Ndërlidhjet

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konstatohen procedura jokushtetuese ato që sollën deri te zgjedhja e presidentit të Kosovës, sipas deputetëve, i ka lënë dy mundësi Behxhet Pacollit; të japë dorëheqje, ose do të shkarkohet nga Kuvendi. Ndërkaq, nuk janë ende të qarta procedurat që do të ndiqen tutje për tejkalimin e krizës eventuale institucionale, në të cilën mund të përfshihet sërish Kosova.


Deputetët e Kuvendit të Kosovës presin që presidenti Behxhet Pacolli të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pas konstatimit se Pacolli është zgjedhur në kundërshtim me procedurat kushtetuese në këtë post.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike, Xhavit Haliti, preferoi që Behxhet Pacollit ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me çka nënkuptohet edhe dorëheqja nga posti i presidentit.

Në të kundërtën, Haliti tha se Kuvendi është i obliguar të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ta shkarkojë Pacollin.
Unë nuk di se cili është qëndrimi i presidentit, a do të japë dorëheqje apo do t’ia lë Parlamentit të Kosovës që të merret me këtë
çështje.


“Unë nuk di se cili është qëndrimi i presidentit, a do të japë dorëheqje apo do t’ia lë Parlamentit të Kosovës që të merret me këtë çështje. Unë nuk mund ta detyroj askënd që ta paraqesë dorëheqjen, por në bazë të Kushtetutës, nëse ai nuk e paraqet dorëheqjen, atëherë Kuvendi duhet të ndërmarrë hapa konkretë”
, tha Haliti.

Që nga shpallja e vendimit të Gjykatës në lidhje me procedurat e zgjedhjes, Zyra e Presidentit, si edhe Qeveria e Kosovës, nuk kanë pranuar të komunikojnë me mediat.

Të vetmin njoftim që Presidenca lëshoi të martën për mediat dhe opinionin, ishte ai për anulimin e agjendës së paraparë për këtë ditë.

Një zyrtar nga Presidenca deklaroi se presidenti do të marrë vendimin e tij pas shpalljes së aktgjykimit të plotë nga Gjykata.

Ndërkohë, për opozitën vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka qenë befasues. Nënkryetari i Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se kjo lëvizje ka tërhequr vërejtjen qysh moti se i gjithë procesi është i komprometuar - që nga manipulimi gjatë zgjedhjeve, e deri te mënyra se si koalicioni vendosi ta zgjedhë Pacollin në postin e presidentit.

Konjufca thekson se pavarësisht zgjidhjeve që do të ofrohen nga partitë në pushtet, Vetëvendosje do të vazhdojë ta mbajë qëndrimin që e ka pasur edhe më herët.

“Meqenëse kemi pasur të bëjmë me një proces krejtësisht të korruptuar, atëherë nuk ka pasur se si të dalin institucione me legjitimitet të plotë nga ky proces kaq i degraduar politik. Krejt këto probleme juridike që dalin më pastaj, unë i shoh si probleme me zanafillë politike”, theksoi Konjufca.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës reagoi dhe e përshëndeti vendimin e Gjykatës duke e cilësuar atë në mbrojtje të Kushtetutës.

“Aleanca për Ardhmrinë e Kosovës konsideron se përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar drejt shkeljes së aktit më të lartë juridik të vendit, është zoti Hashim Thaçi, i cili përmes presioneve dhe insinuatave ndaj deputetëve, krijoi klimë degraduese mbi Kuvendin dhe institucionet tjera të vendit”
, thuhet në qëndrimet e AAK-së.

Veprime të tilla, sipas AAK-së, po e dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës, ngase ato janë pasojë e zbatimit të politikave për interesa të ngushta dhe personale të kryeministrit Thaçit.

Shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, vlerësoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka treguar se Kosova nuk ka pasur president dhe çdo vendim që është marrë gjatë kohës sa Pacolli ishte president, duhet të shfuqizohet. Ai foli edhe për procedurat që institucionet mund t’i ndjekin tutje.
Dhe, pas 6 muajsh, nëse nuk gjejmë zgjidhje dhe nuk e zgjedhim presidentin, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje të reja.

“Opsioni i Kuvendit është që të sillet një kandidat i ri apo i njëjti për zgjedhjen e tij, këto janë opsione kushtetuese. Opsioni i dytë është që të provohet të gjenden modalitete dhe zgjedhje tjera, qoftë për ndryshimin e formulave, apo për çka do qoftë tjetër dhe, në këtë rast, kemi afat 6 muaj”.

“Do të thotë, edhe 6 muaj do të kemi ushtrues të detyrës së presidentit që do të jetë prapë zoti Krasniqi. Dhe, pas 6 muajsh, nëse nuk gjejmë zgjidhje dhe nuk e zgjedhim presidentin, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje të reja”, u shpreh Gjini.

Ndryshe, vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të implikojë edhe kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, si udhëheqës i seancës së 22 shkurtit, kur Pacolli u zgjodh president në bazë të procedurave tashmë të cilësuara si antikushtetuese.

Por, aktualisht as Krasniqi nuk ka mund t’i komentojë këto zhvillime, pasi që ndodhet në një vizitë zyrtare në Hungari.

Të mërkurën pritet që Gjykata Kushtetuese të publikojë aktgjykimin në tërësi dhe atëherë institucionet do ta kenë më lehtë të parashikojnë veprimet e mëtutjeshme, nëse Pacolli do të rikthehet në rivotim për president apo jo.

Ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ngriten ankesa - vendimet janë të obligueshme për të gjitha institucionet që t’i respektojnë.

Lexoni edhe këto:
Kushtetuesja rrëzon Pacollin
Thellim i krizës


  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG