Ndërlidhjet

Ivanoviq: Bisedimet mund të zgjasin 10 vjet


Beograd
Beograd
“Këto bisedime do të zgjasin aq sa do të ketë nevojë, që do thotë, mbase deri në 10 vjet e ndoshta edhe më shumë”, thotë Oliver Ivanoviq, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tashmë ka filluar. Si e shihni ju këtë fillim dhe sa mund të jetë premtues ai?

OLIVER IVANOVIQ
Është i vështirë dialogu i nisur nga dy palë, të cilat nuk kanë komunikuar mes vete, me siguri, në 15 vjetët e fundit, e ndoshta edhe më shumë. Prandaj, nuk duhet pasur pritje të shumta. Palët janë ulur, kanë biseduar, kanë krijuar listat e prioriteteve dhe kanë përcaktuar parimet.

Tash, ato do të zhvillohen për herë të dytë dhe unë shpresoj se do t’i zgjidhin disa prej çështjeve. Është me shumë rëndësi, sepse këto bisedime do të zgjasin aq sa do të ketë nevojë, që do thotë mbase deri 10 vjet e ndoshta edhe më shumë.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe pse është thënë se formati i bisedimeve në këtë dialog do të jetë teknik, megjithatë vërehen qasje krejtësisht të kundërta politike të palëve në dialog. A mendoni se çështjet teknike rrezikojnë të shndërrohen krejtësisht në politike?

OLIVER IVANOVIQ
Ky edhe është rreziku. Por, njëkohësisht, është rrezik më i madh, për shkak se njerëzit vazhdimisht insistojnë se nuk ka tema politike edhe se të gjitha janë çështje të ngushta teknike.

Nëse duam të jemi të sinqertë, nuk ka tema të pastra teknike. Të gjitha ato prekin në domenin politik. Prandaj, për këtë duhet të jenë të përgatitura të dyja palët. Ajo që vërej në këtë çast është se pala serbe është goxha e përgatitur për diçka të tillë, përderisa te pala shqiptare ekziston një rezervë e fuqishme dhe rezistencë.

Ata kanë përshtypjen se në këto bisedime do të humbin diçka, gjë që është perceptim plotësisht i gabuar. Gjendja e pazgjidhur në Kosovë nuk mund të zgjidhet në qoftë se nuk krijohet stabiliteti politik. Ndërkaq, çelësi për stabilitetin politik është marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe shqiptarëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse ato çështje teknike shndërrohen në politike, a ka rrezik që ky dialog të ndërpritet?

OLIVER IVANOVIQ
Rezistimi ndaj bisedimeve, në përgjithësi, dhe ndaj Beogradit, është i madh, për shkak se shqiptarët kanë një perceptim krejtësisht të gabuar se nga kjo mund të humbin diçka. Ata nuk mund të humbin atë që nuk e kanë. Ata nuk e kanë statusin. Kjo që kanë është vetëm zgjidhje e përkohshme dhe kalimtare.

Përmes negociatave mund të arrihet deri te statusi, i cili do të jetë i pranueshëm për të dyja anët. Përderisa statusi është i pranueshëm vetëm për njërën anë, e kjo është ajo që kemi sot, nuk do të japë stabilitet politik dhe në shtigje të gjata do t’i destabilizojë jo vetëm shqiptarët e Kosovës, por të gjithë Serbinë dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, kur Ballkani perëndimor është jostabil, atëherë edhe Evropa është jostabile.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë status të Kosovës, të cilin ju e quani të përkohshëm, megjithatë e kanë njohur 75 vende...

OLIVER IVANOVIQ

Kjo është krejtësisht e saktë dhe nuk mund të nënçmohet. Është numër serioz i vendeve. Por, edhe ato vende, të cilat e kanë njohur, e sidomos ato që nuk e kanë njohur, do të pranojnë çfarëdo marrëveshje ndërmjet autoriteteve të Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës.

Shqiptarët e Kosovës i kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitimë në zgjedhjet paraprake, me mjaft probleme dhe vërejtje, por është fakt se e kanë përfunduar procesin zgjedhor. Mendoj se kanë legjitimitet që të bisedojnë për të gjitha temat dhe nuk do të duhej të hamendeshin për këtë. Për këtë arsye edhe i ka zgjedhur populli - për arsye se janë të aftë dhe mbase kanë vizion, e jo pse janë të bukur.

Prandaj, unë mendoj se guximi është pjesë përbërëse e jetës politike dhe e procesit të vendimmarrjes. Duhet që të nisen hapur në drejtim të zgjidhjes së të gjitha problemeve, pa kufizime të shumta. Kufizimi nuk do t’u ndihmojë që t’i zgjidhin problemet e brendshme të grumbulluara.

Së pari vjen stabiliteti politik, pastaj vjen sundimi i ligjit dhe rendit dhe krejt në fund, investimet eventuale, sepse nën këto kushte, askush nuk do të vijë në Kosovë që të investojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Tashmë është e ditur që Prishtina ka probleme me integrimin e veriut të Kosovës. Serbët e veriut nuk po e respektojnë sovranitetin e Kosovës, ndërkaq, në jug situata është ndryshe, kur kihet parasysh fakti se ata tashmë janë pjesëmarrës aktivë në institucionet e Kosovës. Si e shihni ju këtë dallim?

OLIVER IVANOVIQ
Mendoj se është perceptim i gabuar. Askush nga serbët nuk e respekton pavarësinë e Kosovës. Askush nuk i respekton institucionet, të cilat janë themeluar me pavarësinë e Kosovës. Kjo absolutisht është e sigurt.

Ata po durojnë. Në jug të lumit Ibër janë duke e duruar pavarësinë e Kosovës, sepse nuk kanë shtegdalje tjetër. Ndërkaq, në veri, nuk kanë pse ta bëjnë këtë. Prandaj, ky është dallimi themelor ndërmjet serbëve në veri dhe atyre në jug. Përndryshe, konceptualisht dhe esencialisht nuk ka dallime.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju edhe më parë keni theksuar se realiteti në terren ekziston dhe ai duhet respektuar. Nëse thuhet që Kosova nuk po mundet ta ushtroj sovranitetin në veri, pse Serbia duhet të bisedojë me Kosovën për përmirësimin e jetës së qytetarëve?

OLIVER IVANOVIQ

Serbia duhet të bisedojë me përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës për shkak se ka mjaft serbë që jetojnë në anën jugore të lumit Ibër. Objektivisht, jeta e tyre nuk është aspak e mirë. Ata kanë probleme serioze në jetën e përditshme, që nga liria e lëvizjes, e cila u është kufizuar, pastaj problemet me pronën, që shpeshherë nuk arrijnë që ta kthejnë nën pronësi të tyre, jo perspektiva ekonomike e të tjera.

Të gjitha këto janë elemente, për të cilat duhet biseduar dhe që kërkojnë bisedime apo negociata se çfarë kushtesh duhet të arrihen. Unë mendoj se është pjekur çasti dhe se njerëzit e kuptojnë nevojën. Por, më duket se për shkak të oportunizmit politik, njerëzit nga Prishtina shpesh herë nuk janë të gatshëm që të bëjnë një hap para.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se në terren ekzistojnë dy realitete?

OLIVER IVANOVIQ
Ka shumë realitete në terren. Serbët nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, pavarësisht se ku jetojnë. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë. Disa duhet ta durojnë këtë, sepse nuk kanë nga t’ia mbajnë. Janë në rrethim.

Por, nëse i pyesni sinqerisht, ata nuk e pranojnë atë, njëjtë siç jam i bindur se shqiptarët nuk e pranojnë sovranitetin serb. Objektivisht, këto janë dy të kundërta, të cilat duhen të takohen në tavolinën e bisedimeve dhe aty duhet gjetur zgjidhjen.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, për dy realitete ka folur edhe kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, i cili ka thënë se shqiptarët kurrë nuk do ta pranojnë sovranitetin e Serbisë, por as serbët e veriut sovranitetin e Prishtinës. A po përpiqet Serbia ta imponojë idenë e ndarjes së veriut të Kosovës?

OLIVER IVANOVIQ
Unë, zyrtarisht, mund ta them se ndarja nuk ka qenë dhe nuk është ide e askujt në Serbi, e sidomos e autoriteteve serbe. Por, me siguri që ideja e ndarjes nuk është eliminuar asnjëherë krejtësisht, sidomos jo në nivelin lokal, ku njerëzit shikojnë nga perspektiva e ulët.

Ata që ndihen të rrezikuar, disa njerëz, e shohin zgjidhjen në ndarje. Zyrtari shtetëror dallohet nga njeriu i thjeshtë, sidomos për shkak se mund t’i shohë pasojat e çdo ideje të tillë.

Më duket se edhe në qarqe ndërkombëtare, ndarja si zgjidhje nuk është përjashtuar që nga fillimi. Shumë prej tyre i janë qasur ndarjes si zgjidhje shumë e lehtë dhe kanë ofruar diçka të tillë. Unë, personalisht, po them se qëndrimi im është absolutisht kundër kësaj ideje. Ne ashtu nuk mund ta zgjidhim çështjen.

Zgjidhjen për statusin duhet ta kërkojmë në bisedimet, duke i njohur si të rëndësishme qëndrimet e të dyja palëve, sepse edhe shqiptarët e Kosovës janë palë legjitime në këto bisedime.

Kërkesat e tyre, gjithashtu, janë legjitime dhe ato duhet marrë në konsideratë me rastin e marrjes së vendimit për bisedimet. A mund të arrihet kjo me këto bisedime, këtë nuk e di, por në parim nuk duhet përjashtuar mundësia që në ndonjë konferencë ndërkombëtare të zgjidhet edhe një herë dhe përfundimisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, nëse kjo ndodh, a do të nënkuptonte një gjë e tillë, siç thuhet, hapjen e Kutisë së Pandorës?

OLIVER IVANOVIQ
Kutia e Pandorës asnjë herë nuk është mbyllur, sepse shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga 75 vende, e kanë hapur Kutinë e Pandorës. Për këtë nuk ka dilemë. Kjo Kuti e Pandorës, si e tillë, nuk mund të rrijë e hapur. Unë do të thosha ndryshe: Kutia e Pandorës duhet të mbyllet më.
XS
SM
MD
LG