Ndërlidhjet

SHBA: Mbrojtja e të drejtave të myslimanëve

  • RFE /RL

Uashington

Uashington

Komiteti për drejtësi i Senatit të Shteteve të Bashkuara ka mbajtur një seancë dëgjimore, në të cilën senatorët dhe dëshmitarët kanë kërkuar që të mbrohen të drejtat civile të myslimanëve amerikanë, në prizmin e rritjes së fanatizmit.

Para afro tri javësh, tensionet ishin shumë të larta gjatë një dëshmie në Dhomën Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, që ishte thirrur nga kongresisti republikan, Piter King, lidhur me përmasat e radikalizimit mysliman në Amerikë.

Kundër këtij dëgjimi janë mbajtur protesta, ndërsa grupet për të drejtat e njeriut e kanë akuzuar Kingun për mek-kartizëm. Kamerat kishin regjistruar pamje që e tregonin një kongresist mysliman duke qarë.

Dëgjimi në Senat, ku shumicën e kanë demokratët, ka qenë më pak në fokus të opinionit, por shumë vëzhgues thonë se ishte përgjigjje direkte ndaj dëgjimit të mëparshëm në Dhomën Përfaqësuese.

Dëgjimi në Senat ishte ftuar nga demokrati Riçard Darbin nga Ilinoisi, kryesues i nënkomitetit për Kushtetutë, të drejta civile dhe të drejta të njeriut në Komitetin për drejtësi të Senatit.

“Ne të gjithë duhet të pajtohemi se është gabim të fajësohet një komunitet i tërë për keqbërje të disave. Faji me asociacion nuk është mënyrë amerikane dhe myslimanët amerikanë kanë të drejtë në mbrojtje të njëjtë kushtetuese sikur çdo amerikan tjetër”, tha Riçard Darbin.

Duke cituar statistikat e Departamentit të Drejtësisë, zoti Darbin theksoi se myslimanët përbëjnë më pak se 1% të popullatës së Shteteve të Bashkuara, por në 14% të rasteve janë në shënjestër të diskriminimit kundër institucioneve religjioze, që po hetohen nga ana e qeverisë.

Arkiv
Ai tha se krimet e urrejtjes, diskriminimit në punë, keqtrajtimit në shkolla, kufizimet në ndërtimin e xhamive dhe kërcënimet për ndezjen e Kuranit, janë vetëm disa nga format e “fenomentit gjithëkombëtar” të fanatizmit antimysliman, që po ndodhin aktualisht.

Kjo u konfirmua edhe nga ndihmësi i prokurorit të përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara për të drejta civile, Tomas Perez, i cili dëshmoi në këtë dëgjim.

“Për fat të keq, megjithëse ka kaluar një dekadë nga 11 Shtatori, ne vazhdojmë të shohim rrjedhje të qëndrueshme të dhunës dhe diskriminimit, që për cak i kanë myslimanët, arabët, sikët dhe komunitetet e Azisë Jugore. Në secilën komunë dhe qytet, ku jam takuar me liderët, kam qenë i prekur nga ndjenja e frikës që e përshkruan jetën e tyre, frika nga dhuna, fanatizmi dhe urrejtja”, tha Perez.

Ai theksoi se Departamenti i Drejtësisë do të vazhdojë të përdorë “çdo mjet të mundshëm në arsenalin e ligjeve tona”, për t’i dënuar krimet kundër myslimanëve.

Derisa dëgjimi në Senat zyrtarisht nuk ishte prezentuar si kundërshtim ndaj dëgjimit të mëhershëm të zotit King për radikalizimin mysliman, ai i pari u fokusua në mbrojtjen e të drejtave civile të myslimanëve amerikanë, në kohën kur edhe zërat zyrtarë po u bashkëngjiten ndjenjave anti-myslimane.

Kongresmeni Darbin tha se “disa madje kanë shtruar pyetjen e premisës së këtij dëgjimi, se ne duhet t’i mbrojmë të drejtat civile të myslimanëve amerikanë”.

Sipas tij, “fjalimi i tillë, që nxit ndjenjë zemërimi nga figurat e larta publike, krijon klimë të frytshme për diskriminim”.

Në një intervistë për të përditshmen Uashington Post, para dëgjimit në Senat, kongresisti Piter King ka vënë pikëpyetje çështjen nëse krimet e urrejtjes kundër myslimanëve, janë në rritje.

Ai tha se beson që dëgjimet si ky në Senat, të mbajtura nga senatori Darbin, “mund ta vazhdojnë mitin e tij të viktimizimit në mesin e komunitetit mysliman”.

Në dëgjim mori pjesë edhe republikani Lindzi Graham, nga Karolina Veriore, i cili tha se mbrojtja e të drejave civile të myslimanëve amerikanë, është domosdoshmëri dhe i tillë është edhe pranimi se radikalizimi i komunitetit është problem në rritje.

“Për komunitetin e myslimanëve amerikanë: unë do të qëndroj me ju derisa ju e mbani fenë e juaj dhe jeni një pjesë integrale e këtij vendi. Por, ju duhet ta ndihmoni vendin e juaj, me gjasë në një mënyrë unike krahasuar me çdokend tjetër, për të kuptuar se çka po ndodh dhe për të luftuar. Linjat e para të kësaj lufte janë afër nesh dhe në fqinjësinë tonë”, tha Lindzi Graham. (f.b.)
XS
SM
MD
LG