Ndërlidhjet

Opsionet e opozitës


Ligjvënësit kosovarë (Foto nga arkivi)
Ligjvënësit kosovarë (Foto nga arkivi)
Dy partitë opozitare, LDK dhe AAK, ftojnë partitë në pushtet që të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje për tejkalimin e gjendjes së krijuar në lidhje me zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Në vend të zgjedhjeve të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh, opozita propozon një marrëveshje për reformat zgjedhore dhe caktimin e datës së zgjedhjeve pas një viti, në mënyrë që të tejkalohet nyja e zgjedhjes së presidentit.


Për tejkalimin e gjendjes së krijuar pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me rastin Pacolli, partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, propozojnë një marrëveshje me partitë në pushtet deri në zgjedhjet e ardhshme.

Kjo marrëveshje, sipas opozitës, do të përfshinte një president konsensual, reformat zgjedhore, ndryshimin e Kushtetutës, si dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme.

Nëse arrihet një marrëveshje për këto pika, opozita thotë se do të pajtohej të merrte pjesë në seancën e radhës, ku në rend dite do të ishte zgjedhja e presidentit konsensual të Kosovës.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë, se synimi i LDK-së nuk është që të përfshihet në ndonjë formulë të re qeverisëse.

Madje, Shala nuk e përjashton as mundësinë që të vazhdohet me mandatin e një qeverie të pakicës, nëse ndodh prishja e koalicionit aktual, apo një qeverie teknike. Sipas tij, me rëndësi është që, para se të shkohet në zgjedhje, të ketë edhe një marrëveshje.
LDK

“Në këtë marrëveshje do të afatizohej koha e kësaj qeverie që e kemi tani, do të përcaktoheshin disa mandate ose detyra, në radhë të parë reforma zgjedhore, ndryshimi i Kushtetutës, i Ligjit për zgjedhjen e presidentit, i sistemit zgjedhor etj
”, thotë Shala.

Nga marrëveshja deri në zgjedhjet e ardhshme, Shala thotë se mund të ketë një kohëzgjatje prej një viti, në mënyrë që të ketë afat të mjaftueshëm për reformat që po synohen. Marrëveshja eventuale, sipas tij, nuk nënkupton që LDK-ja të përfshihet në këtë mandat qeverisës.

Me rëndësi, sipas Shalës, është që të gjendet një kandidaturë e mirë për president dhe të merren garanci për zhvillimin e reformave. Në rast të dështimit të marrëveshjes, Shala thotë se vendi mund të shkojë edhe në zgjedhje të shpejta.

Ajo që kërkojmë ne është që vendi të ketë sa më shumë kohë që t’i bëjë reformat dhe të përgatitet për zgjedhjet e parakohshme. Ne nuk mendojmë që është e domosdoshme që ato të bëhen brenda 45 ditësh, por nëse PDK-ja nuk ka vullnet për atë që t’i përmbushë kërkesat tona dhe të bisedojë me ne për çështje të tilla, atëherë ne jemi të gatshëm edhe për atë variante”, shpjegon Shala.

Për të arritur një marrëveshje rreth tejkalimit të gjendjes, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fton spektrin politik, si atë në pushtet, ashtu edhe partitë opozitare, që të ulen në një tryezë të përbashkët për të propozuar hapat e mëtutjeshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë se pa një marrëveshje politike, Grupi Parlamentar i AAK-së do ta bojkotojë çdo seancë që mund të thirret për zgjedhjen e presidentit.

AAK

“Në çfarëdo lloj procedimi të presidentit pa e pasur këtë tryezë politike Grupi Parlamentar i AAK-së nuk do të qëndrojë në sallë. Një procedim i tillë do të ishte vërtet me pasoja të paparashikueshme për vendin dhe të ardhmen e Kosovës”
, shprehet Ramadani.

Edhe AAK-ja kërkon që subjektet politike të merren vesh në lidhje me disa ndryshime kushtetuese e ligjore që kanë të bëjnë me reformat zgjedhore. Por, të gjithë këta skenarë, sipas Ramadanit nga AAK-ja, mund të akordohen përmes një tryeze të përbashkët politike.

“Ndryshimi i Kushtetutës dhe i Ligjit për zgjedhje janë të domosdoshme, por të gjitha këto tema duhet të vendosen në tryezën politike të të gjitha partive politike parlamentare. Pra, ne duam që të ketë tryezë politike për çështjet madhore të vendit dhe të gjitha përgatitjet për tejkalimin e kësaj situate janë çështje madhore për vendin”
, thekson Ramadani.

Aktualisht, më e përmbajtur nga iniciativat është Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka shprehur pakënaqësinë e vet, si në raport me pozitën, ashtu edhe me dy partitë tjera opozitare.

Sidoqoftë, edhe në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin, ushtruesi i detyrës ka një mandat prej gjashtë muajsh që vendi të mos zhytet në një vakuum institucional.

Ndërkaq, edhe në rast të skenarit të prishjes së koalicionit aktual, Qeveria nuk shkarkohet përderisa të mos ketë një kërkesë për mocion votëbesimi në Kuvend.

Lexoni edhe këto:
Rikthimi në krizë
PDK-ja e ndarë rreth presidentit
XS
SM
MD
LG