Ndërlidhjet

logo-print

Eurostat-i jep dritën jeshile


Prishtinë

Prishtinë

Përfaqësuesit e Eurostat-it, dhanë përfundimisht dritën jeshile që procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave, të fillojë më 1 prill.

Ata thanë se autoritetet kosovare i kanë kryer të gjitha përgatitjet për këtë proces në bazë të standardeve ndërkombëtare. Piter Everares, drejtor i Eurostat -it, tha se Kosova tash është gati për regjistrim.
Jam i bindur që të gjitha përgatitjet janë bërë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe Kosova është gati tash që të bëjë regjistrimin.


“Jam i bindur që të gjitha përgatitjet janë bërë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe Kosova është gati tash që të bëjë regjistrimin. Unë jam duke pritur që ky proces tashmë të fillojë më 1 prill dhe të vazhdojë për dy javë”,
tha Everares.

Nga ana tjetër, edhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thanë se të gjitha institucionet e angazhuara për regjistrimin e popullsisë, janë gati që të nisin regjistrimin e popullsisë.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, deklaroi në një konferencë për media, se Kosova synon të bëjë një regjistrim, i cili do të prodhojë rezultate të sakta, që gëzojnë legjitimitet vendor dhe ndërkombëtar.

“Të gjitha ekipet që janë të angazhuara në procesin e regjistrimit të popullsisë, janë gati. Janë në fazën finale dhe më 1 prill mund të fillohet. Është një proces kompleks dhe në terren do të shkohet që t’i shohim cilat janë ato probleme dhe do të interesohemi për t’i zgjidhur në mënyrë që të bëhet një regjistrim me standarde të pranuara nga faktori ndërkombëtar”
, konfirmoi ministri Jagxhillar.

Ministri Jagxhillar tha se Ministria dhe Enti Statistikor kanë bërë përgatitjet që përfshijnë aspektet ligjore, profesionale, teknike, financiare dhe projektet sensibilizuese.

Ndryshe, një nga shqetësimet, të cilat e kanë përcjellë procesin e përgatitjeve të regjistrimit të popullsisë, ka qenë edhe regjistrimi i komunitetit serb në veri të Kosovës.

Atje, përfaqësues të këtij komuniteti, kanë thënë se ende nuk ka kushte për regjistrim dhe për pjesëmarrjen e serbëve në këtë proces.

Duke pasur parasysh gjendjen në veri të Kosovës, ministri Jagxhillar theksoi se procesi i regjistrimit në veri të vendit mund të zgjasë më shumë se dy javë. Sipas tij, procesi do të nisë me një prill dhe më vonë do të caktohet koha se kur do të përfundojë.
Ne do të tentojmë të fillojmë më 1 prill dhe të bëjmë një afat të caktuar edhe për atë pjesë.


“Ne do të tentojmë të fillojmë më 1 prill dhe të bëjmë një afat të caktuar edhe për atë pjesë. Ka gjasa që afati të zgjasë më shumë se dy javë, por që afati nuk duhet të jetë i pacaktuar”
, theksoi Jagxhillar.

Kurse, sa i takon kësaj çështjeje, drejtori i Eurostat-i, Piter Everares, u shpreh se regjistrimi i popullsisë duhet të bëhet brenda disa afateve kohore.

“Është edhe pjesë praktike e punës që duhet bërë, brenda një periudhe të caktuar kohore. Për mua, nuk është e mundur që të them diçka për afatet kohore të sakta”, shtoi Everares, duke mos dhënë një përgjigje direkte nëse regjistrimi i popullsisë do të pranohet ndërkombëtarisht po qe se në të nuk marrin pjesë edhe serbët në veri të Mitrovicës.

Komisioni për Regjistrimin e Popullsisë ka njoftuar kohë më parë se proces i regjistrimit do të mbahet në intervalin kohor 1-15 prill. Drejtori i Entit Statistikor të Kosovës, Ibrahim Shabani, shprehu shpresën se regjistrimi do të shtrihet në gjithë territorin e vendit.

“Me asistencën e organizatës ndërkombëtare, do të mundohemi që regjistrimi i popullsisë të ketë shtrirje në gjithë Kosovën”,
deklaroi Shabani.

Pas 30 vjetësh, në Kosovë do të bëhet regjistrimi i popullsisë dhe i ekonomive familjare.

Për këtë projekt tashmë janë ndarë 11 milionë euro: 30 për qind e tyre janë siguruar nga buxheti i Kosovës, ndërsa 70 për qind do të mbështeten nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Lexoni edhe këto:

Serbët rrezikojnë regjistrimin
Regjistrimi i popullsisë - pa ndikime politike
(Mos)Pjesëmarrja e serbëve
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG