Ndërlidhjet

Obama: Forcat e Gadafit janë ndalur



Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama tha se sundimtari i Libisë Moamer Gadafi është "dobësuar keqazi" nga sulmet ajrore të Perëndimit, dhe se fushata ushtarake e Gadafit kundër kryengritësve libianë është ndalur.

Në një fjalim në Uashington, Obama tha se ai kishte vendosur t'i bashkangjitet koalicionit ndërkombëtar pasi Gadafi u kërcënua të bëjë kasaphanë të kundërshtarëve të tij politikë me qëllim që të ruajë pushtetin.

Duke folur në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare, Obama tha se një kasaphanë e tillë në qytetin e Bengazit do të mbetej njollë "në ndërgjegjen e botës".

Ne e dimin se po të kishim pritur edhe një ditë, Bengazi, qytet me 700 mijë njerëz, mund të përjetonte një masakër që do të jehonte në mbarë rajonin dhe do ta njolloste ndërgjegjen e botës. Nuk ishte në interesin tonë kombëtar që kjo të ndodhë. Unë refuzova që kjo të ndodhë. Kështu, nëntë ditë më parë, pas konsultimeve me udhëheqësit e dy partive në Kongres, unë e autorizova aksionin ushtarak për të ndalur vrasjet dhe për të zbatuar rezolutën 1973 të Këshiollit të Sigurimit të OKB-së”, tha Obama.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me aleatët për t’i bërë trysni Gadafit që të largohet pas më shumë se 40 vjetësh në pushtet.

Por, Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të përdorin forcë të drejtpërdrejtë në përpjekje për ta përmbysur regjimin e Gadafit, duke thënë se nuk është interesi i Amerikës që të përzihet edhe në një luftë tjetër për “ndryshim të regjimit” si në Irak.

Obama shtoi se NATO-ja do ta marrë të mërkurën komandën e të gjithë operacionit luftarak.

Presidenti amerikan megjithate nuk dha vlerësime se kur mund të përfundojë konflikti.
XS
SM
MD
LG