Ndërlidhjet

Mbështetja sekrete e SHBA-ve për kryengritësit


Forcat rebele në qytetin Brega
Forcat rebele në qytetin Brega
Derisa forcat lojale ndaj liderit të Libisë, Muamer Gadafi, kanë vazhduar të bëjnë përparim të shpejtë kundër kryengritësve, qeveria e tij ka pësuar një goditje të papritur me dezertimin e qartë të ministrit të Jashtëm, Musa Kusa, i cili arriti në një aeroport afër Londrës, nga Tunizia.

Ministri i Jashtëm britanik, Uilliem Hejg, tha se personaliteti i lartë në Qeverinë Gadafi, Musa Kusa, i cili kishte merita për kthimin e Libisë në komunitetin ndërkombëtar, pas disa vitesh sanksione, kishte dhënë dorëheqje nga posti i tij.

Ministri Hejg i inkurajoi edhe të tjerët që të largohen nga Gadafi, duke thënë se dorëheqja e zotit Kusa tregon se regjimi “po shkatërrohet nga brenda”.

Uilliam Hejg

“Ai udhëtoi këtu me vullnetin e tij. Ai tha se po paraqet dorëheqje nga posti i tij. Për këtë ne po bisedojmë me të dhe ne do t’i publikojmë detajet. Ne i inkurajojmë ata rreth Gadafit, që të largohen nga ai dhe të përqafojnë të ardhme më të mirë për Libinë, që lejon tranzicion politik dhe reformë reale, që i plotëson aspiratat e popullit të Libisë
”, tha ministri i Jashtëm britanik, Uilliem Hejg.

Autoritetet në Tripoli e përgënjeshtruan konstatimin se ai ka dezertuar, duke thënë se ai ishte në Londër në “mision diplomatik”.

Ministri i Brendshëm dhe ai i Drejtësisë në Libi kishin dhënë dorëheqje më herët, në shenjë proteste për përgjigjen e ashpër të Gadafit ndaj revoltës kundër sundimit të tij prej katër dekadash.

Por, dorëheqja e zotit Kusa është dezertimi i parë i profilit të lartë, prej 19 marsit kur filluan sulmet ajrore ndërkombëtare kundër Libisë.

Kjo mund të paraqesë një shpresë për kthim të fatit për kryengritësit kundër Gadafit, të cilët janë detyruar të tërhiqen nga ish-bazat e tyre përgjatë bregut lindor, pas një sulmi të shpejtë të forcave të Gadafit.

Shpresa tjetër për kryengritjen një Libi erdhi nga raportet se presidenti Barak Obama ka autorizuar mbështetje sekrete për rebelët në Libi.

Raportet në media thonë se Obama e ka nënshkruar një urdhër sekret për të autorizuar operacione sekrete nga CIA.

E përditshmja Nju Jork Tajms, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, raportoi se CIA ka dërguar operativistë në Libi, për të mbledhur informata për inteligjencë, të cilat mund ta ndihmojnë opozitën, pasi zyra e agjencisë në Tripoli ishte detyruar të mbyllej.

Nuk ka pasur komente të menjëhershme nga CIA.

Humbjet në luftimet e kësaj jave të kryengritësve kundër forcave të Gadafit, po e forcojnë besimin se revolta mund të shkatërrohet nëse perëndimi dështon të ndërmarrë aksion më të vendosur.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e kanë ngritur çështjen e mundësisë së armatimit të kryengritësve, megjithëse janë shprehur se nuk është marrë vendim.

Kjo ide ishte kundërshtuar nga një numër i vendeve anëtare të NATO-s dhe nga vetë sekretari i përgjithshëm i aleancës, Anders Fog Rasmusen, i cili tha se qëllimi i NATO-s është “ta mbrojë popullin e jo ta armatosë”.

“Sa i përket NATO-s, ne do ta implementojmë tërësisht rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që kërkon zbatimin e embargos së armatimit me qëllim që të ndalet rrjedhja e armatimit brenda në Libi dhe NATO-ja, këtë pjesë të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do ta zbatojë në tërësi. Në bazë të kësaj, ne jemi këtu, pra për ta mbrojtur popullin e Libisë, e jo për ta armatosur”,
theksoi Anders Fog Rasmusen.

Kina, Rusia dhe Gjermania e kundërshtuan ashpër furnizimin me armatim të kryengritësve, qëllimet e të cilëve dhe përbërja e tyre ende janë të mjegulluara.

Por, ekspertët thanë se individualisht vendet munden lehtë ta anashkalojnë NATO-n, nëse ato vendosin të dërgojnë armatim për kryengritësit.

Në këtë kuadër, eksperti i politikave të Lindjes së Mesme në Londër, Faëaz Gerges, tha:

Ajo, për të cilën po flasin presidenti Obama dhe disa zyrtarë perëndimorë, është armatimi direkt i kryengritësve. Rebelët po armatosen dhe armatimi po lëviz nëpërmjet palës së tretë, qartazi nëpër Egjipt ose vende të tjera, dhe po paguhen nga disa fonde të ngrira të Qeverisë së Libisë. Pra, nuk duhet të ketë dyshim se armatimi i kryengritësve po ndodh”.

Megjithëqë roli preciz i CIA-s në Libi ende është i paqartë, operativistët e saj në terren pritet që t’i vlerësojnë nevojat e kryengritësve, në rast se presidenti Obama vendos që t’i armatosë ata. (f.b.)
XS
SM
MD
LG