Ndërlidhjet

Tentime për ndarje


Mitrovicë
Mitrovicë
Udhëheqës të pushtetit paralel serb në veri të Kosovës, para pak ditësh, kanë ndërprerë bashkëpunimin dhe komunikimin me misionin e EULEX-it. Në vendimin e marrë në të ashtuquajturin Kuvend i serbëve të veriut, thuhet se bashkëpunimi me EULEX-in nuk do të ndodhë, derisa “ky mision nuk do të fillojë të sillet dhe të veprojë në përputhje me mandatin e tij të caktuar”.

Autoritetet kosovare konsiderojnë se këto veprime të serbëve të veriut kanë për qëllim ndarjen e Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, e quan të pakuptimtë vendimin e fundit të komunitetit serb.

“Beogradi vazhdimisht i koordinon këto ndërmjet strukturave të MUP-it (Ministria e Brendshme e Serbisë). Kjo formë e deklarimit të ndërprerjes së bashkëpunimit me EULEX-in, është ide e pakuptimtë dhe është çështje e politikës së tyre destruktive”, deklaron Rexhepi, për të shtuar se ky hap ka synim ndarjen e territorit.

“Gjithmonë pas kësaj fshihet tendenca e krijimit të një realiteti të ndarjes. Kjo është e ngulitur në kokat e tyre, prandaj iu duhet kohë derisa t’iu çregjistrohet prej trurit. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran në gjithë territorin e saj”, thotë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Marko Jakshiq, njëri nga përfaqësuesit e serbëve të veriut, thotë se komuniteti i tij, tre vjet më parë, ka kërkuar nga presidenti i Serbisë të mos lejojë ardhjen e EULEX-it në veri, pasi, sipas tij, një gjë e tillë do të thoshte krijim i një shteti tjetër shqiptar në Ballkan.

Jakshiq thotë se vendimi për të ndërprerë bashkëpunimin me EULEX-i nuk ka të bëjë me Beogradin.

“Ky është vendim i joni autonom, pikërisht për shkak se EULEX-i bën përpjekje të punojë kundër interesave të serbëve në Kosovë. Ne nuk e dimë se çfarë do të bëjë kryetari i Serbisë, por ajo që ne e dimë është se do të bëjmë përpjekje që Kosova ende të mbetet pjesë e Serbisë”, thekson Jakshiq.

Naim Rashiti, analist i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, konsideron se për uljen e tensioneve në veri të Kosovës, përgjegjësia bie tek autoritetet e Prishtinës dhe Beogradit. Sipas tij, veprimet e serbëve në veri tregojnë qartë se serbët janë të interesuar për ndarje.

“Përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës veprojnë në bazë të politikës shumë të qartë të Beogradit për ndarjen e Kosovës. Serbët në veri, duke u përfshirë edhe në krimin e organizuar, veprojnë si një lloj garancioni, si një lloj mjeti për realizimin e qëllimit politik të Beogradit, që është ndarja e Kosovës”, thotë Rashiti.

Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar në Kosovë duhet të bëjë më shumë punë në këtë pjesë të Kosovës.

Faktor i rëndësishëm është faktori Bashkimi Evropian, i cili duhet me çdo kusht të prodhojë dhe instalojë një sundim të ligjit në masë të mjaftueshme në veri...”, thekson Rashiti.

Institucionet kosovare vazhdimisht kanë hedhur poshtë idenë e ndarjes së veriut dhe kanë kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë presion mbi Beogradin. Të gjitha planet për integrimin e veriut, deri tash kanë mbetur të parealizuara.
XS
SM
MD
LG