Ndërlidhjet

Pacolli rikandidon për president


Behgjet Pacolli është pajtuar dhe ka pranuar në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese me të cilin konsiderohet se ai nuk është zgjedhur president i Kosovës sipas procedurave kushtetuese.

Njëherësh, Pacolli është rikandiduar për postin e presidentit, ka bërë të ditur këshilltari i tij, Ibrahim Gashi.

Sapo ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Pacolli përmes këshilltarit Gashi, është zotuar se e respekton dhe pranon aktgjykimin dhe njëherësh është përmbajtur nga çdo koment rreth këtij vendimi.

“Konsiderojmë që Kuvendi i Kosovës është i vetmi organ kompetent për të ndërmarrë sa më parë hapat e ardhshëm”, tha Gashi.

“Duke konsideruar se do të ketë përsëritje të procedurës së zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës, ju njoftojmë se z.Behgjet Pacolli do të jetë kandidat nga radhët e koalicionit, meqenëse sipas vendimit që pranuam sot nga Gjykata Kushtetuese, z.Pacolli nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese”, theksoi Ibrahim Gashi.

Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar sot se zgjedhja e presidentit pritet të procedohet në Kuvend qysh javën tjetër.
XS
SM
MD
LG