Ndërlidhjet

Protestë në mbrojtje të UÇK-së


Protesta gjithëpopullore e OVL të UÇK-së, Prishtinë 29 mars 2011.

Protesta gjithëpopullore e OVL të UÇK-së, Prishtinë 29 mars 2011.

Brenda një jave, shoqatat e dala nga lufta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë organizuar dy protesta gjithëpopullore, kundër arrestimeve të fundit të ish-ushtarëve të UÇK-së nga ana e EULEX-it. Protestuesit kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të ish-ushtarëve të UÇK-së, të cilët janë arrestuar për, siç thuhet, krime të luftës.


Shoqatat e dala nga lufta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbështetje edhe të studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe organizatave të tjera joqeveritare, kanë mbajtur sërish në Prishtinë një protestë gjithëpopullore kundër arrestimeve të fundit të ish-ushtarëve të UÇK-së nga ana e EULEX-it.

Rreth katër mijë protestues kanë marshuar nga Fakulteti Filologjik në drejtim të Teatrit Kombëtar, duke brohoritur parulla si: “UÇK”, “UÇK”, “Lufta e UÇK-së ka qenë e pastër”, “EULEX-i si UNMIK-u”, etj.

Protestuesit kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të ish-ushtarëve të UÇK-së, të cilët janë arrestuar nga EULEX-i.
Pamje nga protesta e 29 marsit në Prishtinë...


Turmës së protestuesve u janë drejtuar organizatorët e protestave, duke thënë se të gjithë ish-ushtarët e UÇK-së, janë kundër arrestimeve, të cilat po i bën EULEX-i.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemaili, ka thënë se misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, po mundohet që ta njollosë luftën e pastër të UÇK-së.

“Tre vjet pas pavarësisë së Kosovës dhe pas ardhjes së EULEX-it, ndjekja ndaj luftëtarëve veçse është egërsuar. Arrestime në Rahovec, Drenicë, Gjakovë, Prizren dhe anekënd Kosovës, argumentojnë ashpërsinë e këtij misioni kur bëhet fjalë për luftëtarët e UÇK-së”
, ka deklaruar Xhemaili.

Misioni evropian për sundimin e ligjit ka ngritur një kallëzim penal kundër 12 personave, ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë këtu edhe Fatmir Limajn, ligjvënës në Kuvendin e Kosovës, nën dyshimet për krime lufte.
Organizatorët e protestave kanë kërkuar nga Kuvendit i Kosovës dhe të gjitha partitë politike, që të jenë të bashkuar dhe t’i kundërshojnë arrestimet, të cilat është duke i bërë EULEX-i.

Fadil Shurdhaj ka përmendur disa kërkesa, që, sipas tij, janë të domosdoshme dhe që duhet të realizohen sa më parë.
Protesta e OVL të UÇK-së kundër arrestimeve të ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga EULEX-i

“Kërkojmë heqjen e kompetencave ekzekutive të EULEX-it, nga institucionet, të cilat e kanë ftuar atë në Kosovë. Lirimin e të gjithë ushtarëve të UÇK-së, të cilët akuzohen për kinse krime lufte. Kërkojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të miratojë Ligjin e vlerave të luftës, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe luftëtarët e saj do të mbrohen me ligj”, ka thënë Shurdhaj.

Po ashtu, Shurdhaj ka theksuar se kërkesat e tyre janë legjitime, madje, sipas tij, janë edhe burim i kombit shqiptar, i cili përkrahet dhe mbrohet me vlerat e veta.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë deklaruar se gjatë kohës sa është protestuar, nuk është shënuar asnjë incident.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës ka thënë se protesta ishte e qetë.

“Protesta ka kaluar komplet e qetë dhe pa ndonjë incident. Pjesëmarrës kanë qenë rreth 4,000 vetë, ndërsa përfundimi i protestës është bërë rreth orës 13”
, ka bërë të ditur Kelani.

Ndërkaq, në shenjë solidariteti me protestën gjithëpopullore të së martës, disa nga të burgosurit në burgjet e Kosovës, kanë filluar një grevë urie.

Resmi Hoxha, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shumica e të burgosurve në burgjet e Kosovës, janë solidarizuar me protestën e organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

“Pas mëngjesit, në drekë - e dreka është një barometër për matjen e asaj se a refuzohet a pranohet ushqimi - është konstatuar se në drekë nga numri i përgjithshëm i të burgosurve, 1490 sa kanë qenë sot prezent në të gjitha institucionet korrektuese, 405 kanë refuzuar ta marrin ushqimin duke thënë se do të solidarizohen me ata, të cilët protestojnë si qytetarë dhe janë kundër veprimeve të EULEX-it për arrestimin e qytetarëve të Kosovës”,
ka njoftuar komisari Hoxha.

Ndërkaq, shoqatat e dala nga lufta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë deklaruar se nuk do të ndalen duke protestuar në mënyra të ndryshme, derisa të realizohen kërkesat e tyre.

Lexoni edhe këto:

Limaj i gatshëm ta dorëzojë imunitetin
Bazat ligjore për heqjen e imunitetit
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG