Ndërlidhjet

Merkel dhe Sarkozi, humbësit e fundjavës


Nikolla Sarkozi dhe Angela Merkel
Nikolla Sarkozi dhe Angela Merkel
Zgjedhjet rajonale të fundjavës në Gjermani dhe Francë, u kanë dhënë goditje të rëndë udhëheqësve në të dy vendet.

Të gjelbrit gjermanë shënuan fitore të papritur ndaj koalicionit të kancelares Angela Merkel, në landin Baden-Vyrtemberg, ku sundimi i kristian-demokratëve mori fund pas 60 vjetësh. Ndërkohë, në Francën fqinje, opozita socialiste triumfoi në votimet lokale.

Të gjelbrit në Gjermani e kremtuan fitoren e paparë në shtetin jugperëndimor Baden Vyrtemberg duke marrë 24.2 për qind të votave. Pritet që tash ata të bëjnë koalicion me socialdemokratët që fituan 23.2 për qind.

Kristian-demokratët e Merkelit dhe Demokratët e Lirë, të cilët vazhdimisht e kanë mbështetur energjinë bërthamore, së bashku fituan 44.3 për qind.

Uinfrid Kreçman, kandidat i të gjelbërve, të cilët njihen për kundërshtimin ndaj energjisë bërthamore, pritet të bëhet udhëheqësi i parë nga kjo parti që vjen në krye të një shteti federal.
Uinfrid Kreçman

“Ishte sfidë e vërtetë. I sfiduam njerëzit, u sfiduam vetë dhe ia dolëm të korrim sukses duke bërë një ndryshim historik në këtë shtet”
, tha Kreçman.

Zgjedhjet shihen si më të rëndësishmet në shtatë shtetet, sepse Baden-Vyerembergu është shtet me ndikim me 11 milionë banorë, dhe në të ndodhen prodhuesit e njohur të automjeteve Porshe dhe Daimler.

Disfata e konservatorëve të Merkelit u pasqyrua edhe në zgjedhjet lokale në Francë, ku votuesit i dhanë një goditje të fortë partisë konservatore të presidentit Nikola Sarkozi.

Unioni i tij mori vetëm rreth 20 për qind të votave, ndërsa Partia Socialiste në opozitë grumbulloi rreth 36 për qind në rrethin e dytë në zgjedhjet kantoniale.

Votimi, gjithashtu, e konsolidoi Frontin Kombëtar, parti e ekstremit të djathtë, e cila fitoi 11.7 për qind, edhe pse nuk nxori kandidatë në të gjitha zonat.

Udhëheqësja e frontit, Marine Le Pen, e cila e mori drejtimin e partisë nga i ati, Zhan-Mari në janar, e përshëndeti votimin si “revolucion”.

“Pranvera 2011 është fillimi i ndryshimeve politike, e revolucionit pacifist, demokratik dhe patriotik. I ftoj të gjithë francezët që duan ndryshime, që duan alternativë të vërtetë kombëtare dhe republikane, të na bashkëngjiten, dhe së bashku të përgatitemi për zgjedhjet presidenciale 2012”
, theksoi Le Pen.

Kjo është e para herë që Fronti Kombëtar fiton në të paktën dy kantone, duke i rritur shqetësimet se Le Pen mund të hyjë në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale vitin e ardhshëm, ashtu siç hyri i ati në vitin 2002.(v.p.)
XS
SM
MD
LG