Ndërlidhjet

logo-print
Maqedonia dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshjen mbi patrullimet e përbashkëta policore në kufirin mes dy shteteve. Marrëveshja u nënshkrua në Shkup nga ministrat e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe Bajram Rexhepi.

Sipas tyre, marrëveshja synon para së gjithash parandalimin e kriminalitetit të organizuar dhe pengimin e lëvizjeve ilegale.

“Marrëveshja është një hap para drejt thjeshtëzimit të procedurave për menaxhim të përbashkët të kufirit, sa i përket sigurisë më të madhe, por edhe krijimit të besimit ndërmjet dy shërbimeve dhe popujve tanë”, deklaroi ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhpi, sqaroi për opinion kalimin e kompetencave për kufirin nga KFOR-i te Policia e Kosovës.

“Ne kemi marrë përgjegjësinë në dy sektorët në kufijtë mes Kosovës dhe Maqedonisë dhe sektori i tretë pritet që deri në qershor të merret komplet. Pra, policitë kufitare të të dyja anëve do ta menaxhojnë. Ne i përkrahim të gjitha idetë edhe për një kontrollim në një pikë, në mënyrë që të mundësohet qarkullimi i lirë i qytetarëve”, u shpreh Rexhepi.

Gjatë qëndrimit njëditor në Shkup, ministri i Brendshëm i Kosovës dhe homologia e tij kanë diskutuar edhe për procesin e hapjes së vendkalimeve të reja kufitare mes dy vendeve.

Ministrat e Punëve të Brendshme të të dyja vendeve nuk përjashtuan edhe mundësitë që shumë shpejt qytetarët të mund të kalojnë kufirin vetëm me letërnjoftime. Pala maqedonase është e gatshme për një gjë të tillë, tha Jankullovska, por ministri Rexhepi u shpreh se kjo do të ndodhë pasi Kosova t'i plotësojë kriteret e nevojshme që ndërlidhen me dokumentet personale biometrike.
XS
SM
MD
LG