Ndërlidhjet

Opozita mirëpret vendimin e gjykatës


Kuvendi i Kosovës - foto arkiv
Kuvendi i Kosovës - foto arkiv
Partitë opozitare në Kosovë kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por nuk kanë ndërruar qëndrimin e mosbojkotimit të seancës së Kuvendit, po qe se Behxhet Pacolli do të jetë sërish kandidat për president. Dy nga subjektet opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja, kërkojnë tryezë politike para zgjedhjes së presidentit, me qëllim evitimin e krizës së mundshme institucionale.


Opozita në Kosovë vlerëson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese se janë shkelur procedurat kushtetuese gjatë zgjedhjes së presidentit, ishte i pritshëm. Por, po qe se Kuvendi kthen në votim zgjedhjen e presidentit dhe sërish kandidat do të jetë Behxhet Pacolli, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se nuk do ta ndërrojnë qëndrimin nga ai i 22 shkurtit, kur patën bojkotuar seancën.

LDK-ja, përmes shefit të Grupit Parlamentar, Ismet Beqiri, i bën thirrje partisë më të madhe në pushtet që të organizojë tryezë për të arritur marrëveshje kalimtare, në mënyrë që të evitohet kriza.

Nëse kjo nuk ndodh, Beqiri thotë se nuk do të ndryshojë as qëndrimi i LDK-së, i mbajtur më 22 shkurt, kur ka braktisur seancën në të cilën zgjidhej presidenti dhe qeveria.

“Ne do të shohim... Konform veprimeve që bëhen, do të dalim me qëndrimin përkatës. Nëse nuk do të ndryshojë asgjë këto ditë, atëherë as LDK-ja nuk do ta ndryshojë qasjen e saj”.

“Por, nëse mendon si herën e kaluar - nuk po flas për person - si në mënyrë të dhunshme ta bëjë zgjedhjen e presidentit, atëherë le ta provojë, është problem i tij (Thaçit). Por, unë mund të them me përgjegjësi që o sot, o nesër, do t’i duhet - nëse dëshiron të ketë një fazë kalimtare, të qetë të funksionimit të institucioneve - që të ulet dhe të negociojë për këtë”,
thotë për Radion Evropa e Lirë Ismet Beqiri.

Në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese është thënë se me rastin e zgjedhjes së Behxhet Pacollit për president, janë shkelur procedurat kushtetuese, pasi nuk kanë qenë dy kandidatë për presidentë dhe për shkak se gjatë votimit në raundin e parë dhe të dytë, në sallë nuk kanë qenë të pranishëm dy të tretat e deputetëve, sa edhe duhen për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para.

Tri subjektet politike, LDK, VV dhe AAK, patën lëshuar sallën e Kuvendit më 22 shkurt.

Gjykata Kushtetuese, në disa nga pikat e aktvendimit të sotëm, ua ka kujtuar deputetëve se janë të obliguar që të rrinë në seancat e Kuvendit.

Këtë, anëtari i Kryesisë së Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, e quan joprofesionalizëm të Gjykatës Kushtetuese.

“Ne e kemi ditur të gjithë se po procedohet në mënyrë antikushtetuese, siç bënë ata... Mirëpo, më ka bërë përshtypje përpjekja e Gjykatës Kushtetuese që edhe opozitën ta shpallë antikushtetuse, duke u nisur nga fakti se opozita nuk ka qëndruar për të votuar kundër, pro apo për të abstenuar”, thotë Konjufca.

Në anën tjetër, pavarësisht se është kërkuar që deputetët të qëndrojnë në sallë, deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se kjo parti do të bojkotojë çdo seancë, në të cilën president do të tentohej të zgjidhej Behxhet Pacolli.

“Aleanca nuk do të jetë pjesë e asnjë loje politike që e bën Behxhet Pacollin president dhe Hashim Thaçin kryeminsitër. Aleanca i ka qëndrimet e veta, ka kërkuar qysh më 8 shkurt që të ketë një qeverisje të gjerë”, thekson Ramadani.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e vet ka bërë të qartë se për zgjedhjen e presidentit do të duhen dy kandidatë. Por, asnjëri nga subjektet opozitare nuk ka dalë me ndonjë kundërkandidat kundrejt Behxhet Pacolllit, i cili tashmë ka bërë të ditur se do të rikandidojë për këtë post.
XS
SM
MD
LG