Ndërlidhjet

logo-print
Të gjitha partitë politike mbështetën propozimin e së mërkurës të kryeministrit Nikolla Gruevski, që më 5 qershor të organizohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, me të cilat synohet t`i jepet fund krizës politike. Ky vendim erdhi menjëherë pasi kryetari i opozitës maqedonase, Branko Cërvenkovski, tha se heq dorë nga të gjitha kërkesat e parashtruara.


Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, tha se nuk ka rëndësi data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, por vendimi që më në fund të gjitha partitë të përfshihen në procesin zgjedhor.

“Jemi për zgjedhje të parakohshme dhe në këtë drejtim nuk ka kurrfarë problemi”, tha Tahir Hani, koordinator i Grupit Parlamentar të BDI-së.

Hani bëri të ditur se “të premten dhe shtunën, Parlamenti do të shqyrtojë dhe miratojë ndryshimet e Kodit zgjedhor, me çka pritet të zgjidhet edhe kryetari i Komisionit zgjedhor i propozuar nga opozita”.

Ndërkohë, pro propozimit të fundit të liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, që zgjedhjet të mbahen më 5 qershor, u prononcua edhe partia shqiptare në opozitë, Demokracia e Re.

Deputetja e kësaj partie, Flora Kadriu, nënvizoi se sa më parë duhet dhënë fund kësaj qeverisjeje të keqe.

“Na mbetet ajo që e kemi theksuar disa herë në parim; ditën që do të votohet shpërbërja e Parlamentit, ne do të jemi atje për të votuar, sepse konsiderojmë se zgjedhjet janë ato që mund ta çojnë vendin para pas kësaj situate të krijuar”,
tha Kadriu.

Edhe lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, paraprakisht u shpreh se partia është e gatshme të ballafaqohet në zgjedhje, meqë, sipas tij, kjo është forma e vetme t`i jepet fund krizës politike në Maqedoni.
Ne jemi për zgjedhje të parakohshme dhe jemi të gatshëm; mendoj se kjo është mënyra më demokratike për të dalë shteti nga kriza..


”Ne jemi për zgjedhje të parakohshme dhe jemi të gatshëm; mendoj se kjo është mënyra më demokratike për të dalë shteti nga kriza. S’ka problem nëse do të jenë menjëherë tash - jo që i konvenon PDSH-së, por kriza në disa dimensione është duke ecur përpara dhe dëmet mundë të jenë shumë të mëdha”,
u shpreh Thaçi.

Mirëpo, lideri i LSDM-së bëri të ditur se partia e tij nuk ka ndërmend të kthehet në Parlament, si dhe nuk do të bëjë kurrfarë negociatash me VMRO-DPMNE-në dhe pushtetin.

Gordan Georgiev, zyrtar i lartë i partisë, tha se dialogu me pushtetin ka arritur në pikën kritike dhe nuk ka hapësirë për kurrfarë kompromisi, andaj LSDM-ja nuk do të marrë pjesë në seancën parlamentare ku do të miratohen ndryshimet rreth Kodit zgjedhor dhe do të shpërbëhet Parlamenti.

”A mund të bisedohet në një demokraci normale se zgjedhjet duhet të jenë më pak ose më shumë fer dhe të lira, asnjëherë nuk ndodh kjo?! Pse duhet të bisedojmë në Parlament? Për çka duhet të arrijmë kompromis? Për atë sa do t’i lejojmë kryeministrit Gruevski të manipulojë me vota ose të legjitimojmë destinimin e mjeteve të huazuara të dedikohen për fushatë zgjedhore?
”.

“Jo, nuk do ta bëjmë këtë! Vetë le ta zhvillojë këtë lojë të ndyrë deri në fund kjo përbërje qeveritare, derisa të marrë dhe goditjen e fundit nga populli”
, u shpreh Georgiev.

Ndryshe, të mërkurën kryeministri Gruevski u zotua për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, duke theksuar se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër pos ecjes përpara.

“Ata që duan ta shkelin këtë parim, do të dënohen ashpër nga institucionet e sistemit
”, deklaroi Nikolla Gruevski.
XS
SM
MD
LG