Ndërlidhjet

Gadafi kërkon shtegdalje

  • RFE /RL

Kryeministri grek, George Papandreu (djathtas), dhe zëvendësministri i Jashtëm libian, Abdelati al-Obeidi, Athinë 3prill 2011.

Kryeministri grek, George Papandreu (djathtas), dhe zëvendësministri i Jashtëm libian, Abdelati al-Obeidi, Athinë 3prill 2011.

Greqia tha se qeveria e sundimtarit libian, Moamer Gadafi, kërkon mënyra për të dalë nga konflikti me kryengritësit. Njoftimi u bë pasi anija turke i shpëtoi qindra civilë të plagosur nga qyteti i rrethuar i Misratës, ndërsa në lindje, forcat qeveritare vazhduan t’i luftojnë kryengritësit në qytetin Brega.

Autoritetet greke njoftuan se Moamer Gadafi po kërkon të negociojë për t’u dhënë fund luftimeve me kryengritësit, që filluan në muajin shkurt. Sipas autoriteteve të Greqisë, Gadafi e ka dërguar zëvendësministrin e Jashtëm, Abdelati al-Obeidi, të dielën në Athinë, për të zhvilluar bisedime me kryeministrin Georgi Papandreu. Dy vendet kanë pasur marrëdhënie miqësore në vitet e fundit.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Drucas, tha se Libia duket se po kërkon mënyra për të dalë nga konflikti.

“Nga ajo që na tha emisari libian, duket se regjimi i Libisë po synon zgjidhje. Ekziston nevoja për përpjekje serioze për paqe dhe stabilitet në rajon dhe Greqia do të vazhdojë me përpjekjet e tilla, duke ofruar shërbimet tona. Jemi në kontakt me partnerët dhe aleatët dhe do t’i njoftojmë për idetë dhe propozimet greke
”, tha Drucas.

Raportohet se Al-Obeidi të hënën udhëtoi në Turqi dhe Maltë, për t’i vazhduar bisedimet diplomatike. Megjithatë, nuk ka indicie se çfarë mund të ofronte Tripoli për t’i përfunduar luftimet.

Të dielën, pasigurinë edhe më shumë e rriti e përditshmja Nju Jork Tajms, e cila raportoi se të paktën dy djem të Gadafit planifikojnë ta heqin babanë nga pushteti dhe të fillojnë fazën kalimtare drejt një demokracie kushtetuese.

Duke cituar një zyrtar të paemëruar libian, gazeta raportoi se tranzicioni do të mbikëqyrej nga i biri i sundimtarit, Seif al-Islam el-Gadafi.

Nuk është e qartë nëse sundimtari libian është dakorduar me propozimin e raportuar.

Ndërkohë, luftimet nuk kanë treguar shenja qetësimi, teksa forcat e Gadafit dhe kryengritësit kanë vazhduar përplasjet për të kontrolluar rrugën që shpie në Brega, ku ndodhet terminali kryesor i naftës në lindje të vendit.

Të hënën pasdite pritet të mblidhet Këshilli i Sigurimit për ta vlerësuar situatën në Libi dhe mënyrat për evakuimin e civilëve.

Rashid Khalikov, koordinator i Kombeve të Bashkuara për operacionet humanitare në Libi, tha se luftimet e tej zgjatura janë arsye e “shqetësimeve serioze humanitare”.

“Sa më shumë që njerëzit mbesin në pozicionet ku janë sot, aq më i vështirë bëhet evakuimi i tyre. Zemërimi i tyre rritet më tepër dhe ndikimi në vendet që i pranojmë do të jetë më i madh. Ndaj, u bëj thirrje të gjithëve që të ndihmojnë t’i evakuojmë njerëzit, në mënyrë që situata të mund të jetë e menaxhueshme”, theksoi Khalikov.

Të dielën anija turke që lundroi në Misrata për t’i shpëtuar rreth 230 të plagosur, kishte pritur katër ditë që të marrë leje për t’u ankoruar. Ata që ishin në bord, u thanë gazetarëve se njerëzit në qytetin e rrethuar po luftojnë për mbijetesë, pasi forcat qeveritare ua kishin ndërprerë furnizimin me ushqim dhe linjat elektrike.(v.p.)
XS
SM
MD
LG