Ndërlidhjet

logo-print

WSJ: Regjimi në Libi duhet të ndryshojë


Bengazi

Bengazi

Wall Street Journal

Shkruajnë senatorët: Xhon MekKejn dhe Xhozef Liberman


Presidenti Obama i shpalosi argumentet për intervenimin në Libi, ndërsa aksionet e Shteteve të Bashkuara atje meritojnë mbështetjen e të dyja palëve në Kongres.

Siç vërejti presidenti, dështimi i mosintervenimit ushtarak do të rezultonte me katastrofë humanitare dhe strategjike. Në saje të aksioneve tona, regjimi i Gadafit është penguar që brutalisht të shtypë opozitën e tij.

Presidenti gjithashtu ishte korrekt në përshkrimin e ngjarjeve në Libi, në kontekstin më të gjerë të zgjimeve demokratike në mbarë Lindjen e Mesme, që paraqet zhvillmin më të madh gjeopolitik që nga rënia e Murit të Berlinit.

Nëse Gadafi lejohet të mbetet në pushtet përmes dhunës, kjo do t’u dërgojë mesazhe diktatorëve në mbarë rajonin dhe më gjerë, se mënyra për t’iu përgjigjur kërkesave paqësore popullore është përmes shtypjes dhe kasaphanës, dhe se pjesa tjetër e botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk do të dalë përpara.

Ajo që tash duhet, nuk është debati nëse administrata mund të kishte vepruar ndryshe, por një strategji, e cila do t’i identifikonte interesat kombëtare të Amerikës në Libi dhe mënyrat për t’i arritur ato.

Forcat besnike të Muamer Gadafit në Tripoli.
Ashtu siç ka ripërsëritur me të drejtë edhe presidenti Obama, epilogu i suksesshëm në Libi kërkon largimin e Gadafit sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk është në interesin tonë që Libia të bëhet arenë e një krize të tejzgjatur, që do ta destabilizonte dhe do t’i vinte flakën rajonit.

Janë disa hapa që duhet ndërmarrë menjëherë për të ndaluar epilogun e tillë. Në ditët në vijim, duhet t’i zgjerojmë sulmet tona ajrore kundër forcave tokësore të Gadafit, që kërcënojnë civilët kudo që janë.

Duke bërë kështu, ne mund t’ia shtrojmë rrugën opozitës libiane që t’ia ndalë hovin ofenzivës së Gadafit dhe t’i vazhdojë përpjekjet për t’i dhënë fund sundimit të tij.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu duhet ta zgjerojnë angazhimin me opozitën e Libisë, të prirë nga Këshilli Kombëtar kalimtar, aktualisht i bazuar në Bengazi.

Ne e kemi inkurajuar administratën Obama që e shtoi mbështetjen retorike për opozitën, por shpresojmë të shohim më shumë shembuj të prekshëm në ditët që vijnë.

Në veçanti, ne dhe aleatët tanë duhet ta furnizojmë këshillin me pajisje komunikimi, mbështetje logjistike, stërvitje, inteligjencë taktike dhe armë të nevojshme, që ta konsolidojë pushtetin në territorin që e ka çliruar dhe të vazhdojë t’ia dobësojë pushtetin Gadafit.

Ne nuk duhet të dërgojmë forca në terren, sepse vetë libianët po luftojnë për lirinë e tyre. Por, ata kanë nevojë për ndihmën tonë të shpejtë që të korrin sukses. (v.p.)
XS
SM
MD
LG