Ndërlidhjet

logo-print

Miratohet buxheti, PTK-ja proteston


Protesta para Kuvendit, 31 mars 2011

Protesta para Kuvendit, 31 mars 2011

Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten buxhetin për vitin 2011. Aprovimi i buxhetit u miratua pa votat e opozitës, e cila kundërshtoi shitjen e PTK-së që ishte futur në nenin katër të Ligjit për buxhetin. Gjatë kohës së mbajtjes së seancës, punëtorët e PTK-së protestuan dhe në një moment ata tentuan të hyjnë në oborrin e ndërtesës së Kuvendit, me ç’rast u penguan nga policia, e cila përdori edhe gaz lotsjellës për t’i nxjerrë jashtë ndërtesës.


Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash, miratoi buxhetin për vitin 2011. Buxheti u miratua pa votat e opozitës, që kundërshtoi nenin katër, me të cilin bashkë me buxhetin, u aprovua edhe shitja e Postë-Telekomit të Kosovës.

Gjatë kohës së mbajtjes së seancës, nën organizimin e Sindikatës së Punëtorëve të PTK-së, u mbajt një protestë para dyerve të Kuvendit.

PTK

Me të miratuar buxhetin dhe shitjen e PTK-së, protestuesit tentuan të hyjnë në oborrin e Kuvendit, me ç’rast ata u ndaluan nga policia, e cila përdori gaz lotsjellës për t’i nxjerrë ata jashtë oborrit të ndërtesës së Kuvendit.

Protestuesit u tërhoqën dhe qëndruan për tri orë para Kuvendit, ku atyre iu bashkuan edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjatë përplasjes së protestuesve dhe policisë, edhe dy gazetarë kërkuan ndihmë në emergjencë, si pasojë e efekteve të gazit lotsjellës.

“Posta është e jona, jo e Qeverisë... Posta është e jona, jo e Qeverisë...”, dëgjoheshin brohoritjet e masës.

Më pas, kryetari i sindikalistëve të PTK-së, Milazim Alshiqi, zhvilloi një takim me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi.

Në pamundësi që të ndryshojnë vendimin e Kuvendit, me rekomandimet e Alshiqit, protestuesit u shpërndanë të qetë, por duke paralajmëruar se fillimisht do t’i drejtohen Gjykatës Supreme dhe asaj Kushtetuese që të vërtetohet jokushtetutshmëria e shitjes së PTK-së dhe nëse ana ligjore nuk sjell rezultate, ata u kërcënuan të bllokojnë komunikimin përmes PTK-së, si dhe veprime tjera, përfshirë edhe protestat para Qeverisë.

“Ky sot është paralajmërimi ynë i fundit që qeveritarët tanë ta kenë me dije se për veprimet që do t’i ndërmarrim tani e tutje, do t’i njoftojmë. Por, nuk garantojmë se do të jenë më protesta paqësore”,
tha Alshiqi.

Miratimi në pako i buxhetit me shitjen e PTK-së nga opozita u cilësua si joligjore dhe jokushtetuese. Sidoqoftë, votimi solli si rezultat mbështetjen prej 66 votash për buxhetin, 25 vota kundër dhe 12 abstenime.

Ligjvënësit kosovarë

Arben Gashi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se futja e PTK-së në Ligjin për buxhet, është në kundërshtim edhe me ekonominë e tregut të lirë.

“Në Republikën e Kosovës baza e ekonomisë është ekonomia e tregut të lirë. Duke e paracaktuar çmimin për PTK-në prej 300 milionë eurosh, ne kemi shkelur Kushtetutën dhe kemi prishur këtë bazë të ekonomisë së tregut të lirë, e cila duhej të përcaktonte çmimin”,
theksoi Gashi.

Duke iu përgjigjur kritikave dhe akuzave të opozitës se me buxhet po kontrabandohet shitja e PTK-së dhe po paragjykohet çmimi i shitjes, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, tha se kjo nuk qëndron, pasi që çmimi i shitjes së PTK-së nuk figuron askund si shifër në nenin katër.

“Asnjëherë në asnjë rrethanë nuk është paragjykuar çmimi i shitjes së PTK-së, andaj këto gjëra neve po na dëmtojnë edhe imazhin e shitjes, sepse ju jeni ata që po e paragjykoni, meqë neni katër nuk tenton të kontrabandojë diçka, por e shet me një transparencë maksimale”,
shpjegoi Beqaj.

Më i ashpër në fjalimin e tij ishte lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai tha se Qeveria ka borxhe dhe nuk ka mjete të ndërtojë autostradën Vërmicë-Merdar, andaj e ka futur shitjen e PTK-së në kuadër të buxhetit, që ta shndërrojë në asfalt.

“PTK-ja po shitet në mënyrë që të paguhet kompania ‘Bechtel & Enka’, kontrata me të cilën po mbahet sekrete, si për qytetarët, po ashtu edhe për institucionet e Kosovës. Ne jemi kundër këtij neni dhe kundër këtij buxheti, i cili keqpërdor rritjen e pagave për ta kontrabanduar shitjen e PTK-së, ndërmarrjes më fitimprurëse në Kosovën e pasluftës”,
u shpreh Kurti.

Sidoqoftë, miratimin e buxhetit e përshëndeti kryeministri Hashim Thaçi, i cili pas seancës tha se kjo është një ditë e mirë për qytetarët e Kosovës dhe për kategoritë që do t’u rriten pagat.

“Ndihem shumë krenar që për 45 ditët e para të qeverisjes aktuale, kemi realizuar një nga premtimet kryesore për mandatin katër vjeçar”,
tha Thaçi.

Ndryshe, dokumenti për buxhetin parasheh 1 miliard e 264 milionë euro të hyra buxhetore, ndërsa 1 miliard e 434 milionë euro shpenzime. Këtu përfshihet edhe rritja e pagave për sektorin publik, ndërsa parashihet rritje ekonomike për 5.5 për qind.

Lexoni edhe këto:
Buxheti 2011, sfidë për Kosovën
Kosova rrezikon krizën financiare
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG