Ndërlidhjet

Libi: Kryengritësit pretendojnë se e kanë marrë qytetin Sirte


Forcat kryengritëse në Libi, që e kundërshtojnë regjimin e sunduesit Muamer Gadafi, sot kanë pretenduar se e kanë marrë kontrollin ndaj qytetit Sirte, që është vendlindja e Gadfafit.

Por, nuk është i mundshëm verifikimi i menjëhershëm i këtij pretendimi.

Disa agjenci të lajmeve raportojnë se zëdhënësi Shamsidin Adbulmolah, ka thënë se luftëtarët kryengritës nuk kanë hasur në rezistencë të madhe nga forcat lojale ndaj Gadafit, derisa ata kishin lëvizur kah qyteti Sirte.

Por, korrespondenti i agjencisë Reuters, që ishte në një udhëtim të organizuar nga qeveria në Sirte, tha sot se nuk kishte indikacione se qyteti ishte nën kontrollin opozitar dhe se nuk kishte as shenja të luftimit.

Ishte raportuar se caqet në këtë qytet ishin në shënjestër të sulmeve ajrore shumëkombëshe, gjatë natës së kaluar, që janë të mandatuara nga rezoluta e OKB-së për zonë të ndalim – fluturimit dhe mbrojtje të civilëve në Libi.

Nga ana tjetër, duke u shprehur për situatën në Libi, sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gejts, tha se regjimi i Gadafit nuk kishte paraqitur kërcënim të menjëhershëm për Shtetet e Bashkuara dhe as që Libia ishte “interes vital” i sigurisë së SHBA-ve.

Sipas tij, Uashingtoni i është bashkuar intervenimit ndërkombëtar të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, për t’i mbrojtur civilët në Libi dhe për ta parandaluar fluksin e refugjatëve nga Libia, që potencialisht do t’i destabilizonte shtetet fqinje, Egjiptin dhe Tunizinë.

Sonte vonë, presidenti Barak Obama, do ta mbajë një fjalim telviziv për ta shpjeguar mëtutje strategjinë e Shteteve të Bashkiuara në konfliktin në Libi.
XS
SM
MD
LG