Ndërlidhjet

SHBA kritikon liderin e Sirisë


Mbështetësit e liderit sirian
Mbështetësit e liderit sirian
Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar ashpër fjalimin e presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad sepse dështoi t'i adresojë reformat e kërkuara nga protestuesit.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, tha se fjalimit të Asadit i mungonte substanca.

“Ne ndjejmë se fjalimi nuk i përmendi llojet e reformave që i kërkojnë njerëzit në Siri, të cilat këshilltarët e presidentit Asad sugjeronin se do t’i bëjë”, tha Toner.

Në fjalimin e shumëpritur, Asad i akuzoi "komplotistët" e vendit të tij për protestat e papara dy javore që kanë përshirë Sirinë.

Toner tha se është më lehtë të kërkohen fajtorë sesa të bëhen thirrje për reforma në rajon.

“Udhëheqësit në shumë nga këto vende nevoitet t’u përgjigjen aspiratave legjitime të njerëzve të tyre. Është tepër e lehtë të kërkohen teori të komplotit për t’u përgjigjur thirrjeve për reforma”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Presidenti i Sirisë nuk e përmendi as heqjen e gjendjes emergjente, siç pritnin disa.

Disa orë më vonë, u raportua për protestat dhe të shtëna armësh në qytetin port Latakia.

Xhoshua Landis është drejtor i Qendrës për Studimet e Lindjes së Mesme në Univeristetin e Oklahomës në Shtetet e Bashkuara. Landis i tha Radios Evropa e Lirë se presidenti nuk i ofroi ndonjë zgjidhje popullit të Sirisë.

“Bashar al-Asad prezantoi një pamje të errët të botës, pamje të një Sirie, e cila ka vetëm një mundësi: të zgjedhë stabilitetin dhe sigurinë, apo luftën dhe të bëhet si Iraku, dhe të lejojë që integriteti i vendit të shembet, ndërsa fuqitë e huaja ta manipulojnë dhe ndajnë Sirinë”,
thotë Landis.

Miliona sirianë kanë emigruar jashtë, por Landis thotë se ata tash kanë mundësi të ndikojnë në zhvillimet në vendin e tyre.

“Disa nga ata që ndikojnë lëvizjen e protestës janë sirianë jashtë vendit. Ata janë me miliona, dhe tradicionalisht kanë qenë të shkëputur nga skena e brendshme e Sirisë. Por tash janë lidhur përmes rrjeteve sociale, si Faceook-u, Twiter-i, YouTube dhe Al Jazeera. Ata ndjejnë se mund të futen në lojë dhe mund të ndikojnë që të ndodhin disa gjëra”, thotë Landis.

Ligjvënësit në SHBA thanë se presidenti Barak Obama duhet të mbështesë opozitën e presidentit të Sirisië, Bashar al-Asad.

Senatori republikan Xhon MekKejn dhe senatori i pavarur Xhozef Liberman, thanë se është koha të mbështeten protestuesit kundër sundimit të Asadit.

MekKejn, kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura në Senat, dhe Liberman, kryetar i Komitetit për Sigurinë e Atdheut, thanë se Uashingtoni "duhet të flasë qartë dhe me zë të lartë" kundër regjimit të Asadit. (v.p.)
XS
SM
MD
LG