Ndërlidhjet

Prishtinë - Beograd, përafrohen qëndrimet

  • Augustin Palokaj

Bruksel

Bruksel

Në Bruksel, të hënën ka përfunduar raundi i dytë i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe pala evropiane, si lehtësuese, tha se është arritur një përparim në këtë dialog.

Edhe Edita Tahiri, shefe e delegacionit të Kosovës, dhe Borko Stefanoviq, shef i delegacionit të Serbisë, konfirmuan se është arritur, sipas tyre, një përafrim rreth temës së regjistrit civil, mirëpo nuk dihet ende nëse ka edhe marrëveshje konkrete apo jo.

Në emër të lehtësuesit të dialogut, Bashkimi Evropian lëshoi një komunikatë në fund të këtij takimi, ku thuhet se në takimin e së hënës u diskutuan çështjet që ishin hapur në takimet e datës 8 dhe 9 mars dhe se edhe takimi i së hënës ishte në një frymë pozitive pune.

Nisur nga takimi i mëparshëm, në këtë takim u diskutua për regjistrin civil dhe të dhënat kadastrale.

Palët vendosën të formojnë grupin punues të udhëhequr nga EULEX-i, i cili do të çojë përpara punën praktike për kompletimin e të dhënave të regjistrit civil, thuhet në deklaratën e BE-së.

Në këtë deklaratë, me një gjuhë shumë teknike, nënvizohet se lidhur me kadastrat, palët do të punojnë më tej për të elaboruar një marrëveshje, e cila ka për qëllim nxjerrjen e shënimeve më të sakta kadastrale dhe në këtë mënyrë, të sigurohen të drejtat e pronës për pronarët.

Në komunikatën e BE-së, të lëshuar në cilësinë e lehtësuesit të dialogut, thuhet se pjesëmarrësit patën edhe shkëmbimin e parë të qëndrimeve për telekomunikim dhe energji, ndërsa vazhduan bisedat edhe për tregtinë rajonale dhe lëvizjen e lirë të mallrave.

Çështja më e përgjithshme e lëvizjes së lirë të njerëzve u ngrit shkurtimisht me idenë që të diskutohet për këtë në takimet e radhës. Takimi i ardhshëm do të zhvillohet në mesin e muajit prill, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Bashkimi Evropian.
XS
SM
MD
LG