme për Kosovën?

ARDIAN GJINI
Mendoj se po, pavarësisht faktit se shumë pak njerëz në Kosovë, në këtë fazë, hezitojnë të elaborojnë më tutje se për çka është fjala. Ne mendojmë se në këmbim të gjithë asaj që Kosova pritet të marrë, diçka do të kërkohet prej Kosovës. Mendojmë se ky këmbim nuk do të jetë në benefit të Kosovës, por vetëm të Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është roli i opozitës dhe sa mund të përfshihet opozita në këto bisedime, meqë kryengociatorja Edita Tahiri e ka bërë shumë të qartë se nuk do të ketë më ekip uniteti?

ARDIAN GJINI
Pushteti dhe opozita janë pesha politike në Kosovë, nuk janë pesha profesionale. Nëse peshat politike nuk janë të balancuara, atëherë nuk mund të pritet një bashkëpunim profesional në biseda.

Ne nuk mund të marrim pjesë profesionalisht në biseda. Ne mund të marrim pjesë politikisht në ndërtimin e platformës së përbashkët në Kosovë. Do të thotë, nëse nuk kërkohet nga ne që të jemi pjesë e ndërtimit të platformës së përbashkët për bisedime me Serbinë, atëherë nuk ka kuptim çfarëdo pjesëmarrjeje tjetër në bisedime me Serbinë.

Deri më tani, ne nuk kemi parë asnjë minimum të vullnetit të pushtetit në Kosovë, që të bisedojë me opozitën lidhur me çështjet, të cilat do të kenë pasoja afatgjate për Kosovën.

Qeveria ka vendosur që vetë të merret me këto çështje dhe ne si opozitë e garantojmë minimumin. E ai minimum është se pa pajtimin tonë nuk mund të ndërrohet asnjë provizion kushtetues në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Opozita në numër është mjaft e madhe, por sa është unike në qëndrimet e saj? Dihet se një nismë e AAK-së për të çuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e presidentit dështoi...

ARDIAN GJINI
Në Kosovë nuk ka ndarje të pastër ideologjike në dy blloqe dhe nuk mendoj se mund të pritet që të ketë bllok opozitar dhe bllok qeveritar. Bllok qeveritar ka, sepse i lidh interesi për të qenë në pushtet, mirëpo në opozitë ka ide të ndryshme, ka parti që mendojnë ndryshe për temat e ndryshme.

Por, mund t’ju garantoj se ekziston minimumi i pajtueshmërisë mes partive politike në opozitë për disa çështje kyçe dhe aq më tepër mund t’ju them se ka një bashkërendim të natyrshëm të nivelit goxha të lartë të AAK-së dhe LDK-së.

Vetëvendosje është një fuqi respektabile politike tani në skenën politike të Kosovës. I kanë disa ide, me të cilat Aleanca nuk pajtohet, por mund t’ju them se edhe me ta kemi shumë të përbashkëta se si do të mund të ecë shteti përpara.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gjini, në të vërtetë, opozita ka qenë mjaft e zëshme edhe në shqyrtimin e projekt-buxhetit të vitit 2011, ku, pothuaj njëzëri, ka thënë se është kamufluar shitja e PTK-së. Do të miratohet ky buxhet si i tillë?

ARDIAN GJINI
Do ta bëjmë të qartë se në leximin e dytë i kemi disa kushte. Dy kushtet që vlen të përmenden tani janë se neni katër i projektligjit për buxhetin, përmes të cilit provohet që t’i jepet qeverisë e drejta që ta privatizojë PTK-në pa kaluar në procedurë të re, duhet të hiqet, sepse është një provizion ligjor jokushtetues dhe antiligjor.

Çështja tjetër është se ndarja buxhetore në Kosovë është e padrejtë dhe e dëmton solidaritetin mes njerëzve në Kosovë.

Çështja tjetër është se Qeveria e Kosovës duhet të na garantojë neve se në çfarë relacionesh kontraktuale mbetet me Fondin Monetar Ndërkombëtar, jo për hir të FMN-së, por për shkak se ne kemi brenga serioze, se 6 muaj nga sot, kur do të hyjmë në proces të votimit të buxhetit të vitit 2012, Kosova do të ballafaqohet me falimentim.

Po kërkojmë nga Qeveria e Kosovës, me gjithë vullnetin që ta votojmë buxhetin, që të jetë e kujdesshme dhe të na sqarojë se si do ta mbyllë një ‘gap’ të madh financiar për vitin 2012.

Shembull ta marrim – sivjet, 340 milionë euro janë të parapara prej privatizimit të PTK-së dhe dividentës që ia merr PTK-së. Në vitin 2012, nuk do të ketë as PTK e as dividentë. Menjëherë do të kemi një 340-milionësh mungesë prej këtij parashikimi që e kemi sot.

Ka mjete hipotetike që vijnë nga rritja e inkasimit në dogana - 130 milionë - që është një rritje enorme e inkasimit, duke pasur parasysh se çfarë gjendjeje ekonomike kemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka nëse nuk shitet PTK-ja? Si do të përmbushen parashikimet e këtij projekt-buxheti?

ARDIAN GJINI
Ky buxhet rrezikon të ketë një deficit prej 540 milionë eurosh, nëse nuk privatizohet PTK-ja.

Nëse të hyrat, që parashihen prej donacioneve të huaja, nuk vijnë - e që janë shumë me rrezik për shkak të sjelljes së qeverisë - atëherë edhe ky buxhet që eventualisht do ta votojmë, do të jetë tepër problematik për Kosovën, për shkak se Qeveria e Kosovës e bazon projekt-buxhetin në të hyra hipotetike, në të hyrat të cilat nuk i ka dhe rezervën buxhetore e sjell në zero.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët më herët falimentimin... Si evitohet ky falimentim?

ARDIAN GJINI
Jemi në një rrugë tepër të zorshme. Janë rritur pagat, është bërë një premtim jashtëzakonisht i papërgjegjshëm i kryeministrit të Kosovës, disa ditë para zgjedhjeve. Kemi hyrë në marrëdhënie kontraktuale me ‘Bechtel and Enka’, që është një projekt tepër i shtrenjtë për Kosovën dhe tani po ballafaqohemi me një situatë, në të cilën do të falimentojmë.

Çka do të thotë falimentimi për Kosovën? Mendoj se është e nevojshme që të thuhet me gjuhën popullore... Kosova nuk bën politikë monetare, ne nuk mund të shtypim të holla dhe varemi nga vullneti i mirë i Bashkimit Evropian, Gjermanisë, që ta shfrytëzojmë euron.

Nëse nuk mund të shtypim të holla, në momentin që arka jonë e shtetit vjen në zero, rrezikojmë stabilitet fiskal. Rrezikojmë të vijmë në momente, kur nuk do të kemi më të holla as për paga të njerëzve. Ky është ai rreziku konkret që dikush duhet t’ia tregojë Kosovës.

Kjo qeveri po abuzon me krejt çka ka Kosova dhe po sillet në atë mënyrë që t’i shfrytëzojmë krejt çka kemi tash dhe kush vjen në të ardhmen, punë e tyre se çka bëjnë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG