Ndërlidhjet

Krasniqi: Realitet i ri në skenën politike



Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, është krijuar një realitet i ri në skenën politike të vendit.

Kjo çështje, sipas tij, duhet të zgjidhet gjatë javës së ardhshme ndërmjet subjekteve politike.

Ndërkaq, Krasniqi nuk ka dashur të flasë për arsyet eventuale që kanë shtyrë AKR-në të rishqyrtojë pozicionin e saj si partner i koalicionit me PDK-në.

Ndërkohë, Aleanca Kosova e Re ka paralajmëruar që gjatë ditës do të dalë me një qëndrim konkret lidhur me koalicionin me PDK-në, paralajmërim ky i cili erdhi pasi partia vlerësoi se nuk po përmbushet e tërë marrëveshja për koalicion.

“Zyrtarë të lartë të AKR-së dhe Koalicionit për Kosovë të Re njëzëri janë pajtuar për të shqyrtuar seriozisht mundësinë e shkëputjes së menjëhershme të koalicionit qeverisës. Qëndrimi për shkëputje të koalicionit qeverisës vjen si pasojë e zhvillimeve të fundit politike në vend".

"AKR në kuadër të Koalicionit për Kosovë të Re, gjatë këtyre konsultave, është shprehur e gatshme të ndërprejë kontratën e koalicionit qeverisës nëse kjo kontratë nuk do të përmbushet në tërësinë e saj”, thuhet në njoftimin e AKR-së.

Njoftimi i AKR-së pason atë të Presidencës që njoftoi se, me kërkesë të Behxhet Pacollit, është shtyrë dorëzimi i detyrës tek ushtruesi i detyrës së presidentit, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, për të hënën.
XS
SM
MD
LG