Ndërlidhjet

Nevojitet ende kohë për t’i vetëdijesuar punëdhënësit dhe punëmarrësit për efektet e Ligjit të Punës, edhe pse ky ligj ka filluar të zbatohet që nga janari i këtij viti, thonë përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ata paralajmërojnë se së shpejti do të fillojnë me gjoba për të gjitha ata që veprojnë në kundërshtim me ligjin.


Përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se Ligji i punës ka filluar të zbatohet, por që ende mbetet punë për t’u bërë.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, konfirmon se do të fillojnë një kampanjë, e cila ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për Ligjin e punës.

“Sot e shpallim muajin prill si muaj i amnistisë për të gjitha ndërmarrjet që nuk i kanë regjistruar punëtorët. Kjo është ftesë shoqërore, thirrje institucionale për respektimin e aspekteve ligjore, të cilat i mbrojnë interesat e ndërsjella”
, thotë Rashiq.

Ministri Rashiq paralajmëron se që nga muaji maj të gjithë punëmarrësit, të cilët bien në kundërshtim me Ligjin e punës, do të gjobiten.

“Ju garantoj që çdo ndërmarrje, e cila eventualisht dënohet, para dënimit do të ketë 2-4 biseda teknike, në të cilat ne do t’i bindim që ta respektojnë ligjin, por si një veprim i fundit do të jetë dënimi”,
thekson Rashiq.

Sidoqoftë, autoritetet kompetente që nga viti 2004 kanë hartuar projektligjin e punës, i cili rregullon të drejtat e punëtorëve, por zbatimi i tij, ka filluar vetëm nga 1 janari i vitit 2011.

Problemi që e ndaloi miratimin e këtij ligji deri në këtë kohë, ka qenë mungesa e mjeteve financiare.

Ndërkaq, organi, i cili bën inspektimin e zbatimit të ligjit është Inspektorati i Punës. Basri Ibrahimi kryeinspektor thotë se ky organ ka bërë inspektimin e zbatimit të Ligjit të punës, në disa ndërmarrje publike dhe private dhe se janë vërejtur rezultate konkrete.

“Si rast konkret kemi administratën e Korporatës Energjetike e Kosovës, që deri me hyrjen në fuqi të Ligjit të punës, ka punuar në deri në orën 17, ndërsa tani orarin e punës e ka deri në 16. Po ashtu, edhe bankat, të cilat kanë punuar deri në orën 17-18, tani punojnë vetëm deri në orën 16. Këto janë vetëm disa raste, të cilat mund të themi se ka filluar të zbatohet ligji”,
shpjegon Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, me miratimin e Ligjit të punës, ka një guxim nga ana e punëtorëve që të ankohen për të drejtat e tyre, nëse nuk respektohen. Ai thekson se derisa në vitin e kaluar në inspektorat ka pasur vetëm dy apo tri raste që janë ankuar, në këtë vit ka me dhjetëra raste që vijnë dhe i paraqesin problemet e tyre.

“Nëse nuk respektohet ligji, ka edhe pasoja, jo vetëm nga gjobat e inspektoratit që mund t’i shqiptojë, por edhe nëse një punëtor lëndohet në punë, atëherë punëdhënësi është i detyruar që t’i paguajë të gjitha shpenzimet e kurimit. Pastaj, mund të ngrejë padi edhe në gjykata, ku dënimet janë shumë të larta”,
shton Ibrahimi.

Gjoba për ata, të cilët nuk e respektojnë Ligjin e punës, kapin shumën deri në 35 mijë euro

Ndryshe, gjatë vitit 2010, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka pasur mbi 7 inspektime dhe janë shqiptuar 120 gjoba.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG