Ndërlidhjet

Pagat me rritje, të pasigurta


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Njohës të çështjeve ekonomike japin vlerësime të ndryshme, rreth mundësisë që punëtorët kosovarë, gjatë këtij muaji, t’i marrin pagat me rritje. Problem, sipas tyre, paraqet paralajmërimi i sindikatës se PTK-së, që do të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e vendimeve të marra në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës. Privatizimi i PTK-së është futur në kuadër të ligjit për buxhet, e cili është miratuar të enjten.


Pavarësisht miratimit të buxhetit në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, disa njohës të çështjeve ekonomike shprehen skeptikë se punonjësit kosovarë edhe këtë muaj mund t’i marrin pagat me rritje, ashtu siç është premtuar nga Qeveria.

Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se buxheti është miratuar, por ende nuk dihet se a do të nënshkruhet nga ushtruesi i detyrës së presidentit, dhe cilat do të jenë reagimet e institucioneve financiare ndërkombëtare.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, merr postin e ushtruesit të detyrës se Presidentit të Kosovës. Pranim - dorëzimi i detyrës për këtë post do të bëhet të hënën.

“Çka është e vërtetë, nuk kam guxim të premtoj se këto paga do të ndahen në një të ardhme të afërt. Në qoftë se pagat në fund të muajit prill do të jepen më rritje, do të jetë një sukses qeveritar. Vërtet, java që vjen, do të jetë një javë shumë e nxehtë për Kosovën, sidomos për skenën politike kosovare”
, thotë Gërxhaliu.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë nuk janë përgjigjur në mënyrë konkrete se kur do të bëhet shpërndarja e buxhetit. Në një përgjigje përmes postës elektronike, zyrtarë të Ministrisë së Financave, thonë se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka aprovuar Ligjin për ndarjet buxhetore.

“Ligji, në vështrim të nenit 80 paragrafi 5, duhet pritur 8 ditë për vendim të presidentit për shpallje apo kthim të tij.Nëse nuk pranojmë ndonjë vendim nga presidenti brenda këtij afati kushtetues, pas 8 ditëve, Ligji konsiderohet i shpallur pa nënshkrimin e tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare. Në rastin tonë, te Ligji i aprovuar për ndarje buxhetore, në përputhje me nenin 80 paragrafi 6 i Kushtetutës, Ligji do të hyjë në fuqi më 01 prill 2011”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Por, Safet Gërxhaliu përmend edhe një problem tjetër që mund të ngadalësojë procesin e ndarjes së buxhetit.

Sipas tij, miratimi i buxhetit, së bashku me nenin 4, ku parashihet shitja e Postë-Telekomit të Kosovës, mund të ngadalësojë ekzekutimin e mjeteve buxhetore, vlerëson Gërxhaliu pas paralajmërimeve të sindikalistëve të kësaj ndërmarrje që do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim të kushtetutshmërisë të vendimeve të marra gjatë miratimit të këtij buxheti.

“Kundërshtimi i privatizimit të PTK-së me siguri që do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe ai neni i famshëm numër 4, do të jetë prapë diskutabil dhe mu ai, është koordinata kryesore, në të cilën bazohet buxheti për vitin 2011. Atëherë, kjo lë hapësirë që vërtet të kem një dozë skepticizmi. Por, sidoqoftë, unë lutem që ato paga të jepen sa më shpejt që është e mundur”,
shprehet Gërxhaliu.

Por, ndryshe mendon Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës. Ai shprehet se neni 4 në Ligjin për buxhet, mund ta ngadalësojë procesin e shpërndarjes së buxhetit, por jo të stopojë fillimin e shfrytëzimit të tij.

“Me ditën e nënshkrimit të buxhetit, që duhet të bëhet nga ushtruesi i detyrës së kryetari, në këtë rast kryetarit të Kuvendit, buxheti duhet të hyjë në funksion dhe pagat me rritje t’u paguhen shërbyesve civilë dhe shërbyesve shtetërorë. Këtu nuk ka kurrfarë pengese në shfrytëzimin e mjeteve të buxhetit”
, thekson Bektashi.

Sipas vendimit të Qeverisë, duke filluar nga 1 janari i këtij viti, sektori i arsimit parauniversitar, familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, do të marrin paga me ngritje prej 50 për qind.

Policia e Kosovës do të ketë rritje pagash për 40 për qind. Kurse, shërbyesit civilë, zyrtarët doganorë, shëndetësia, si dhe zjarrfikësit, do të kenë ngritje për 30 për qind.

E, të gjitha këto, buxhetit të Kosovës, do t’i kushtojnë mbi 100 milionë euro.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG