Ndërlidhjet

Analistët: Zgjedhje të reja, por kur...!?


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Zhvillimet e fundit në Kosovë po e komplikojnë skenën politike dhe po e dëmtojnë jetën institucionale, vlerësojnë analistët e çështjeve politike në vend. Analisti Ismajl Hasani vlerëson se qëndrimet, të cilat po i reflektojnë partnerët e koalicionit qeverisës, po tregojnë se ky koalicion është bërë në mënyrë jo të natyrshme. Sipas tij, situata aktuale politike çon në drejtim të zgjedhjeve të reja. Ndërkaq, me këtë nuk pajtohet analisti Driton Lajçi. Ai nuk pret se do të ketë prishje të koalicionit qeverisës.


Aleanca Kosova e Re ka paralajmëruar të shtunën se do ta shkëpusë koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës, në rast të mospërmbushjes së marrëveshjes për koalicion nga kjo e fundit.

Ky paralajmërim ka komplikuar edhe më tutje gjendjen politike të krijuar në vend, pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë.

Analisti politik, Ismajl Hasani, thotë se shenjat e ndasive në koalicionin e pozitës reflektojnë jonatyrshmërinë, me të cilën është krijuar koalicioni.

Koalicioni qeverisës PDK- AKR

“Ajo që paralajmërohet si shkëputje e koalicionit, është shenjë se është bërë koalicion në mënyrë jo të natyrshme, është bërë koalicion me një pako të pashpjegueshme. Tani në Kosovë asgjë nuk është e pamundur. Siç u zhvilluan ngjarjet e fundit, tregon se jeta politike dhe institucionale në Kosovë është skajshmërisht e lënduar”, thotë Hasani.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës, si partner kryesor në koalicionin qeveritar, tashmë ka dhënë shenja se brenda saj ka mendime të ndara rreth zgjidhjes së problemit.

Brenda kësaj partie ka pasur zëra se duhet shkuar në zgjedhje të reja, por edhe zëra që thonë se zgjidhja duhet kërkuar përmes reformave zgjedhore.

Në anën tjetër, opozita përgjithësisht ka paralajmëruar se nëse lideri i AKR-së, Bexhet Pacolli, kandidohet për president të Kosovës, ajo do të braktisë Kuvendin.

Analisti Driton Lajçi vlerëson se, me gjithë paralajmërimet e fundit të AKR-së, koalicioni aktual qeverisës nuk do të prishet.

“Nuk besoj, sepse, megjithatë, anët tjera nuk kanë ofruar ndonjë alternativë serioze. E keqja e madhe e krejt skenës politike në Kosovë është se ka një krizë të thellë të besimit reciprok ndërmjet pozitës dhe opozitës; brenda vetë pozitës dhe brenda vetë opozitës. Kjo krizë e besueshmërisë po ndikon të mos ketë marrëveshje paraprake, të mos ketë konsensus, që të mos afrohen palët, të mos ofrojnë alternativa realiste, madje edhe që të mos e luajnë rolin e opozitës, e as pozitës”
, vlerëson Lajçi.

Ndërkaq, analisti Hasani thotë se situata e krijuar dhe pozicionimi i partive politike nuk lë hapësirë për optimizëm se do të mund të ketë ndonjë epilog pozitiv të shpejtë.
Zgjidhja e vetme është, vetëm e vetëm përgatitja e vendit, me një kohë logjike, për zgjedhje tjera.

Formulimi i përgjithshëm i këtyre zhvillimeve të fundit është reflektim i joseriozitetit të skajshëm të subjekteve politike në Kosovë, pa asnjë përjashtim. Kur marrim parasysh kontestin aktual që është krijuar, pritjet janë minimale se do të zgjidhet problemi i presidentit”.

“Në këtë kontekst, mendoj se të dy palët, në këtë rast, pozita e përçarë dhe opozita, që mbase duket që ka disa shenja të konsolidimit, janë barrikaduar në dy anë të ndryshme. Zgjidhja e vetme është, vetëm e vetëm përgatitja e vendit, me një kohë logjike, për zgjedhje tjera”
, thekson Hasani.

Por, sipas analistit Lajçi, zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje për problemin aktual, duke pasur parasysh kohën e shkurtër që do të duhej për t’i organizuar ato.
...ende nuk jemi në stad që të shkojmë në zgjedhje të
parakohshme.

“Nuk janë evituar dobësitë e sistemit zgjedhor, nuk është ndryshuar Ligji për zgjedhjet, nuk janë penalizuar keqbërësit e procesit elektoral (të kaluar). Do të thotë, ende nuk jemi në stad që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Po qe se do të mbaheshin zgjedhjet nesër, përafërsisht do të jetë i njëjti rezultat, sepse pozita nuk ka mundur ta tregojë veten ende, me premtimet elektorale etj”.

“Gjithashtu, edhe opozita nuk ka pasur mundësi, sepse armiku më i madh është koha, në këtë rast. Koha është mjaft e shkurtë dhe nuk ka mundur, as pozita, e as opozita, të konsolidohen si të tilla dhe të tregojnë rezultate. Kështu që rezultati i zgjedhjeve, po qe se do të mbaheshin nesër, do të ishte përafërsisht i njëjtë”
, shpjegon Lajçi.

Sidoqoftë, njohësit e rrethanave politike thonë se ende është vështirë që të jepet një prognozë e saktë se si do të përfundojë ngërçi politik në vend.

Por, sipas tyre, situata e krijuar është duke e dëmtuar rëndë jetën institucionale në Kosovë, rrjedhimisht edhe rrugëtimin e vendit drejt zhvillimeve të nevojshme pozitive.

Lexoni edhe këto:
Kosova nuk është në vakuum institucional
Rikthimi në krizë
XS
SM
MD
LG