Ndërlidhjet

Mungesa e përgjegjësisë politike


Njohës të rrethanave politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, thanë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen president të Behxhet Pacollit, dëshmon mungesën e ekzistimit të një demokracie të mirëfilltë - me ndarje të pushteteve, në Kosovë. Ata thanë se vendimi i Kushtetueses duhet të pasojë me dhënien e përgjegjësisë politike të atyre që, siç thuhet, kanë shtyrë legjislativin kosovar për të bërë një shkelje të tillë.


Klubi për Politikë të Jashtme vlerësoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në bazë të të cilit zgjedhja e Behxhet Pacollit në postin e presidentit të vendit, ishte jokushtetuese, duhet të ketë pasoja politike për të gjithë ata që shkaktuan shkeljen e aktit më të lartë shtetëror të Kosovës.

Në një konferencë për media, drejtori ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, Yll Hoxha, theksoi nevojën që të adresohet përgjegjësia politike tek ata që, siç u shpreh ai, shtynë Kuvendin e Kosovës në shkeljen e Kushtetutës.

“Te çështja e dorëheqjeve, mendoj se duhet të ketë pasoja politike për ata që shtynë vendin në shkeljen e radhës së Kushtetutës së Kosovës. Nuk mund të trajtohet ky problem si një shkelje e vogël-cikërrimë, e cila toleron tash përsëritjen e një procesi, por duhet të adresohet drejtpërdrejt përgjegjësia politike e atyre që shtynë Kuvendin e Kosovës në shkelje kushtetuese”, u shpreh Hoxha.

Sipas Yll Hoxhës, aktualisht në Kosovë ekziston një afinitet, siç tha ai, i theksuar anti-demokratik, i cili po manifestohet në rregullimin shtetëror të vendit.

Klubi për Politikë të Jashtme (Foto nga arkivi)

Ekzistimin e demokracisë në Kosovë, pas zhvillimeve të fundit, e vuri në pikëpyetje edhe analisti politik Halil Matoshi. Ai tha se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, dëshmoi sërish mungesën e ndarjes së pushteteve në Kosovë.

“Demokracia nuk është konsistente në frymën e ligjeve dhe kjo ka çuar në shkeljen dhe cenimin e rëndë të demokracisë që i ka bërë Qeveria e Kosovës tërë vendit, tërë shoqërisë kosovare dhe, para së gjithash, me tendencën e saj për ta dominuar Kuvendin e Kosovës dhe për ta shndërruar Kuvendin thjesht në një strukturë për menaxhimin e popullit opozitar, por jo në një strukturë ligjore e cila kontrollon Qeverinë”
, theksoi Matoshi.

Kohë, më parë, disa organizata joqeveritare, në mesin e të cilave edhe Klubi për Politikë të Jashtme, publikuan një plan, përmes të cilit synonin të shprehnin në mënyrë të organizuar pakënaqësinë dhe mospajtimin qytetar me zhvillimet e fundit politike, të cilat, siç thuhej, e shkelin vullnetin qytetar dhe Kushtetutën e vendit.

Disa media lokale i kishin cilësuar “puçistë” apo “rebelë” iniciatorët e kësaj ideje, e cila u publikua disa javë pas emërimit të Pacollit president. Hoxha tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese dëshmoi të kundërtën.

“Ajo tregoi se veprimtarët e shoqërisë civile, përveç të drejtës për të protestuar, e paskan pasur edhe kauzën e drejtë; se veprimtarët e shoqërisë civile nuk qenkan puçistë e rebelë, por në fakt qenkan mbrojtës të demokracisë dhe mbrojtës të integritetit të institucioneve të vendit”
, tha Hoxha.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së presidentit Bexhet Pacolli, u deponua në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët opozitarë - ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës të mbështetur nga ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në fillim të muajit mars.
XS
SM
MD
LG