Ndërlidhjet

Makolli: Sqarimi bie ndesh me vendimin


 Ibrahim Makolli
Ibrahim Makolli
“Sqarimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese bie ndesh me vendimin e saj”, thotë shefi i Grupit Parlamentar të Koalicionit Kosova e Re, Ibrahim Makolli, duke komentuar sqarimin e Kushtetueses mbi vendimin në rastin Pacolli. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Makolli thotë se koalicioni PDK-AKR sërish do të rikandidojë Behxhet Pacollin për president. Ai hedh poshtë mundësinë e tërheqjes së Pacollit, pas thirrjes së opozitës për një president konsensual.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Makolli, Gjykata Kushtetuese ktheu në pikën zero procedurat për zgjedhjen e presidentit. Para dy ditësh u shpall aktgjykimi i plotë në lidhje me procedurat që u tha se u shkelën, ndërkaq kemi edhe një sqarim lidhur me pyetjet që i janë drejtuar nga tri institucionet kryesore. Si e shihni ju tërë këtë situatë?

IBRAHIM MAKOLLI
Tashmë është problem që besoj as vetë Gjykata Kushtetuese nuk do të dijë të interpretojë se çfarë ka vepruar në aktgjykim dhe çfarë ka dhënë me sqarimet, sepse ka elemente ku bie në kundërshtim vetë sqarimi me vendimin.

Si duket përpjekjet për të përmirësuar diçka në këtë drejtim, e kanë detyruar që të bëjë një sqarim, i cili mund të ngjajë në gjithçka, po më së paku në një sqarim të thjeshtë. Nuk është dhënë përgjigje e merituar në ato çështje që janë kryesoret. Tash, siç po dihet, çështja kthehet në pikën zero.

Ajo që është dashur të shihet qartazi është se duhet të plotësohen disa prej kushteve, të cilat i ka kërkuar apo i ka sugjeruar, më tepër them, në sqarim dhe në aktgjykim Gjykata Kushtetuese, me rastin e procedimit për zgjedhjen e presidentit të vendit. Unë besoj që tashmë brenda pak ditësh Kuvendi i Kosovës do të fillojë me procedurat për zgjedhjen e presidentit.

RADIO EVROPA E LIRË
Koalicioni për Kosovë të Re do të fillojë sërish mbledhjen e nënshkrimeve për zotin Pacolli si kandidat?

IBRAHIM MAKOLLI
Ne menjëherë pas marrjes së këtij aktgjykimi, kemi filluar me konsultat e brendshme, natyrisht brenda Koalicionit për Kosovë të Re, por edhe brenda partnerëve të koalicionit qeverisës dhe tashmë kemi kryer të gjitha përgatitjet që varen nga ana jonë, siç është mbledhja e nënshkrimeve për kandidim.

Po ashtu, edhe mbledhja e nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës me të vetmen pikë të rendit të ditës, zgjedhjen e presidentit të vendit - kërkesë e cila edhe më tutje nuk është proceduar në Kuvend, për shkak të nevojave për sqarime të mëtutjeshme dhe një nga to ka qenë edhe sqarimi i Gjykatës Kushtetuese.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë se edhe një kandidat tjetër nga Koalicioni për Kosovë të Re do të jetë kandidat për president, për të plotësuar kështu një nga kushtet e vëna nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për të pasur gjithsesi dy kandidatë?

IBRAHIM MAKOLLI
Kjo, madje, është një prej kërkesave kyçe, sepse dy kanë qenë vërejtjet ose të gjeturat e Gjykatës Kushtetuese: kuorumi prej 2/3-ve dhe mungesa e kundër-kandidatit që domosdo shtyn të ketë edhe një kundër-kandidat.

Ne jemi në proces edhe të konsultave edhe për këtë çështje dhe, natyrisht, do të identifikojmë në momentin e parë kundër-kandidatin, i cili do të jetë i mundshëm, qoftë nga radhët e pozitës, qoftë nga radhët e opozitës, sepse tashmë është një obligim kushtetues, më tepër sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese, me gjithë faktin se Kushtetuta nuk e precizon qartë. Por, megjithatë, kjo kërkesë më tepër po e them formale, do të plotësohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Makolli, siç po shihet, tash, pas shpalljes së aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhja e presidentit është më e vështirë sesa që dukej në fillim, më 22 shkurt. Opozita ka dalë me qëndrimin për një president konsensual – dy nga partitë opozitare kanë thënë se ndoshta do të jenë të pranishme në seancë, po qe se do të kishte një figurë tjetër. Do të lëshojë pe Koalicioni për Kosovë të Re?

IBRAHIM MAKOLLI
Nuk e di çka nënkupton konsensualiteti në sisteme demokratike. Në demokraci fiton ai që ka më së shumti vota, domethënë ky është parim demokratik.

Po e shtroj hipotetikisht, pra në rast se do të ketë një president konsensual, atëherë duhet gjithsesi të ketë edhe një kundër-kandidat, dhe kjo është sa për ta kënaqur një kërkesë kushtetuese që vjen në përgjigjen e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët e prekin pikërisht këtë çështje.

Domethënë është formalitet, e Kuvendi nuk duhet të merret me formalitete. Absolutisht, në demokraci një që ka më shumë vota, fiton. Edhe nëse e themi për zgjedhjen e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë, me një votë më tepër se kundër-kandidati fiton – çka nënkupton se nuk është konsensual.

Ajo çka unë besoj, është që duhet të ketë tashmë sjellje të përgjegjshme të të gjithëve, në mënyrë që vendit t’i jepet një zgjidhje. Do të varet shumë nga pjesëmarrja e opozitës, që unë besoj se do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit. Besoj, po ashtu, që edhe opozita do ta shfrytëzojë të drejtën e vet për të kandiduar me ndonjë kundër-kandidat, dhe pse jo atëherë të shohim se cili prej kandidatëve do ta marrë shumicën e votave.

Në përpjekje për të gjetur një president konsensual, atëherë Kuvendi vihet në lojë, sepse paraprakisht i bie sikur në një tender, ju e dini se kush do ta marrë tenderin, jeni pajtuar paraprakisht kujt do t’ia jepni tenderin dhe do ta thërrisni një firmë tjetër dhe do t’i thoni sa për sy e faqe, sepse kështu e kërkon ligji, ejani dhe aplikoni. Domethënë, është absolutisht mashtrim.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur pritet seanca e ardhshme e Kuvendit?

IBRAHIM MAKOLLI
Besoj që shumë shpejt. Besoj brenda pak ditësh... Javën tjetër pritet që Kosova ta ketë presidentin e vet të zgjedhur.
XS
SM
MD
LG