Ndërlidhjet

Kosova nuk është në vakuum institucional


Behxhet Pacolli
Behxhet Pacolli
Gjykata Kushtetuese ka dhënë sqarime shtesë në lidhje me vendimin për shfuqizimin e procedurave të zgjedhjes së presidentit, të cilat u konsideruan si jokushtetuese.

Në vendimin që përmban sqarime për pyetjet e parashtruara nga kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe zoti Behxhet Pacolli, Gjykata vëren se vendimi i saj për të shfuqizuar mandatin e presidentit ka hyrë në fuqi më 31 mars.

Nga kjo datë, thuhet se Kosova ka ushtrues detyre të presidentit, por nuk sqaron se cili është ai. Gjithnjë duke iu përgjigjur pyetjeve, Gjykata ka sqaruar se vendi nuk shkon në zgjedhje të parakohshme, se nuk ka nevojë të zhbëhet Kuvendi dhe se vendi nuk është në vakuum institucional.

Ndërkaq, në pyetjen e parashtruar nga qeveria nëse është detyrim kushtetues prania e dy të tretave të deputetëve në sallë në raundin e parë dhe të dytë të zgjedhjes së presidentit dhe nëse mund të shkohet direkt në raundin e tertë, po qe se nuk janë 80 deputetë të pranishëm, Gjykata është përgjigjur:

“Gjykata rikujton se qëllimi i këtij sqarimi është ta sqarojë aktgjykimin dhe nuk ka autoritet për të dalë jashtë objektit të çështjes së kërkesës. Prandaj, situatat hipotetike, siç janë përmendur në letrën e kryeministrit, janë jashtë kufirit të objektit të çështjes dhe mund të jenë bazë për një rast të ri”, thuhet në sqarimin e Gjykatës Kushtetuese.


Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme

Zgjedhja e presidentit po rrezikon të fusë Kosovën në një krizë të re institucionale. Ishte vetë kryeministri Hashim Thaçi ai, i cili tha se vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme nëse opozita vazhdon me bojkotimin e seancës, në të cilën do të votohet për presidentin.

Në anën tjetër, opozita i bëri thirrje Thaçit dhe partisë që ai drejton që të merren vesh dhe të propozojnë një president konsensual, i cili do të votohej bashkë me një marrëveshje kalimtare deri në zgjedhjet e ardhshme.

Hashim Thaçi
Kryeministri Hashim Thaçi tha se deputetët duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë edhe opozitën, që të qëndrojnë në seancë gjatë zgjedhjes së presidentit dhe të mos ndikojnë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Nëse kjo pjesë e opozitës vendos të vazhdojë me bojkot, atëherë ata e çojnë vendin detyrimisht drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh, por unë jam optimist se presidenti do të zgjidhet shpejt”, tha Thaçi.

Kryeministri Thaçi dhe qeveria e tij i janë drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, nga e cila kanë kërkuar të sqarojë nëse qëndrimi në seancë gjatë votimit për presidentin është i obligueshëm.

Mirëpo, përderisa koalicioni qeverisës ka si kandidat për president zotin Behxhet Pacolli, opozita duket të jetë e vendosur që të veprojë njësoj sikurse në seancën e 22 shkurtit. Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, i ftoi partitë e koalicionit që të merren vesh me opozitën për një president konsensual.

“Ne jemi për gjetjen e zgjidhjes për një president konsensual, që do të simbolizonte unitetin e qytetarëve. Po tentojmë dhe jemi të interesuar që të gjejmë rrugëzgjidhje. Nuk mund të injorohen 380 mijë votues që e kanë votuar opozitën dhe nuk mund të injorohen këta deputetë të opozitës. Se ata nuk mund të injorohen, po shihet qartë se në çfarë gjendjeje kemi ardhur”, tha Beqiri.

Sipas Beqirit dhe LDK-së, marrëveshja pozitë-opozitë duhet të përfshijë edhe reformat zgjedhore, ndryshimet kushtetuese si dhe afatin prej një apo një viti e gjysmë deri në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes deputetes Donika Kada Bujupi, tha se pozita dhe opozita mund të gjejnë një figurë tjetër politike, përveç Pacollit.

Klasa politike në vend ka ende kohë që të ofrojë alternativa të tjera. Edhe opozita ka mundësi të ofrojë alternativa tjera. Unë e di që ka shumë njerëz në opozitë që do t’i bënin nder vendit që të jenë presidentë të Republikës së Kosovës”, tha Kada-Bujupi.

Me propozimet e opozitës nuk merret AKR-ja e Behxhet Pacollit. Ky subjekt politik i ka caktuar Pacollit edhe kundërkandidaten që do të dilte në garën për president, zonjën Suzanë Novobërdaliu.

Ushtruesi i detyrës i kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli, tha se nënshkrimet janë mbledhur dhe tani do t’i kërkohet Kryesisë së Kuvendit që të thërrasë seancë të jashtëzakonshme, ku Pacolli dhe rivalja e tij nga e njëjta parti do të garonin për postin e presidentit të Kosovës.

“Do të procedojmë me një kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme, ndaj edhe më tutje jemi duke e shqyrtuar këtë çështje. Besoj se do të ketë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme”, u shpreh Makolli.

Përderisa opozita të mos bindet të qëndrojë në sallë, votimi për presidentin dhe mungesa e kuorumit do ta çonte Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Thirrje opozitës që të qëndrojë në sallë i kanë bërë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Kristofer Dell, si dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Piter Feith.

Deri më tani, opozita nuk ka ndryshuar qëndrim kur është në pyetje Pacolli, kurse për kandidaturat tjera dhe marrëveshje të tjera me pozitën, e ka lënë mundësinë e hapur.
XS
SM
MD
LG