Ndërlidhjet

Rreth 50 për qind e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë e kanë burimin nga kualiteti i dobët i ujit, thonë zyrtarë institucionalë. Sipas tyre, 30 për qind e qytetarëve nuk janë të lidhur në ujësjellësin publik, pra në ujin i cili është i kontrolluar në mënyrë ligjore.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP), thotë se deri tani nuk ka pasur ndonjë shpërthim epidemik.

“Në programin e Institutit Kombëtar gjithmonë ekziston përfshirja e të gjitha resurseve të ujërave që përdoren si ujë i pijes. Por, kur kihet parasysh uji i puseve, që u përket komunave, faktikisht pushtetit lokal, nuk mund të bëhet gjithë mbulimi prej Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”, thotë Ramadani.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se çështja e kualitetit të ujit të pijes ka zënë vend edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2010, ku gjendja vlerësohet të mos jetë e kënaqshme, përkundër angazhimeve që janë bërë në këtë drejtim.

“Fakti se 30 për qind e qytetarëve të vendit nuk janë të lidhur në ujësjellësin publik, paraqet një indikator, i cili gjithmonë duhet marrë me seriozitet dhe me një kujdes të shtuar. Për momentin, sipas disa vlerësimeve të bëra edhe nga Instituti Kombëtar, diku rreth 50 për qind e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë e kanë burimin në kualitetin e dobët të ujit të pijes”, thotë Agani.

Problemi i ujërave të zeza, që paraqesin një indikator për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, nuk mund të mënjanohet me asnjë buxhet vjetor të Qeverisë së Kosovës, thotë ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi.

Sipas tij, shpenzimet për trajtimin e ujërave të zeza në territorin e Kosovës kapin shumën prej 400-700 milionë eurosh.

“Kjo do të duhej të mbulohej me fonde të veçanta dhe në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare dhe donatorë të ndryshëm. Atë që mund ta bëjë ministria dhe Qeveria e Kosovës, është parandalimi... Ky do të jetë prioritet politik”, thekson Gashi.

Sipas Naser Ramadanit, nga IKSHP-ja, vetëm 4 për qind e fshatrave janë të kyçura në ujësjellësin që furnizon sot Kosovën me ujë të pijes, çfarë konsiderohet se është përqindje shumë e vogël.

Ai thotë se Bashkësia Evropiane, në bashkëpunim me institucionet vendore, është duke kontribuar që deri në vitin 2020, të mos mbetet asnjë vendbanim në Kosovë pa u furnizuar me ujë higjenik për pije.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG