Ndërlidhjet

Fehmiu: Kosovës i duhet Kushtetutë e re


Fatmir Fehmiu
Fatmir Fehmiu

"...të ndryshohet dhe plotësohet konform me specifikat e Kosovës", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Fatmir Fehmiu, ekspert i së Drejtës Kushtetuese.










RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Fehmiu, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që procedurat e zgjedhjes së presidentit, më 22 shkurt, ishin jokushtetuese. Megjithatë, kanë mbetur disa paqartësi... Si mendoni ju?

FATMIR FEHMIU
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, është e nevojshme, madje e domosdoshme të flitet me gjuhë kushtetuese, e cila mund të ketë edhe përmbajtje politike, por edhe sociologjike.

Duke analizuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese përkitazi me zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 22 shkurt 2011, do të vijmë deri te përfundimi se Gjykata Kushtetuese ka vepruar konformo me autorizimet që i ka, kompetencat, apo të drejtat dhe detyrat të përcaktuar me Kushtetutë. Andaj, si institucion kushtetues, i cili jep interpretimin përfundimtar të dispozitave kushtetuese, ai vendim është korrekt.

Në qoftë se bëjmë një interpretim sistematik logjik të tërë kaptinës për zgjedhjen e presidentit, duke filluar prej kandidimit deri të zgjedhja dhe betimi i tij, do të konstatojmë se është shkelur parimi i propozimit të më tepër kandidatëve, të cilët është dashur të konkurrojnë, por të propozohen, madje nuk thekson “prej partive politike”, por thotë se “secili shtetas i Republikës së Kosovës, që duhet ta shprehë unitetin e popullit”.

Kjo nuk ka ndodhur. Pse nuk ndodhi? Nuk ndodhi për arsye se një president, si personalitet, duhet të jetë i propozuar në mënyrë konsensuale me dy e më tepër kandidatë. Ajo nuk ndodhi, për arsye se dihet që partia, e cila ka qenë për nga ranglista me vota më shumë, zgjodhi partnerin e koalicionit, që për nga numri i votave prej të gjitha Grupeve Parlamentare, gjendet diku nga fundi.

Dhe, duke pasur parasysh këtë fakt dhe gjërat, të cilat i kanë paraprirë kësaj, atëherë do të konstatojmë se Gjykata Kushtetuese me plot të drejtë e ka nxjerrë këtë vendim. Kushtetuta fare qartë e thekson se “ në mungesë të presidentit, detyrën e tij e ushtron kryetari i Kuvendit deri në momentin kur zgjidhet presidenti sipas dispozitave kushtetuese”.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi, kanë dalë shumë mendime rreth asaj nëse Kosova kishte president gjatë kësaj periudhe pesë javore. Si shpjegohet kjo me Kushtetutën e Kosovës?

FATMIR FEHMIU
Ekziston një zbrazësi juridike në lidhje me këtë çështje, për arsye se kushtetudhënësi nuk ka mundur të parashikojë gjëra sui-generis që po ndodhin në Kosovë.

Në Kosovë po ndodhin çudira të mëdha. Të gjithë rrahin gjoks për kushtetutshmëri, për sundimin e Kushtetutës, për ligjshmëri dhe sundimin e ligjit, në anën tjetër me të dy këmbët i shkelin normat kushtetuese dhe ligjore.

Prandaj, kjo nuk është gjë tjetër vetëm rezultat i tendencave, të cilat me keqardhje duhet konstatuar që kanë elemente të autoritares, të “demokracisë” dhe të mospërfilljes së vullnetit të qytetarit, e cila është manifestuar gjatë zgjedhjeve, që edhe pas përsëritjeve, në shumë ambiente janë me një pikëpyetje të madhe. Deri me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vepër e Kuvendit ka qenë - ashtu si ka qenë, por në kolizion me normat kushtetuese.

Kjo do të ishte një pyetje shumë hipotetike, sepse edhe në praktikën e së Drejtës Kushtetuese ka ndodhur që një president të ketë një mandat të caktuar derisa nuk është verifikuar kushtetutshmëria, ligjshmëria apo dhe veprimi kushtetues dhe ligjor i tij.

Mirëpo, dua të theksoj se personaliteti kandidat për kryetar duhet t’i dijë gjërat elementare, e jo të deklarojë që unë s’i kam ditur rregullat, mua m’i kanë dhënë dhe kam vepruar sipas asaj që më është lexuar, e kështu me radhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër është ngritur edhe çështja tjetër, ajo e pranisë së deputetëve në sallë gjatë votimit. Është thënë se prania e tyre është detyrim moral e politik, por a është detyrim kushtetues?

FATMIR FEHMIU

Në qoftë se një qytetar ka të drejta dhe detyra, e një prej atyre të drejtave është të votojë për një kandidat, i cili kur hyn në Kuvend e merr cilësorin deputet, ai është përfaqësues i atyre qytetarëve. Mirëpo, duhet të theksojmë edhe diçka - që me Kushtetutën e Kosovës nuk është i përcaktuar mandati imperativ, por është mandat i lirë.

Çka do të thotë ajo?

Mandati imperativ është kur qytetarët, të cilët e kanë zgjedhur, i japin atij detyrën konkrete, kur duhet të marrë deputeti pjesë në seancat e Kuvendit, apo kur nuk duhet të mbajë mandatin e lirë, ajo varet nga vullneti i deputetit, por gjithnjë konform me normat kushtetuese, ligjore dhe rregulloren e Kuvendit.

RADIO EVROPA E LIRË
A duhet të ndryshojë Kushtetuta - nëse po, a duhet të ketë një strategji të qartë se çfarë ndryshimesh duhen?

FATMIR FEHMIU
Duke u nisur nga fakti se kjo Kushtetutë është sui-generis, si për nga rrethanat, ashtu edhe për nga metodologjia e hartimit të saj, kjo gjithsesi duhet të ndryshohet, sepse një Kushtetutë duhet të jetë akt i vullnetit të popullit.

Ndërsa, këtu kemi akt të vullnetit ndërkombëtar, i cili mbështetet në të ashtuquajturën Paketa e Ahtisarit; e dyta aty janë prapë disa faktorë ndërkombëtar - qoftë për aspektin institucional juridik, qoftë për aspektin e sigurisë - e këto duhet të shkrihen.

Në qoftë se kjo është Kushtetutë pasqyrë e një sovraniteti, pavarësie të mbikëqyrur, atëherë duhet të eliminohen të gjitha këto që të mund të krijohet një akt origjinal autentik që do të shprehte vullnetin e popullit të Kosovës.

Duhet të përkujtojmë se kjo Kushtetutë ka qenë nja 3 javë në të ashtuquajturin diskutim publik. Mirëpo, asnjë nga vërejtjet, të cilat janë dhënë gjatë diskutimit publik, nuk janë inkorporuar, duke përfshirë edhe çështjen terminologjike, edhe nga aspekti teknik, juridik, edhe nga aspekti përmbajtjesor, edhe nga aspekti terminologjik etj. Gjithsesi, kjo duhet të merret, të rishikohet të ndryshohet dhe të plotësohet konform me specifikat, të cilat e karakterizojnë Kosovën.
XS
SM
MD
LG