Ndërlidhjet

Kompensimi i dëmeve të luftës


Shkollë e shkatërruar gjatë luftës në Kosovë...

Shkollë e shkatërruar gjatë luftës në Kosovë...

Në bisedimet teknike që tashmë kanë filluar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duhet patjetër që autoritetet kosovare të kërkojnë nga Serbia kompensimin e dëmeve të luftës, thonë njohës të çështjeve ekonomike.


Pala kosovare duhet të kërkojë nga Serbia që të bëjë kompensimin e dëmeve që i ka shkaktuar Kosovës, para dhe gjatë luftës së fundit, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Xhemshit Duriqi, ekspert i ekonomisë, konsideron se Kosova është vonuar në këtë drejtim.

Në bisedimet që janë duke u zhvilluar ndërmjet Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar, pala kosovare duhet të kërkojë jo vetëm kompensimin e dëmeve materiale, por edhe atyre psikike, politike dhe shoqërore, duke përfshirë këtu edhe humbjet në njerëz

Duriqi vlerëson se nuk mund të normalizohen marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse pretendohet nga Beogradi zyrtarë që të injorohen apo të hidhen në harresë shkatërrimet që janë bërë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Duhet të kërkohet patjetër që të kompensohen dëmet direkte dhe indirekte të luftës. Unë fola së pari për dëmet më të dhembshme, për humbjen e njerëzve, pastaj shkatërrimin dhe djegien e mbi 120 mijë shtëpive dhe banesave që llogariten të jenë mbi 3 miliardë".
Më se një dekadë pas përfundimit të luftës, rreth 1800 kosovarë ende rezultojnë të pagjetur.

"Po aq ekonomi familjare që bëjnë 4 miliardë, rrugë, ura, institucione, të mbjella dhe objekte shkencore, arsimore, arkivore, kulturore, sportive dhe objekte ekonomike, të infrastrukturës etj., që arrijnë mbi 40 miliardë euro”
, thotë Duriqi.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ka filluar në fillim të muajit mars. Deri më tani janë mbajtur dy raunde të bisedimeve, takime këto që lehtësohen nga Bashkimi Evropian dhe asistohen nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Temat e diskuara gjatë këtyre takimeve, janë regjistri civil, kthimi i dokumenteve kadastrale, problemi i CEFTA-s, vulat doganore, çështja e energjisë, posta dhe telekomi dhe shumë probleme tjera që janë grumbulluar qe 12 vjet.

Gjatë takimeve të para, ka qenë e domosdoshme që pala kosovare të kërkojë nga Serbia kompensimin e dëmeve, pohon edhe Musa Limani, profesor në Universitetin e Prishtinës.

“Dëmet në njerëz, dëmet në ekonomitë familjare, në bujqësi, në industri, normalisht edhe streset: të gjitha ato hyjnë në kuadër të dëmshpërblimeve, të cilat duhet t’i paguajë nxitësi i luftës dhe ata që kanë që kanë bërë masakra , në këtë rast Serbia”.

“Duhet t’i vëmë në rend dite, gjërat që ne na takojnë në bazë të konventës ndërkombëtare. Mirëpo, nëse ne frikohemi të kërkojmë atë që na takon ne, atëherë pala tjetër e kërkon atë që nuk i takon”
, pohon Limani.

Ndryshe, sipas të dhënave të ekspertëve të ekonomisë, dëmet që Serbia i ka shkaktuar Kosovës, llogariten deri në 15 miliardë dollarë.

Megjithatë, ende mungojnë të dhëna zyrtare, edhe pse udhëheqës të lartë të Qeverisë, tashmë kanë thënë se dëmet janë të evidentuara dhe me kohë shteti i Kosovës do të kërkojë llogari nga Serbia për to.

Por, Musa Limani shpreh nevojën e formimit të një komisioni të veçantë që merret me këtë çështje.

“Sido që të jetë, duhet të formohet një komision i veçantë, të inkuadrohen ekspertët e të gjitha fushave dhe të bëhet vlerësimi i dëmeve: Ky nuk është ndonjë problem i veçantë”,
thekson Limani.

Sidoqoftë, ekspertët vlerësojnë se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, rreth dëmeve të luftës që i ka shkaktuar Serbia Kosovës, qoftë në njerëz, qoftë në ekonomi.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG