Ndërlidhjet

logo-print

Obama: Ndërhymë që të ndalim masakrën

  • RFE /RL

Barak Obama

Barak Obama

Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama tha se sundimtari i Libisë Moamer Gadafi është "dobësuar keqazi" nga sulmet ajrore të Perëndimit, dhe se fushata ushtarake e Gadafit kundër kryengritësve libianë është ndalur.

Në një fjalim në Uashington, Obama tha se ai kishte vendosur t'i bashkangjitet koalicionit ndërkombëtar pasi Gadafi u kërcënua të bëjë kasaphanë të kundërshtarëve të tij politikë me qëllim që të ruajë pushtetin.

Duke folur në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare, Obama tha se një kasaphanë e tillë në qytetin e Bengazit do të mbetej njollë "në ndërgjegjen e botës".

“Ne e dimin se po të kishim pritur edhe një ditë, Bengazi, qytet me 700 mijë njerëz, mund të përjetonte një masakër që do të jehonte në mbarë rajonin dhe do ta njolloste ndërgjegjen e botës. Nuk ishte në interesin tonë kombëtar që kjo të ndodhë. Unë refuzova që kjo të ndodhë".

"Kështu, nëntë ditë më parë, pas konsultimeve me udhëheqësit e dy partive në Kongres, unë e autorizova aksionin ushtarak për të ndalur vrasjet dhe për të zbatuar rezolutën 1973 të Këshiollit të Sigurimit të OKB-së”,
tha Obama.

Presidenti amerikan e karakterizoi udhëheqësin afrikano-verior si “tiran”, i cili ia ka “mohuar popullit të tij lirinë, ka eksploatuar pasurinë e tyre, ka vrarë kundërshtarët në vend dhe jashtë, dhe ka terrorizuar njerëz të pafajshëm në mbarë botën, përfshirë dhe amerikanë”.

“Sonte”, tha Obama, “mund të raportoj se ne e kemi ndalur përparimin vdekjeprurës të Gadafit”.

Ai theksoi se vendimi i tij mbi Libinë ishte bazuar në atë që është bërë doktrinë e politikës së jashtme të tij, atë që mbështetet në konsenzusin ndërkombëtar dhe aksionet multilaterale për të sjellë ndryshimin e dëshiruar.

Obama e justifikoi këtë qasje me disa kontekste historike.

“Për vetëm një muaj, Shtetet e Bashkuara kanë punuar me partnerët tanë ndërkombëtarë të mobilizojnë koalicionin e gjerë, të sigurojnë mandatin ndërkombëtar për të mbrojtur civilët, për të penguar një armatë që të masakrojë civilët, dhe të imponojë një zonë të ndalim fluturimeve".

"Për të ilustruar shpejtësinë e përgjigjes ushtarake e diplomatike, në Bosnjë në vitet e 1990-ta kur njerëzit shtypeshin brutalisht, komunitetit ndërkombëtar iu desh më shumë se një vit të ndërhyjë nga ajri për t’i mbrojtur civilët”,
tha ai.

Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me aleatët për t’i bërë trysni Gadafit që të largohet pas më shumë se 40 vjetësh në pushtet.

Por, ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të përdorin forcë të drejtpërdrejtë në përpjekje për ta përmbysur regjimin e Gadafit, duke thënë se nuk është interesi i Amerikës që të përzihet edhe në një luftë tjetër për “ndryshim të regjimit” si në Irak.

Obama shtoi se NATO-ja do ta marrë të mërkurën komandën e të gjithë operacionit luftarak.

Presidenti amerikan megjithate nuk dha vlerësime se kur mund të përfundojë konflikti.

Duke folur për revoltat në botën arabe, Obama tha se “gjenerata e re refuzon më që t’i mohohen të drejtat dhe mundësitë”.

“Progresi nuk do të jetë i njëjtë, dhe ndryshimet do të dallohen nga vendi në vend. Ka vende, si Egjipti, ku ndryshimet mund të na frymëzojnë dhe rritin shpresat. Ka edhe vende, si Irani, ku ndryshimet shtypen me ashpërsi".

"Forcat e errëta të konflikteve civile dhe luftërave sektare do të duhet të mënjanohen dhe të adresohen shqetësimet e vështira politike dhe ekonomike. Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje ta diktojnë ritmin dhe përmasën e këtij ndryshimi".

"Këtë mund ta bëjnë vetëm popujt e rajonit. Por mund të bëjmë një dallim. Unë besoj se kjo lëvizje e ndryshimeve nuk mund të kthehet prapa”,
tha presidenti Obama. (v.p.)
XS
SM
MD
LG