Ndërlidhjet

logo-print
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka lënë hapësirë për interpretime të ndryshme. Juristët kosovarë shprehen të ndarë rreth asaj nëse Kosova pas largimit të Pacollit ka ushtrues presidenti, apo jo? Po ashtu, nuk është e qartë nëse duhet konsideruar që për 35 ditë Behxhet Pacolli ishte president. Sidoqoftë, juristët pajtohen se tash është në dorë të Kuvendit që të procedojë shpejt me zgjedhjen e presidentit.


Behxhet Pacolli një ditë më parë u largua nga zyra e presidentit, duke thënë se po largohet dhe nuk po jep dorëheqje. Gjykata Kushtetuese në aktvendimin e bërë publik të mërkurën, tha se procedurat e zgjedhjes së presidentit më 22 shkurt, ishin antikushtetuese.

Rrjedhimisht, Kosova nuk ka president. Dilema mbetet nëse Kosova kishte gjatë kësaj periudhe pesëjavore president dhe nëse tani ka ose jo ushtrues detyre të presidentit.

Sipas profesorit në Fakultetin Juridik, Mazllum Baraliut nuk ka.
Fatkeqësisht Kosova tash nuk ka as president, e as ushtrues detyre të presidentit...


“Fatkeqësisht Kosova tash nuk ka as president, e as ushtrues detyre të presidentit, për arsye se vendimi i shpallur dje i Gjykatës Kushtetuese e ka vënë jashtë funksionimit vendimin antikushtetues të Kuvendit të Republikës së Kosovës të datës 22 shkurt. Prandaj, jemi në një gjendje vakuumi dhe defekti, ku nuk kemi president të vendit”
, thotë për Radion Evropa e Lirë, Mazllum Baraliu.

Por, juristi Dastid Pallaska ka shpjegim tjetër. Ai thotë, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka karakter parapaveprues, që nënkupton se vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Pacollit si president ka qenë në fuqi deri të mërkurën.

Nga e enjtja, sipas Pallaskës, kryetari i Kuvendit mund të ushtrojë detyrën e presidentit, edhe pse kjo në rrethanat e krijuara nuk parashihet në dispozitat kushtetuese.

“Sido që të jetë, ne e kemi një precedent pas dorëheqjes së presidentit Sejdiu ku detyrën e presidentit e ka ushtruar kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, por jo në bazë të dispozitave të Kushtetutës së Kosovës, por në bazë të një interpretimi tjetër të Gjykatës Kushtetuese në po atë vendim”.

“Dua të nënvizoj se dispozitat kushtetuese, sa i përket mungesës së përkohshme të presidentit, kanë të bëjnë vetëm me mungesën e përkohshme të një presidenti gjatë mandatit të tij, kur për arsye të ndryshme nuk mund të ushtrojë detyrën e vet dhe për një kohë të caktuar ai ia delegon këtë detyrë kryetarit të Kuvendit”,
shpjegon Pallaska, duke shtuar se edhe tash mund ta ushtrojë Krasniqi këtë detyrë.

“Ekzistojnë argumente ligjore, edhe pse nuk është e kristalizuar qartë se mund të pretendohet që zoti Krasniqi, mund të ushtrojë detyrën e presidentit të Kosovës”
, shton Pallaska.

Nuk mohohet ekzistimi i presidentit për këtë periudhë prej 22 shkurtit deri në ditën e djeshme.
Ndërkohë, për zgjedhjen e presidentit të ri, sipas Pallaskës, situata është kthyer në pikën fillestare. Por, megjithëse pranon këtë, ai insiston se gjatë këtyre pesë javëve, Kosova kishte president.

“Nuk mohohet ekzistimi i presidentit për këtë periudhë prej 22 shkurtit deri në ditën e djeshme. Kjo do të thotë se të gjitha vendimet që i ka marrë presidenti gjatë kësaj periudhe, mbesin valide dhe ligjore dhe tani fillohet me zgjedhjen e presidentit të ri, përkatësisht duhet të bëhen nominimet e reja dhe vetë zoti Pacolli duhet të kandidojë përsëri”
, thotë Pallaska.

Por, Mazllum Baraliu thotë se kushdo mund të kontestojë vendimet e marra të Pacollit si president gjatë periudhës pesë javore, meqë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas tij, nuk e konsideron atë si president.

“Mund të kontestohen nga kushdo veprimet dhe vendimet e presidentit. Pra, Kosova nuk ka pasur president të ligjshëm dhe kushtetues gjatë kësaj periudhe”,
thekson Baraliu.

Aleanca Kosova e Re ka thënë se bashkë me PDK-në, sërish do ta kandidojnë për president Behxhet Pacollin. Por, tash, me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, është obliguese që të jenë të paktën dy kandidatë për president.

Opozita ka bërë të ditur se nëse PDK-ja nuk ndryshon qasjen ndaj kandidatit për president, as ata nuk do të ndërrojnë qëndrim - që do të thotë nuk do të marrin pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentit, e cila sipas Gjykatës Kushtetuese, duhet patjetër të ketë të pranishëm dy të tretat e deputetëve.

Dastid Pallaska thotë se deputetët do të jenë të obliguar të rrinë në seancën kur zgjidhet presidenti:

“Unë mendoj se nuk ka kurrfarë dileme, se Gjykata Kushtetuese është arbitri përfundimtar i interpretimit të Kushtetutës, ku janë të përshkruara disa nga obligimet e deputetëve dhe nuk besoj se është kontestuese që Gjykata Kushtetuese e ka atë autoritet”.

Në dy vjet të funksionimit të saj, Gjykata Kushtetuese ka sjellë dy vendime që kanë prekur direkt institucionet qendrore. Vendimi i parë i tetorit të vitit të kaluar çoi në dorëheqjen e presidentit Fatmir Sejdiu, pasi u tha se ai kishte shkelur rëndë Kushtetutën duke mbajtur edhe postin e kryetarit të partisë.

Ndërsa, vendimi që hyri në fuqi të mërkurën, lë sërish Kosovën pa president, meqë u tha se zgjedhja e Pacollit ishte antikushtetuese. Vetë Gjykata nuk ka sugjeruar se çfarë hapa duhet të marrë tash Kuvendi.
XS
SM
MD
LG