Ndërlidhjet

Njohësit e zhvillimeve politike konsiderojnë se krizat institucionale të herëpashershme, nëpër të cilat po kalon Kosova, po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në njohjet e reja për vendin.

Ardian Arifi, nga Klubi për Politikë të Jashtme, thekson se papjekuria politike e brendshme e institucioneve të Kosovës, ndikon edhe në vonesën e njohjeve të reja të Kosovës.

Arifi mendon se institucionet kosovare duhet të kenë një herë e përgjithmonë strategji të qartë të politikës së jashtme.
...zhvillimet, të cilat mund të perceptohen si papjekuri politike e vetë institucioneve të Kosovës, megjithatë do të ndikojnë në politikën e saj, në imazhin dhe në atë që të sigurojë më shumë
njohje.


“Ajo që është më e rëndësishme të theksohet, është se zhvillimet, të cilat mund të perceptohen si papjekuri politike e vetë institucioneve të Kosovës, megjithatë do të ndikojnë në politikën e saj, në imazhin dhe në atë që të sigurojë më shumë njohje. Asgjë nuk i sjell më shumë njohje Kosovës se sa imazhi i një vendi anëtar kredibil dhe kompetent i bashkësisë ndërkombëtare”
, thotë Arifi.

Që nga fundi i vitit të kaluar kur LDK-ja u largua nga koalicioni qeverisës me PDK-në, Kosova po përballet me probleme të brendshme politike.

Një nga to është edhe mungesa e presidentit të vendit. Kjo, sipas Arifit, ndikon edhe në politikën e jashtme të Kosovës.

“Derisa nuk bëhet kjo, mungesa e zyrtarëve që mund ta përfaqësojnë Kosovën, në këtë rast edhe kryetari, ka kompetenca ta përfaqësojë Kosovën ndërkombëtarisht. Sigurisht që kjo ka për ta dobësuar mundësinë e Kosovës për të dalë dhe për të siguruar më shumë njohje, si dhe që të tregohet kredibil para partnerëve ndërkombëtarë”,
shprehet Arifi.

Edhe analisti politik, Halil Matoshi, thotë për Radion Evropa e Lirë se së fundi veprimet e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, shihet qartë se nuk janë demokratike. Kjo, shton ai, jep një mesazh të qartë te shumë shtete se Kosova ende nuk është një shtet stabil.
...asnjë nga shtetet me demokraci të zhvilluar nuk dëshiron që në këtë moment ta njohë një shtet të tillë, i cili nuk e respekton vetveten.

“Nisur nga kutitë e votimit, del një pushtet jolegjitim, i cili praktikisht shkel opozitën demokratike si pjesë e sovranitetit të popullit. Praktikisht, ekzekutivi e dominon Kuvendin si të ishte një departament i Qeverisë për menaxhimin e popullit dhe, në këtë rast, asnjë nga shtetet me demokraci të zhvilluar nuk dëshiron që në këtë moment ta njohë një shtet të tillë, i cili nuk e respekton vetveten. Prandaj, edhe mbetet i parespektuar nga të tjerët”
, vlerëson Matoshi.

Kohë më parë, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës kanë thënë se janë duke hartuar një strategji lobuese. Sipas tyre, strategjia e re parasheh që presidenti i vendit, kryeministri, kryetari i Kuvendit, ministrat, deputetët, shoqëria e civile etj., ta ndihmojnë Kosovën në çështjen e shtimit të njohjeve dhe të përcjellin një imazh modern për vendin.

Zyrtarët e MPJ-së, po ashtu, kanë theksuar se dokumenti për politikën e jashtme nuk ka për qëllim vetëm qartësimin e pozitës diplomatike të Kosovës në rajon dhe botë, por edhe marrëdhëniet e mira ekonomike, tregtare e kulturore.

Lexoni edhe këto:
Imazhi dhe njohjet e reja
Kosova në krizë politike
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG