Ndërlidhjet

NATO-ja merr kontrollin e operacioneve për Libinë



NATO-ja bëri të ditur se ka marrë në dorë kontrollin e operacioneve që synojnë vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit mbi Libi. Ky hap vjen në kohën kur raportohet se rebelët po shtyjnë gjithmonë e më në lindje forcat besnike të Muamer Gadafit.

Gjenerai Çarls Bushard, i cili drejton operacionet, i tha gazetarëve se aeroplanët e Aleancës fluturuan së pari në zonën e ndalim fluturimit të dielën.

Mëngjesin e sotëm kreu i NATO-s, Anders Fog Rasmusen tha se Aleanca ka marrë komandën e plotë të të gjitha operacioneve ushtarake në Libi, operacione që synojnë mbrojtjen e civilëve.

Nga zhvillimet në Libi mësohet se aeroplanët e koalicionit ndërkombëtar kanë sulmuar caqe në qytetin libian të Sirtes, që është vendlindja e Gadafit. Gazetarët perëndimorë në terren thonë se qyteti vazhdon të jetë në duart e mbështetësve të sundimtarit libian.

Katari ka njohur lëvizjen e rebelëve të vendosur në Bengazi, si përfaqësuesja e vetme legjitime e Libisë. Ky është vendi i parë arab që ka ndërmarrë një hap të tillë diplomatik. Nga vendet perëndimore vetëm Franca e ka bërë një gjë të tillë.
XS
SM
MD
LG