Ndërlidhjet

Analistë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se zhvillimet e fundit në vend, po rrezikojnë me largimin e investitorëve të huaj nga Kosova. Niveli i ulët i investimeve të huaja të drejtpërdrejta, sipas tyre, paraqet rrezik për zhvillimin ekonomik në të ardhmen.


Investimet e huaja, të cilat ishin konsideruar se mjet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, po rrezikohen nga imazhi jo i mirë i Kosovë në botë.

Analistët e ekonomisë thonë se zhvillimet e fundit politike në vend kanë treguar se Kosova është një vend i pasigurt për të investuar.

Analistja për çështje ekonomike, Artane Rizvanolli, konsideron se çdo ndryshim negativ ekonomik dhe politik, është shenjë e një jostabiliteti të një vendi dhe, si i tillë, ndikon në ardhjen e investitorëve të huaj.

“Një vend që perceptohet si i korruptuar dhe si i kriminalizuar, është i paparashikueshëm për të bërë biznes. Edhe pse mund të jenë taksat e ulëta, bizneset e kanë parasysh që është një dozë e pasigurisë që rrit koston e operimit të tyre. Dhe, në një vend të korruptuar, kostoja e korrupsionit paraqet një taksë kushtimisht që prapë i ngarkon bizneset, megjithëse është një taksë formale”,
thotë Rizvanolli.

Ky vit në Kosovë kishte filluar me një varg problemesh. Buxheti i vitit 2011, i cili ishte dashur të miratohej në tetor i vitit të kaluar, është miratuar gjatë kësaj jave.

Sidoqoftë, Rizvanolli thekson se duhet krijuar një ambient i sigurt për ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë, pasi që, siç thotë ajo, përfitimet do të jenë shumë të mëdha për vendin.

“Nëse do të kishte investime të huaja direkte në Kosovë, ato do të ishin të shoqëruara me transfer të teknologjisë më të avancuar që rrit produktivitetin e firmës. Mandej, do të ndikonte në rritjen e punësimit dhe në rritjen e shkathtësive të punëtorëve që punojnë brenda firmës, por edhe do të bënte presion te firmat konkurrente për të ngritur cilësinë e produkteve të tyre, e gjithashtu edhe të firmave kontraktuese - qoftë edhe atyre që i blejnë lëndët e para”,
shprehet Rizvanolli.

Ndërkaq, në bazë të një studimi të Odës Ekonomike Amerikane të realizuar me 49 kompani të huaja që operojnë në rajonin Evropës Juglindore, e që nuk janë të pranishme në Kosovë, thuhet se 60 për qind e kompanive kanë njohuri mesatare për ambientin afarist në Kosovë, ndërsa 30 për qind nuk kanë aspak njohuri për këtë ambient.

Me gjithë interesimin e kompanive të huaja për të investuar në Kosovë, në raport thuhet se investitorët potencialë, që janë duke hezituar, theksojnë përmirësimin e mjedisit ligjor dhe luftimin e burokracisë.

Udhëheqësi i Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike, Isa Mulaj, thotë se pa përmirësimin e kësaj gjendjeje, investime të huaja nuk do të mund të ketë në Kosovë.

“Kur të shohin investitorët e huaj që po bëhet përpjekje nga ana e EULEX-it dhe institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, do të ketë rritje të investimeve të huaja, sepse kjo ka qenë brenga kryesore e investitorëve, të cilët kanë menduar ta investojnë kapitalin e tyre në Kosovë”,
shprehet Mulaj.

Ndryshe, investimet e huaja në Kosovë gjatë kësaj dekade, e konkretisht, pas shpalljes së pavarësisë, janë konsideruar si një mjet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Mirëpo, në raportet e organizatave vendore dhe ndërkombëtare thuhet se në vitet e fundit, investimet e huaja kanë pësuar rënie të vazhdueshme.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG