Ndërlidhjet

logo-print

Kushtetuesja shpall aktvendimin e plotë


Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëri publik aktvendimin e plotë mbi zgjedhjen e Bexhet Pacollit si president. Në aktvendim thuhet se zgjedhja e tij si president pa asnjë kundërkandidat ka paraqitur shkelje të nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës.

Po ashtu edhe mungesa e kuorumit është vlerësuar si antikushtetuese.

“Gjykata vëren se Korniza Kushtetuese qëndron e heshtur lidhur me numrin e kandidatëve per zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Megjithatë, ndryshe nga Korniza Kushtetuese, neni 86 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përmend në mënyrë të qartë (jo-ambiguoze) se duhet të ketë më shumë se një kandidat në raundin e pare dhe të dytë, si dhe në raundin e tretë".

"Eshtë e qartë se hartuesit e Kushtetutës kanë zgjedhur formulimin e fjalëve të nenit 86 të Kushtetutës me qëllim që të devijojnë nga sistemi i paraparë në Kornizën Kushtetuese, duke përqafuar kështu një sistem më demokratik ku më shume se një kandidat nevojitet para se të vihet në lëvizje procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës", thuhet në argumentet e Kushtetutës.

"Procedura e zgjedhjes është krijuar me qëllim që të sigurojë, që më shumë se një kandidat i nominuar per t'u zgjedhur si President, ai, qe mori shumicën e votave do të zgjidhej si përfaqesues i popullit të Kosoves. Nëse qëllimi i hartuesve të Kushtetutës do të kishte qenë që të paraqisnin një procedurë alternative për zgjedhje, vetem me një kandidat te nominuar, Kushtetuta, shprehimisht do e kishte parashikuar një procedurë të tillë”, thuhet ndër të tjera në aktvendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese të bërë publik para disa çastesh.

“Në këto rrethana, Gjykata konkludon se procedura per zgjedhjen e z. Behgjet Pacolli si President i Republikes se Kosoves, mbajtur ne seancën e jashtezakonshme te Kuvendit, me 22 shkurt 2011, përbën shkelje te nenit 86 të Kushtetutës dhe prandaj, eshte kunderkushtetuese”, thuhet në aktvendim.

Gjykata ka vlerësuar si antikushtetuese edhe faktin se në seancën e 22 marsit, nuk kishte kuorum prej dy të tretave të deputetëve të Kuvendit, në kohën kur u mbajt raundi i parë dhe i dytë i zgjedhjes së presidentit.

“Si përfundim, Gjykata Kushtetuese në seancën e mbajtur më 28 mars 2011, shpall, njëzëri, se Kërkesa është e pranueshme dhe me shtatë vota për dhe dy kundër shpall se vendimi i Kuvendit të Republikës se Kosoves, Nr. 04-V-04, lidhur me zgjedhjen e Presidentit te Republikes se Kosoves, me 22 shkurt 2011, është jo-kushtetues dhe nuk do të jetë në fuqi nga data e publikimit te tij në përputhshmëri me nenin 116.3 te Kushtetutës -meqenëse është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike te mishëruara aty.

Ky Aktgjykim do të ketë efekt te menjehershëm.


XS
SM
MD
LG