Ndërlidhjet

Bojkoti i zgjedhjeve rrezikon integrimet


Nga takimi i Gruevskit dhe Cërvenkovskit, 15 mars 2011.

Nga takimi i Gruevskit dhe Cërvenkovskit, 15 mars 2011.

“Krijimi i kushteve ligjore për të garantuar zgjedhje të drejta dhe demokratike, e njëkohësisht të pranueshme nga të gjitha palët, padyshim paraqet vlerën më të lartë të demokracisë. Andaj, edhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme, pa pjesëmarrjen e opozitës, rrezikon shumë procese në Maqedoni, duke e çuar vendin në një krizë të thellë politike”.

Kështu vlerëson Naser Ziberi, analist politik, duke komentuar zhvillimet e fundit në Maqedoni.

“Pa marrë parasysh se kush do të ishte fajtor për bojkotin, si i tillë do ta dëmtojë jashtëzakonisht procesin politik në Republikën e Maqedonisë. Në atë rast do të vinte deri te një acarim edhe më i madh ndër raportet politike, madje edhe ata ndëretnike”.

“Padyshim se do të kemi edhe institucione me legjitimitet të cunguar deri në maksimum, të cilat institucione nuk do të kenë kapacitetin e mjaftueshëm për vazhdimin e proceseve reformuese. Sigurisht, bojkoti eventual i opozitës në zgjedhjet e parakohshme do ta dëmtojë procesin euro-integrues, përfshirë këtu dhe zgjidhjen e kontestit të emrit”,
thekson Ziberi.

Analisti maqedonas, Zdravko Savevski, beson se kapërcimi i dallimeve mes opozitës dhe mazhorancës është i mundur, nëse liderët politikë arrijnë të heqin dorë nga interesat e ngushta partiake.

Savevski, duke komentuar qëndrimet e fundit të kryeministrit Nikolla Gruevski në njërën anë, se do të shkojë në zgjedhje edhe pa opozitën, dhe në anën tjetër qëndrimet e liderit të opozitës maqedonase se pushteti nuk ka vullnet për kompromis, thotë:
Palët të mos insistojnë në realizimin e kërkesave që kanë për bazë interesa të ngushta partiake.

“Të dyja palët duhet të bëjnë më shumë përpjekje që të arijnë ujdi, pra të mos insistojnë në realizimin e kërkesave që kanë për bazë interesa të ngushta partiake”.

“Është momenti që të shihet realiteti, ngase bëhet fjalë për të ardhmen e Maqedonisë, për të ardhmen e të gjithë qytetarëve”,
thotë Savevski, duke nënvizuar se “nëse vazhdohet me kapriçot e liderëve politikë, siç ndodh për momentin, Maqedonia do të vetizolohet në problemet e brendshme”.

Në anën tjetër, Naser Ziberi thotë se këto zgjedhje nuk do të sjellin asgjë të favorshme në interes të realizimit të kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë, për shkak të acarimit të thellë të raporteve brenda bllokut politik shqiptar.
Brenda gjithë faktorit politik shqiptar, divergjencat, përplasjet dhe ndarjet janë aq të mëdha, saqë nuk mundësojnë një bashkëpunim, i cili do të ishte padyshim shumë frytdhënës.

“Brenda gjithë faktorit politik shqiptar, divergjencat, përplasjet dhe ndarjet janë aq të mëdha, saqë nuk mundësojnë një bashkëpunim, i cili do të ishte padyshim shumë frytdhënës. Po qe se ai bashkëpunim do të ishte parazgjedhor, do të garantonte shumë më tepër mandate të deputetëve shqiptarë në parlament dhe kjo njëherësh do të diktonte kushte më të mira për negociata për hyrje në qeveri”.

“Kjo do të garantonte për shqiptarët një forcë qeverisëse më të koordinuar me cilëndo qoftë parti maqedonase, e cila do të jetë bartëse e mandatit të ardhëshëm”,
shprehet Ziberi, teksa komenton përpjekjet e autoriteteve të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për unifikimin e bllokut politik shqiptar në Maqedoni.

Partitë politike, edhe pas katër takimeve, nuk arritën marrëveshje për çështjet kyçe, për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Partitë e koalicionit, të udhëhequra nga VMRO-DPMNE, përmes mediave kanë paralajmëruar se zgjedhjet do të mbahen nga fundi i majit apo fillimi i qershorit.

Kreu i Lidhjes Social-Demokrate ka thënë se 26 qershori është data më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por pasi mazhoranca t’i plotësojë kërkesat e opozitës - në të kundërtën, të njëjtat do t`i bojkotojë.

Partitë shqiptare në opozitë, Partia Demokratike Shqiptare dhe Demokracia e Re, janë deklaruar të gatshme për të hyrë në garën zgjedhore, por duke mos saktësuar ndonjë datë të përshtatshme për mbajtjen e tyre.

Demokracia e Re së fundi ka ndërmarrë një nismë për përfshirjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë në tejkalimin e dallimeve rreth procesit zgjedhor, si dhe plotësimin e parakushteve të kërkuara nga opozita.

Për krizën politike dhe situatën alarmante, po përmes një letre i ka njoftuar diplomatët e huaj edhe kreu i PDSH-së.
XS
SM
MD
LG