Ndërlidhjet

logo-print

Gjykatat në veri - pa ndryshime


Gjykata në Mitrovicë

Gjykata në Mitrovicë

Edhe pse asnjëherë nuk është përmendur zyrtarisht si temë eventuale e diskutimit në dialogun aktual ndërmjet Prishtinës e Beogradit, misioni evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës janë në pritje të marrëveshjes politike ndërmjet palëve për t'i rikthyer gjykatësit vendorë në gjykatat në veri të vendit. Deri atëherë, në të dy mekanizmat thonë se do ta vazhdojnë punën bazuar në mandatet e tyre.


Gjykatësit e prokurorët kosovarë nuk do të jenë pjesë e ekipit, i cili, pas renovimit të objekteve të gjykatave në veri të Kosovës, do të vazhdojë punën në ato institucione.

Në misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit thanë se kthimi në veri i punonjësve vendorë të gjyqësisë, duhet të zgjidhet në rrafshin politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se në mungesë të një marrëveshjeje të tillë, atje aktualisht mund të punojnë vetëm misionarët evropianë, të cilët për disa muaj kishin punuar në kontejnerë të improvizuar të vendosur në pjesën jugore të Mitrovicës.

Zëdhënësi i EULEX-it, Hanns Kristian-Klasing, njoftoi se seanca e parë gjyqësore në objektet e rinovuara, është planifikuar të mbahet të mërkurën.

Gjykata në Mitrovicë

“Seanca e parë është caktuar për këtë të mërkurën, sepse dy nga dhomat e gjyqit janë të gatshme. Gjykata do të funksionojë si më herët - me staf të EULEX-it: prokurorë, gjykatës dhe punonjës vendorë të EULEX-it. Sa i përket kthimit të gjykatësve vendore, sikurse shqiptarë ashtu dhe serbë, kjo është një çështje, për të cilën nevojitet vendimi i komuniteteve përkatëse dhe palëve të përfshira”
, tha Klasing.

Megjithatë, paralajmërimet që në fillim të prillit të rihapen objektet e gjykatave në veri, hasën, ditë më parë, në kundërshtime të ashpra të përfaqësuesve të strukturave paralele serbe në atë pjesë të vendit.

Gjatë një proteste të mbajtur javën e kaluar, kryetari paralel i së ashtuquajturës Gjykatë e lartë për veriun e Mitrovicë, Nikola Kabashiq, u pati bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të heqë dorë nga plani për të rihapur më 18 prill gjykatat në veri.
Në atë ndërtesë mund të punojë vetëm gjykata, e cila punon në bazë të Kushtetutës dhe ligjit të Republikës së Serbisë.

“Ata e kanë ndërmend që më 18 prill, ta instalojnë gjykatën e Republikës së Kosovës në atë ndërtesë. Natyrisht që ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë. Nuk do të ketë kurrfarë gjykate dhe kurrfarë Republike të Kosovës. Në atë ndërtesë mund të punojë vetëm gjykata, e cila punon në bazë të Kushtetutës dhe ligjit të Republikës së Serbisë”
, pati thënë Kabashiq.

Vendimet që merren nga gjykatësit e EULEX-it, sipas përfaqësuesve të këtij misioni, janë bazuar dhe bazohen mbi ligjet e aplikueshme në Kosovë.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, theksoi rëndësinë për veprimin e gjykatave në veri vetëm në kuadër të sistemit unik gjyqësor të vendit.

Edhe pse, kohë më parë, për shkak të, siç thuhet, presioneve politike të strukturave paralele, nga oferta për të punuar me ligjet kosovare në gjykatat në veri kishin hequr dorë tre gjyqtarë serbë, zoti Peci tha se ende vazhdojnë konsultimet me gjyqtarë të tjerë serbë, të cilët do të ishin të gatshëm për t’u kthyer në veri.

“Përpjekjet janë për relaksimin e situatës. Ne jemi në kontakt në vazhdimësi me gjyqtarë të nacionalitetit serb, të cilët dëshirojnë të punojnë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. E di që ka vullnet te disa nga ta, mirëpo presioni i Beogradit është ende në vazhdim e sipër”
, theksoi Enver Peci.

Tre gjyqtarë serbë, në mesin e të cilëve Ruzica Simiq dhe Millena Xheriq, pranuan në verën e këtij viti ofertën e autoriteteve kosovare për të nisur punën në Gjykatën e Qarkut në veri, mirëpo u tërhoqën nga ajo pak kohë më pas.

Lexoni edhe këto:
Shqetësime për sigurinë e gjyqtarëve në veri
Pse shtyhet hapja e gjykatave?
XS
SM
MD
LG